Kosova ende nuk ka helikopterë, të cilët do të ndihmonin në situata
emergjente, kontroll kufitar e çështje të tjera të nevojshme.
Përfaqësues të institucioneve shtetërore, përgjegjëse për një situatë
të tillë thonë se Kosova deri tani nuk ka pasur mundësi financiare, por
që kanë krijuar bazën ligjore të nevojshme dhe infrastrukturën që kjo
Njësi të ketë vendstacionimin.
Ata vlerësojnë se me asnjë mjet të menaxhimit të situatave emergjente
nuk mund të reagohet sikur me helikopterë që mund të shpëtohen jetët e
njerëzve, kontrollohet kufiri, kontrollohet komunikacioni, veprohet
ditën dhe natën, dhe në kërkim-shpëtim të jetëve të njerëzve, të
furnizohen njerëzit atje ku nuk ka asnjë lloj mënyre të furnizohen me
medikamente dhe ushqim në rast se izolohen nga bora e madhe, vërshimet,
rrëshqitjet, dëmtimi i rrugëve etj, shkruan “KosovaPress”.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se për formimin e Njësisë
së Helikopterëve në kuadër të Policisë së Kosovës janë 62 ekspertë të
kësaj fushe që nga pilotët, teknikët, inxhinierët, dhe ekipe të tjera
mbështetëse të nevojshme për të jetësuar këtë Njësi.
Inxhinieri i aviacionit, njëherësh edhe zëvendësministri në
Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, thotë për Kosovapress,
se para dy vjetëve ka nisur angazhimin për formimin e kësaj Njësie, duke
punuar me ekspertë për procedurat paraprake, duke e cilësuar si
jashtëzakonisht të nevojshme.
Ibishi deklaron se i ka dhënë shumë rëndësi kësaj çështje dhe
shpreson që Qeveria e Kosovës të jetësoj Njësinë për helikopterë gjatë
vitit të ardhshëm, duke e funksionalizuar në kuadër të Policisë së
Kosovës.
Kjo Njësi do t’i ketë tre helikopterë, të cilët, sipas Ibishit, dy
prej tyre duhet të jenë dy motorësh, duke treguar se është si kriter dhe
nuk tolerohen më në vend të urbanizuar të operojnë helikopter tjerë,
dhe një i mesëm për reagim në situata emergjente.
Ai shprehet i bindur se disa shtete donatore i kanë treguar
gatishmërinë për të dhënë donacion, dhe për të ndihmuar Kosovën sa i
përket fushës së aviacionit.
Zëvendësministri Ibishi tregon se deri tash transporti i doganierëve
në veri është bërë me helikopter të EULEX-it, kurse për situata
emergjente nuk kanë pas asnjë mbështetje, por që pret të nënshkruajnë
një marrëveshje më Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë për
menaxhim të situatës nga ajri me ndihmën e helikopterëve të Shqipërisë,
si zgjidhje e përkohshme.
“Problemi mesa kuptoj unë është në buxhetin e konsoliduar të Kosovës,
nuk shoh tjetër arsye ose problem të mundshëm. Po mendoj që, edhe
shpresoj që Qeveria në krye me kryeministrin në vitin që vjen, jam i
sigurt t'u ja ditë rëndësinë të gjithë, se sa do të thotë për Kosovën,
sa është e rëndësishme kjo Njësi, besoj edhe jam i sigurt që Qeveria e
din dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të gjejë mënyrë për të jetësu këtë
Njësi. Me donacione, me një pjesë të buxhetit, me mënyrat të cilat
ekspertët, gjegjësisht njerëzit autoritativ që kanë të bëjnë me
buxhetin, të gjejnë mënyrë që të jetësojnë këtë Njësi. Sepse, për
shtetin është mbi të gjitha prioritet dhe unë shpresoj që kjo të ndodhë
vitin e ardhshëm”, thotë ai.
Edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant
Kadri Kastrati, vlerëson se Njësia e Helikopterëve, aktualisht, mund të
funksionojë në kuadër të Policisë.
“Kosova, në përgjithësi, nuk i ka kapacitetet e aviacionit të
ngritura. Ne si grup drejtues për rishikimin e sektorit të sigurisë,
kemi aprovuar, si prioritet i kemi dhënë MPB-së dhe Policisë për arsye
se ato kanë nevojë me tepër. Mirëpo, edhe ne, në të ardhmen, në
strukturën e ardhshme e kemi në plan që duhet të ngrisim kapacitetet e
aviacionit apo helikopterëve, në rend të parë të kërkim-shpëtimit, që
shumëherë është shfaqur nevoja për dislokim të shpejtë, qoftë ajo për
borë apo vërshime, apo çështje tjera që kanë ndodhur”, thotë Kastrati
për Kosovapress.
Sa i përket shëndetësisë në situatat kur është dashur të bëhet ndonjë
ndërhyrje me helikopterë ju ka ardhur në ndihmë KFOR-i, thotë drejtori
në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri
Lenjani.
Që nga viti 2007 janë munduar t'i bindin institucionet relevante në
nivel të shtetit për aero-ambulancë, por ende nuk kanë marrë përgjigje,
dhe se duhet të krijohen kushtet për sigurimin e helikopterëve.
“Kosova duhet patjetër ta ketë një ose dy helikopterë për nevojat e
Republikës së Kosovës, të cilën e parasheh Ligji për Shërbime
Emergjente, që të paktën, domethënë, në qoftë se Qendrës Klinike
Universitare i paraqitet nevoja për evakuim të shpejtë, e vetmja mënyrë
me qëllim të shpëtimit të jetëve është sigurimi i një aero-ambulance”,
thotë Lenjani për Kosovapress.Në kuadër të Qendrës Klinike Universitare, Klinika Emergjente që nga
viti 2007 ka rritë aktivitetet për avancimin dhe fuqizimin e shërbimeve
emergjente, duke bërë planin ideor, gjegjësisht për dizajnimin e
ndërtesës së re për Klinikën Emergjente, dhe në kuadër të kësaj si aneks
projekt kanë bërë propozimin për ambulancë ajrore.