Thursday, January 2, 2014

Ahmeti: Do t’i realizojë 12 pikat e planit për Prishtinën

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një intervistë për Telegrafin deklaroi se do të fillojë zbatimin e programit me të cilin ka fituar zgjedhjet dhe këtë tha se do ta bëjnë përmes një plani të detajuar të implementimit. Duke folur për reformën zgjedhore, ai tha se Vetëvendosje gjithnjë e ka potencuar se problemi i zgjedhjeve të vitit 2010 nuk ka qenë ligji, por ka qenë administrimi i zgjedhjeve.

Telegrafi: Zotëri Ahmeti si i vlerësoni vitin 2013, zhvillimet politike, skenën politike në vend?
Ahmeti: Në përgjithësi nuk ka qenë një vit i mirë për Kosovën për shkak të ngecjeve në zhvillim, në luftën kundër korrupsionit, por edhe në zhvillimet në dialog, që e kanë defunksionalizuar Kosovën. Nga arritjet e mira kisha me veçu një proces më të mirë zgjedhor se sa ai i vitit 2010. Viti 2014 është një vit i zgjedhjeve dhe i sfidave për Kosovën.
Telegrafi: Këtë vit u mbajtën zgjedhjet lokale? Si e vlerësoni mbarëvajtjen e tyre?
Ahmeti: Unë e ceka edhe më lartë se ishte një proces më i mirë se ai i vitit 2010. Ne u angazhuam maksimalisht në mbrojtjen e votës që për neve ishte kyçe.
Telegrafi: Qeveria e Kosovës e vlerëson të suksesshme mbajtjen e tyre në tërë territorin e Kosovës, ndërkohë që shumica e kryetarëve serb theksojnë se nuk e pranojnë shtetin e Kosovës? A mund të konsiderohen këto zgjedhje si të suksesshme?
Ahmeti: Natyrisht se nga aspekti që ju e potenconi nuk mund të konsiderohen të suksesshme. Dialogu na solli në një pozitë që tash i kemi një numër të konsiderueshëm të kryetarëve të cilët nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe do të punojnë në drejtimin që të punojnë kundër shtetit tonë. Prandaj krijimi i asociacionit të komunave serbe është një hap në drejtimin e kundër nga demokracia dhe funksionalizimi i shtetit tonë.
Telegrafi: Pritet të mbahen zgjedhjet nacionale në vitin 2014? Çka nëse nuk do të ketë reformë zgjedhore paraprakisht? Si do të jetë qëndrimi i Vetëvendosjes?
Ahmeti: Ne kemi thënë vazhdimisht që problemi i zgjedhjeve të vitit 2010 nuk ka qenë ligji, por ka qenë administrimi i zgjedhjeve. Prandaj edhe më herët kemi thënë që reforma ka qenë më shumë një zëvendësim i diskutimeve që duhej të bëheshin për administrimin e zgjedhjeve në vitin 2010. Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë, ne kemi edhe qëndrim për reformën por kemi edhe qëndrim për ndryshimet e domosdoshme për administrimin sa më të duhur të zgjedhjeve.
Telegrafi: Të flasim për bisedimet me Serbinë. A janë duke shkuar në drejtimin e duhur? Sa po zbatohen marrëveshje në favor të Kosovës?
Ahmeti: Natyrisht se jo, sepse baza e këtyre bisedimeve ka qenë e gabueshme. Në fund të vitit 2013 jemi shtet më i dobët si pasojë e dialogut, dhe Kuvendi ka kaluar Ligjin për Amnistinë me gjithë kundërshtimin e shoqërisë civile, Vetëvendosjes dhe qytetarëve në përgjithësi.
Telegrafi: Në gjithë këto zhvillime që kanë ndodhur, si e vlerësoni rolin e Kuvendit gjatë këtij viti?
Ahmeti: Në përgjithësi Kuvendi ka qenë një makinë votuese sa i përket votimeve të vendimeve të qeverisë. Mirëpo ka pas diskutime të mira, dhe po ashtu ka pas momente të shpresës kur Kuvendi ka ndaluar punë të këqija së paku për periudha të shkurtra.
Telegrafi: Si e vlerësoni politikën e jashtme të Kosovës?
Ahmeti: Politikën e jashtme e shoh si vazhdimësi të politikës së brendshme, prandaj nuk mund ta vlerësoj ndryshe nga ajo më lartë. Anëtarësimet në disa organizata dhe njohjet janë pozitive.
Telegrafi: Zotëri Ahmeti, të kthehemi në pozitën aktuale që mbani? Jeni kryetar i komunës së Prishtinës? Si ndiheni tashmë që udhëheqëni me kryeqytetin?
Ahmeti: Me përgjegjësi. Do të fillojmë zbatimin e programit tonë me të cilin kemi fituar zgjedhjet, dhe këtë do ta bëjmë përmes një plani të detajuar të implementimit.
Telegrafi: Cilat janë prioritetet e juaja në mandatin qeverisës?
Ahmeti: Janë ato 12 zotimet të cilat i kemi prezantuar. Momentalisht kemi nisur punën në të gjitha drejtimet.
Telegrafi: Çka mund të presin qytetarët e Prishtinës në fund të vitit të parë të punës suaj?
Ahmeti: Punë. Shumë punë, por për të gjitha do të jemi shumë transparent në mënyrë që qytetarët të jenë gjithmonë të informuar për kalendarin e aktiviteteve tona.
Telegrafi: Zotëri Ahmeti, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë më të izoluarit në Evropë, me papunësi të lartë, shëndetësi kaotike, çfarë mund të presin në 2014-në?
Ahmeti: Ne jemi si popull optimistë. Por unë do të them që punët do të jenë më mirë vetëm në qoftë ne si popull bëhemi bashkë për ndryshime të cilat janë aq të nevojshme në Kosovë. Prandaj nuk duhet të themi se do të bëhet mirë pa kontribuar për tu bërë më mirë. Kosova ka nevojë për ndryshime e këto ndryshime bëhen vetëm kur në punojmë për ndryshime.
Ahmeti në fund uroi që në 2014-në të ketë më shumë punësim e mirëqenie për qytetarët.Ndryshe, Ahmeti gjatë fushatës zgjedhore ka potencuar 12 pikat e planit të tij për Prishtinën. Ai ka thënë se do të furnizojë pandërprerë me ujë, do të bëjë çerdhe me kosto të përballueshme në çdo pjesë të komunës, rregullim të trafikut, arsim në shërbim të zhvillimit, vendosje e rregullit në planifikimin urban, treg të prodhimeve të vendit, banim të përballueshëm, hapje të komunës për qytetarët, shëndet në shërbim të zhvillimit, barazi në Prishtinë, reformim të tatimit në pronë dhe vendimmarrje në lagje.

0 comments:

Post a Comment