Autoritetet e Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e zgjedhur të serbëve të veriut nuk po arrijnë të pajtohen rreth mënyrës së inaugurimit të Kuvendeve Komunale. Derisa pala kosovare dhe Bashkimi Evropian po këmbëngulin që ato të bëhen konform ligjeve dhe rregullimit kushtetues të vendit, autoritet serbe kërkojnë inaugurime neutrale.
Ligjërisht inaugurimet duhet të kryhen deri më 10 janar. Ministria e Pushtetit Lokal ende nuk ka marrë sinjale të qarta se kur do të mbahen seancat inauguruese të katër komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe.Kjo ministri një javë më parë kishte kërkuar që seancat të shtyhen me arsyetimin se të zgjedhurit serbë nuk i kanë bërë përgatitjet konform sistemit ligjor të Kosovës, raporton RTK.
Por, deri më tani sipas Besnik Osmanit, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal nuk kanë siguruar ndonjë përgjigje nga të zgjedhurit serbë rreth seancave inauguruese.
Përgjigje për këtë nuk ka dhënë as kandidati që ka fituar zgjedhjet për komunën e re të Mitrovicës së Veriut, Kërstimir Pantic.
Neni 42 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë parasheh që mbledhja inauguruese të Kuvendit Komunal duhet të bëhen brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Ndërkohë që i tërë procesi mund të zgjas jo më shumë se 30 ditë nga koha e certifikimit.
Në këtë rast ligjërisht mbledhjet inauguruese të Kuvendeve Komunale duhet të jenë të kryera deri më 10 janar. Refuzimi i të zgjedhurve serbë për të respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, duke përdorur referenca me rezolutën 12 44 , logot serbe dhe emërtime të gabuara, kishte bërë që Qeveria e Kosovës t’i drejtohet zyrës së baroneshës, Catherine Ashton. Bashkimi Evropian ndërkaq ka kërkuar që palët të respektojnë marrëveshjen e 19 prillit.Sidoqofë ligjërisht mbetet edhe një javë kohë që komunat veriore të thërrasin mbledhjet inauguruese dhe të shihet nëse ato do të përfillin apo jo rendin kushtetues të Kosovës. Gjithashtu për javën e ardhshme është paralajmëruar një takim tjetër në Bruksel midis autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar rreth Asociacionit të Komunave Serbe.
0 comments:
Post a Comment