Saturday, December 28, 2013

Zbogar: Për ulëset e rezervuara vendosin institucionet e Kosovës

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se Kosova ende nuk i ka ndërtuar kapacitetet e plota që të jetë krejtësisht pa mbështetjen e EULEX-it në fushën e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit. Sipas tij, ndonëse Kosova ndodhet në pozita të sigurta në rrugën e saj për në BE, duhet ta shtojë edhe më shumë përkushtimin në respektim të ligjit. Ai tha se për vendet e rezervuara për pakicat në Kuvend do të vendosin institucionet e Kosovës.

Vitin 2013 Zbogar e ka vlerësuar si një vit i mirë për Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian.
“Filluam vitin me Studimin e Fizibilitetit dhe më vonë vendet anëtare mbështetën fillimin e negociatave për MSA. Filluam negociatat në nëntor dhe tani ato pa vazhdojnë. Kemi shënuar progres në fushën e liberalizmit të vizave dhe mendoj se po shkojmë mirë drejt qëllimit final. Kosova pati zgjedhje të mira lokale dhe me këtë e dëshmoi ka vullnet dhe aftësi për të organizuar zgjedhje të mira. Po ashtu ka pasur progres në dialogun Kosovë - Serbi. Mendoj se po shohim zbatimin e dialogut, rezultatet e saj. Mendoj që krejt në fund, Kosova mund t’i gëzohet trendit të zhvillimeve”, ka thënë Zbogar, në një intervistë për Radio Kosovën.
Lidhur me çështjen funksionimit të sistemit gjyqësor në veri, Zbogar ka thënë se “çdo gjë të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës, brenda sistemit të Kosovës”.
Pavarëssisht deklaratave të liderëve të komunave në veri se nuk do t’i njohin institucionet e Kosovës, ai ka thënë se është optimist për të ardhmen ,” natyrisht që do të ketë disa pengesa, por vlerësoj që ne po ecim para”.
Duke folur për çështjen e ulëseve të rezervuara në Kuvend, Zbogar ka thënë se kjo është kompetencë e institucioneve kosovare.
“Duhet të behët dallim midis ulëseve të garantuara, të cilat do të vazhdojnë të jenë aty, dhe ulëseve të rezervuara, të cilat kishin një afat kohor, për dy mandate. Por, të kujtojmë se pse këto ulëse janë bërë! Ato janë propozuar nga Ahtisaari për të ndihmuar integrimin e serbëve. Kanë funksionuar mirë për serbët në pjesën jugore të Kosovës. E tani dikush mund të thotë që serbët e veriut nuk janë integruar në Kosovë, ata sapo kanë filluar dhe ndoshta është mirë që të vazhdohet me këto ulëse, në mënyrë që edhe serbët e veriut të ndihen të mirëseardhur. Personalisht mendoj që zgjatja e mandatit do të jetë një shenjë e mirëseardhjes së serbëve të veriut dhe kjo do të ndikojë që procesi i integrimit të jetë më i lehtë. Natyrisht ky është vendim i Kosovës, por besojmë se pala kosovare do të reflektojë mbi këto argumente”, tha ai.
Lidhur me mandatin e EULEX-it në Kosovë, Zbogar thotë se vendet anëtare të BE-së kanë filluar diskutimin për mandatin e EULEX-it, “ne kemi biseduar edhe me Qeverinë dhe e dimë cili është disponimi i vendit”
“Kosova dëshiron të këtë më shumë kompetenca në këtë proces dhe do t’i kemi parasysh këto gjëra gjatë bisedimeve për mandatin e EULEX-it. Por, ajo që mendoj është se ne duhet të pyesim: Cilat janë problemet me sundimin e ligjit në Kosovë, cila është mënyra më e mirë për ta ndihmuar Kosovën në këtë drejtim? Ka shumë gjasë që mund t’i bëjmë me projektet tona, apo bashkëpunimet tona dhe planifikojmë ta rrisim edhe më shumë këtë bashkëpunim në të ardhmen. Pastaj duhet të fillojmë të pyesim se a na nevojitet EULEX-i në të ardhmen, dhe ku janë ato fusha në të cilat Kosova mund të marr përgjegjësit? Ne jemi këtu vetëm për ta ndihmuar Kosovën, ta vendosim sundimin e ligjit, dhe ky është qëllimi i BE-së”.
Zbogar pret që para zgjedhjeve nacionale të kryhet reforma zgjedhore në Kosovë.
Ai i ka porositur qytetarët e Kosovës që në vitin 2014 të bëhen po aq aktivë dhe determinues sa kanëi qenë gjatë zgjedhjeve të fundit.“Institucioneve do t’u them të njëjtën gjë, sepse ato janë aty për qytetarët dhe ata do t’ju vlerësojnë, sidomos vitin tjetër kur do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme! Në përgjithësi, do t’ju thosha kosovarëve që të kenë më shumë vetëbesim dhe më shumë pozitivitet drejt së ardhmes, sepse kohërat më të rënda janë pas Kosovës. Nëse qytetarët e Kosovës, mendoj edhe serbët, do të bashkohen, sepse ju e keni fatin për të jetuar njëri me tjetrin, jeni të varur, dhe vetëm së bashku mund të ecni përpara. Duke pasur këtë në mend, ju duhet të reflektoni mbi dialogun dhe të ndërtoni një shtet funksional, si shumicë shqiptare, por duke bërë që edhe serbët të ndihen mirë në Kosovë. Mendoj që viti 2014 është vit i rëndësishëm në këtë reflektim, sepse integrimi i veriut dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do ta shndërroj Kosovën në një shtet pakthyeshëm. Ju dëshiroj kosovarëve të gjitha të mirat për Viti të Ri, shumë suksese dhe vazhdim të mirë të marrëdhënieve të mira që i kemi ndërtuar me Bashkimin Evropian!”, ka thënë Zbogar
.

0 comments:

Post a Comment