Real Madridi është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve,
përkundër humbjes që e pësoi sonte nga Galatasaray me rezultat 3:2, në
ndeshen e kthimit çerekfinale.
Goli i Cristiano Ronaldos, i realizuar në minutën e shtatë, ka qenë
shpëtimtar për ekipin madrilen, i cili më pas pësoi tre gola, por që e
eliminoi ekipin turk falë fitores që e kishte shënuar në ndeshjen e
parë, 3:0.
Gjiganti nga Stambolli ka qenë i frikshëm në pjesën e dytë duke
realizuar tri herë. Së pari shënoi mbrojtësi Eboue, në minutën e 57-të,
ndërsa më pas realizuan dy gola të shpejtë Wesley Sneijder (70’) e
Didier Drogba (72’).
Deri në fund, ata e kërkuan mrekullinë, që nënkuptonte shënimi i dy
golave tjerë, por nuk ia dolën. Ronaldo e shënoi golin e qetësisë në
fund. Sidoqoftë, djelmoshat e Fatih Terimit dolën nga fusha me kokën
lartë, edhe pse u eliminuan.
Në duelin tjetër dramatik, Borussia Dortmundi u kualifikua në
gjysmëfinale falë dy golave të shënuar nga Reus e Santana në minutat
shtesë të ndeshjes ndaj Malagas, që përfundoi 3:2.
Joaquin e ka shënuar golin e parë të mysafirëve në minutën e 25-të,
ndërsa Robert Lewandowski i barazoi shifrat në minutën e 40-të.
Kur të gjithë e prisnin një tjetër gol të ekipit verdh e zi, pas një
kundërsulmi të Malagas, Eliseu e shënoi golin e mysafirëve, 1:2. Por,
vendësit e bënë mrekullinë duke shënuar dy gola në minutat shtesë dhe
shkuan përpara. Ndeshja e parë kishte përfunduar, 0:0.