kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

Friday, February 7, 2014

Masë ndalimi prej 48 orësh për 31 të arrestuarit

Ilir Dedajt, Ylli Hoxhajt dhe 29 të arrestuarve të tjerë iu është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh.

Këtë e ka konfirmuar për Koha.net avokati Tomë Gashi, i cili ka thënë se ky vendim është krejtësisht i kundërligjshëm.

“Prokurorja Fikrije Fejzullahu, prokurore e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ua ka shqyrtuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Ky vendim është krejtësisht i kundërligjshëm dhe është keqpërdorim i drejtësisë”, ka thënë Gashi për Koha.net.

Ai ka thënë se aktiviteti i të arrestuarve, në veçanti i Ilir Dedës dhe Ylli Hoxhës, është i njohur, dhe ata nuk as nuk do të fshihen e as do të largohen nga Kosova.

Ndërkaq, prokuroja Fikrie Fejzullahu i ka thënë KTV-së se të ndaluarit dyshohet se kanë kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar me pasoja të rënda”.

Sipas saj, Prokuroria ka prova se të ndaluarit kanë kryer këtë vepër penale. Por prokurorja nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se cilat janë ato prova që ka prokuroria.

“Prokurori ka të drejtë t’i ndalojë personat derisa t’i sigurojë provat”, ka qenë përgjigja e prokurores Fejzullahu. Masë ndalimi prej 48 orësh për 31 të arrestuarit

Ukë Rugovës i gjenden qindra dokumente inkriminuese në shtëpi

Qindra dokumente, si fotografi personash të ndryshëm, kopje pasaportash, dëftesa vizash e zarfe me polica sigurimesh, janë gjetur në shtëpinë e Ukë Rugovës, të mërkurën. Prova të tjera të shumta që e lidhin atë me një grup kriminal janë prezantuar të enjten nga prokurori Allen Cansick, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

E ka bindur gjyqtaren Anna Adamska Gallant që t’ua caktojë masën e paraburgimit Ukë Rugovës, Izet Beqirit e Florjan Petanit.
Bashkëpunëtorëve të tij, Fitim Beqirit, Visar Beqirit, Asad Beqirajt, Edison Idrizajt, Hamza Beqirit, Driton Vocës u janë caktuar nga 30 ditë arrest shtëpiak, derisa Qefser Baholli është liruar të mbrohet në liri. Vendimi është marrë në orën 23 e 30 minuta të së enjtes pas një seance të gjatë që a nisur në orën 13, shkrua “Koha Ditore”.
Rugova është sjell në sallën e kinemasë, i mbuluar prej policëve të EULEX-it me qëllim që të mos fotografohej. Vetëm koka nga prapa i shihej. Flokët i ishin ngjitur për kokë gjatë gjumit që kishte bërë në qeli. Të paktën edhe 30 net të tjera do t’i kalojë aty.
Djali i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, pos krimit të organizuar, mashtrimit, ushtrim të ndikimit, keqpërdorim të pozitës zyrtare, dyshohet se ka kryer edhe veprën penale të kontrabandës me emigrantë.

Vataj: Isa Mustafa nuk është akademik

Deputeti i PDK-së, në Kuvendin e Kosovës, Ramë Vataj ka thënë se e ka dosjen e atyre që janë pjesë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës pa meritë. Për të, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk është akademik.Ai e ka një punim me tri faqe. Nuk mund të jetë pjesë e Akademisë. Janë avancuar njerëz që s’kanë vlerë as profesori, por janë pjesë e Akademisë. Unë kam fakte. Janë pranuar njerëzit në Akademi vetëm pse janë në LDK”, ka thënë Vataj në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, njerëzit e LDK-së prijnë më mashtrime akademike, dhe PDK-ja insiston që të verifikohen gradimet që prej fillimit të viteve 90.
Vataj ka kundërshtuar kërkesën e opozitës së bashkuar për shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi.
Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Lirie Kajtazi ka thënë se nuk do të hiqet dorë nga kjo kërkesë, raporton “Koha”.
Vataj është pyetur edhe për regjistrimin e djalit të tij në Mjekësi si shtetas i huaj (francez) jashtë kuotave.
Edhe pse ka pranuar se kjo është bërë me një vendim të Ministrit dhe pa provim pranues, ai ka thënë se është patriotike që dikush të kthehet nga Franca dhe të studiojë në Kosovë

Për dhunën ndaj studentëve, “fajtorë” edhe protestuesit?

Analistët kosovarë kanë theksuar për Telegrafin se dhuna e përdorur nga Policia e Kosovës ndaj studentëve protestues, ka qenë e tepruar. Sipas tyre, një situatë e tillë do të evitohej nëse rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, do të kishte dhënë dorëheqje.

Analisti Imer Mushkolaj tha se prania e Policisë së Kosovës ka shkaktuar tension dhe nervozizëm tek protestuesit. Sipas tij, Policia e Kosovës nuk do të duhej të ishte duke e mbrojtur Rektoratin e UP-së.
“Pse ka nevojë policia të mbrojë Rektoratin. Kënd po e mbron? Po e mbron rektorin i cili është dashur që moti të largohet nga pozita e tij, nëse jo për ndonjë arsye tjetër, të paktën për arsye morale. Nëse thirrjet akademike i ka fituar duke botuar punime shkencore nëpër revista të paqena, atëherë ai duhet të dorëhiqet, duke pranuar që t’i nënshtrohet komisioneve vlerësuese, por jo komisioneve të cilat vetë i ka formuar”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.
Bexhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, theksoi se protesta ka filluar në mënyrë të qetë, mirëpo sipas tij, rrjedha e protestës ka ndryshuar pas tentimit të studentëve që të hyjnë në brendi të Rektoratit, ku policia për t’i neutralizuar protestuesit ka filluar të përdor sprej.
Ai tha se sjelljet e protestuesve kanë ndikuar në përshkallëzimin e situatës.
“Unë mendoj se një pjesë e përgjegjësisë për situatën e krijuar bie edhe mbi protestuesit, të cilat i kanë tejkaluar kufijtë e një proteste paqësore. Nuk ka pasur asnjë nevojë të ndodh përplasja në mes Protestuesve dhe policisë. Konsideroj që studentët protestues do të duhej të protestonin sikurse herëve tjera”, ka thënë Shala për telegrafin.

 Qindra studentë dhe anëtarë të shoqërisë civile janë mbledhur të enjten para Rektoratit për të kërkuar dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi. Gjatë tentimit të studentëve për të hyrë në brendi të rektoratit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë përdorur sprej për t’i larguar ata, ku si për pasojë disa studentë janë detyruar ta marrin ndihmën mjekësore