Në shkolla të Skenderajt dhe Drenasit sot nuk është gjetur asnjë
mësimdhënës në vendin e tij të punës. Ata duke marrë me vete edhe një
numër të nxënësve të klasave më të larta ia kanë mësyrë Prishtinës, ku i
janë bashkuar protestës. Përveç rojave, askush nuk ka qenë në shkolla
për të dhënë një shpjegim nëse iu është dhënë urdhër apo kanë të drejtë
të lënë punën për pjesëmarrje në protestë. Në shkollën e mesme teknike
“Anton Çeta” në Skenderaj roja e shkollës ka thënë se paradite janë
mbajtur vetëm tri orë, ndërsa pasdite nuk ka pasur mësim fare.
Ekipi i KTV-së nuk gjeti asnjë punëtor në Komunën e Skënderajt,
sepse të gjithë u tha se dolën në protestë. Edhe në Drenas po
mbretëronte e njëjta atmosferë. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat
Mustafa, ka thënë se ende nuk ka marrë raporte nga drejtoritë komunale
për ndërprerje të mësimit në shkolla. Por, sipas tij, një gjë e tillë
është e papranueshme, ngase procesi mësimor nuk guxon të ndalet për
çfarëdo arsye qoftë pa vendim të ministrisë.











