Tuesday, December 31, 2013

Jahjaga: Duhet ta përmbyllim konfliktin me Serbinë

Prishtinë, 30 dhjetor - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se bisedimet me Serbinë hapën rrugën për të tejkaluar gjendjen e konfliktit të ngrirë në veriun e Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit të Zërit të Amerikës në Prishtinë, Besim Abazi, presidentja Jahjaga flet edhe për sfidat tjera të Kosovës, përfshirë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, Kosova po mbyll një vit që u karakterizua nga bisedimet me Serbinë dhe zgjedhjet e para lokale që u mbajtën në tërë Kosovën. Çfarë i sollën Kosovës këto dy procese?

Atifete Jahjaga: Kosova po e përmbyllë një vit dinamik në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të zhvillimit të saj. Angazhimi ynë i përbashkët këtë vit ishte të forcojmë më tutje subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në aspektin bilateral përmes njohjes së pavarësisë së saj, dhe aspektin multilateral, duke synuar anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe mekanizma ndërkombëtar. Një energji e madhe u kanalizua në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj të Serbisë dhe në arritjen e zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit që synon të rregullojë marrëdhëniet e komplikuara mes dy shteteve tona, që është pengesë e dukshme edhe në rrugën individuale të shteteve tona drejt anëtarësimit në BE, por edhe ushqen skepticizmin e disa shteteve ndaj Republikës së Kosovës. Këtë vit, ne po ashtu bëmë përparim sa i përket krijimit të kushteve për organizimin e zgjedhjeve të  para në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, zgjedhjeve lokale, përmes të cilave krijuam kushtet për integrimin e komunitetit serb në strukturat tona institucionale dhe shoqërore. Dhe përmes këtij procesi arritëm të ruajmë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial dhe arritëm të krijojmë kushtet për të hapur një dialog të mirëfilltë brenda Kosovës me komunitetin serb që jeton në katër komunat veriore të Kosovës duke ju ofruar mundësinë që të jenë pjesëmarrës në ndërtimin dhe forcimin e shtetësisë tonë. Duhet të jemi pragmatik. Beogradi, përmes strukturave ilegale në komunat veriore të Kosovës, ka mbajtur peng që një dekadë e gjysmë qytetarët serbë dhe zhvillimin në atë pjesë të vendit. Veprimet e Beogradit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm stabilitetit të Kosovës duke e mbajtur në gjendje tensioni.

0 comments:

Post a Comment