Thursday, December 26, 2013

Miliona për negociatorët në Bruksel

Dialogu teknik dhe politik me palën serbe në Bruksel i ka kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit. Përveç kritikave për dështimin në fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, negociatorët vendorë kritikohen se kanë shpenzuar pa hesap në këto bisedime.
Prej fillimit të dialogut politik dhe teknik mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, zyrtarët vendorë e kanë vizituar dhjetëra herë kryeqendrën evropiane, me ç’rast janë shpenzuar para të majme për aviobileta, hotele ekskluzive dhe mëditje.
Anëtarët e grupeve punuese, bashkë me “mega” stafin e tyre, përveç shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit, i kanë marrë edhe nga 100 euro në ditë për t’i mbuluar shpenzimet e ushqimit. Shpenzimet e tilla kanë filluar të ndodhin prej 8 marsit 2011, kur kanë nisur negociatat teknike me Serbinë.
Për këtë vit, Qeveria e Kosovës për të negociuar me Beogradin zyrtar në Bruksel ka ndarë rreth 800 mijë euro, përderisa më 18 maj të vitit 2011, dy muaj pas fillimit të bisedimeve, kishte ndarë 541 mijë euro.
Përkundër insistimit të gazetës “Zëri” që të sigurohen shifra të sakta të shpenzimeve nga fillimi i dialogut nga zyrtarët qeveritarë, një gjë e tillë ka qenë e pamundur, përpos faktit se me dy vendime Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 1.3 milionë euro për këto bisedime.
Ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, i cili ka qenë pjesë e grupit dialogues për çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit në Bruksel ka treguar se në këto takime përveç që janë mbuluar biletat e fluturimit të aeroplanit, nga buxheti i shtetit janë hequr shpenzimet për akomodimit dhe nga 100 euro për shpenzime ditore për secilin person.“Në kuadër të grupit tim punues që kam qenë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, pjesë e ekipit ka qenë edhe drejtori i Policisë Kufitare, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe stafi tjetër prej 3 vetash: një nga Zyra e Kryeministrit,një nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe një nga Zyra e zëvendëskryeministres Edita Tahiri”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk kanë marrë mjete shtesë për pjesëmarrje në takimet e grupeve punuese.

0 comments:

Post a Comment