Thursday, December 26, 2013

A po i bën Qeveria presion EULEX-it?

Politikanë dhe analistë kosovarë, përplasjet në mes të qeverisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), dhe tentativat e ekzekutivit kosovar për largimin e EULEX-it nga Kosova, i vlerësojnë në mënyra të ndryshme. Përderisa analisti Avni Zogiani thotë se ekzekutivi kosovar po i bën presion EULEX-it dhe nuk po kërkon largimin e tij nga Kosova, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Halit Krasniqi, mendon se EULEX-i po merret me tepër me çlirimtarët sesa me kriminelët.

Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin, theksoi se EULEX-i, me arrestimin dhe denigrimin e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po e humb respektin dhe besimin në mesin e qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, kjo po ndodh për shkak se Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit po lajthitet nga obligimet me të cilat është ngarkuar që t’i kryej ai në Kosovë.
“Sa i përket, ish pjesëtarëve të UÇK-së, ky mision po i dërgon në prokurori, shpesh herë pa arsye, duke mos e bërë të njëjtën edhe ndaj atyre që kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë - ndaj kriminelëve serbë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, Zogiani, nga organizata Çohu, në një prononcim për Telegrafin theksoi se përplasjet në mes EULEX-it dhe qeverisë së Kosovës, po bëhen qëllimisht nga ana e kësaj të fundit. Ai tha se ekzekutivi kosovar nuk po tenton që ta largojë EULEX-in nga Kosova, por që t’i bëj presion atij që të mbes sa më gjatë këtu.Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme se në rast se EULEX-i do të largohej nga Kosova, atëherë nuk do të kishin te kush ta hidhnin fajin për veprimet e serbëve në veri të Kosovës, siç kanë bërë deri më tani”, ka thënë ai për Telegrafin. Qeveria e Republikës së Kosovës deklarohet se po bën përpjekje që prej qershorit të vitit të ardhshëm, t’ia heq kompetencat ekzekutive EULEX-it, ndërsa kjo po i shqetëson zyrtarët e BE-së. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për përfundimin e këtij misioni dhe deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi, por edhe zyrtarëve tjerë të Qeverisë, sa herë që ka ndonjë ndjekje të EULEX-it për krime lufte, po vlerësohen si përpjekje të drejtpërdrejta të Qeverisë së Kosovës për ta hequr këtë mision.

0 comments:

Post a Comment