Liburn Aliu, katër ditë pasi ka marrë detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Prishtinë ju çon selam të gjithë atyre që shkelin ligjin se do të kenë punë me të. Ai premtoi se do të jetë gardiani interesave të çdo qytetari që e do Prishtinën.
Aliu thotë se Rexhep Lucit nuk do t’i ndërtojë përmendore në bronz, por një përmendore më të mirë, atë që ai ka synuar, “zbatimin e ligjit ndaj të gjithë shkelësve”.Rreth asaj se cilat janë te gjeturat në këtë Drejtori dhe si e filloi punën, Liburn Aliu thotë se ende është në hulumtim të të gjeturave duke marrë informacione.
Në pyetjen se a i kai porositur tashmë buldozerët dhe eksplozivin për gjithë ato rrënime që paralajmëron, ai thotë: “jo, jo... ende jo. Por do të shohim...”.
Mirëpo,Aliu garanton se shkelësit e ligjit, nëse janë edhe më të fortit në vend, do t’i luftojë deri në fund.
Aliu thotë se ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit në Kuvendin e Kosovës, për t’iu bashkuar qeverisjes së Shpend Ahmetit, kryetarit të ri të Prishtinës.
Në fillim te punës së tij thotë se ka kërkuar nga shefat e sektorëve dhe personeli një raport që ta sheh gjendjen reale.
“Aq sa kemi mundur të shohim në sy të parë na duhet plan për ndryshimet e para të nevojshme, sa i përket drejtorisë brenda përbrenda, që ka të bëjë së pari me komunikimin përbrenda personelit, përmes emailave zyrtare. Deri tash kjo paska munguar dhe komunikimi është bërë përmes emailave private.
Jemi në hulumtim të analizës së procedurës aktuale, të zinxhirit të trajtimit të lëndëve dhe mendojmë që edhe këtu ka nevojë të ndërhyhet, që koha e marrjes së përgjigjes nga pala të shkurtohet.
Diçka tjetër me rëndësi, është rregullimi i arkivit të dokumentacionit në mënyrë që ai të jetë lehtë i qasshëm, nga personeli por edhe nga publiku.Që secili të ketë qasje të lehtë në dokumentet zyrtare dhe të marrë përgjigje sa më shpejt”, thotë ai në intervistën për “Zëri”. Më tej ai thotë se ka lëndë apo objekte që kanë filluar të trajtohen sipas ligjit të vjetër e tash duhet ta bëjmë një prerje të qartë sepse prej tash të gjitha lëndët e reja do të fillojnë me Ligjin e ri të ndërtimit.
“Deri tash është punuar me ligjin e vjetër të Planifikimit Hapësinorë.
Tash është ndërprerë puna dhe me vendim të Ministrisë së Planifikimit hapësinor janë pezulluar punët në planet rregulluese, meqenëse me Ligj të ri nuk ka më plane rregulluese por harta zonale e plane te hollësishme, dhe trajtimi i pjesëve të qytetit që kanë qenë si pjesë të planeve rregulluese do të trajtohen në përputhje me Ligjin e ri por në këtë aspekt do të na duhet të presim disa muaj, deri sa të na vinë udhëzimet administrative nga Ministria e Planifikimit Hapësinor”, tha Aliu.
0 comments:
Post a Comment