Para se të largohem nga bota, po t’i jap fjalët dhe lotët
“Mos u zemëro!” - tha tri herë radhazi, ai që erdhi mëshirë për botët
“Në botë jam si kalorësi që pushon nën hijen e nje druri pak,
pastaj e braktis atë dhe ikën shpejt me vrap”
Shumë perëndime të diellit në jetë të vetmuar do të të gjejnë
Mos u pikëllo kur njerëzit të mirat me të keq do t’i kthejnë
Në botë jetojnë shpirtra që kuptojnë por nuk ndjejnë
Ata që të duan të vogël, kur je i madh të urrejnë.
Vetmia do zbresë në zemrën tënde, errësira do zbresë në sytë e tu
Do jesh i braktisur nga njerëzit edhe pse njerëzit do jenë këtu
Dikush do ta falë zemrën e vet por zemrën tënde ka për ta vrarë
Nga ndarjet e kësaj bote s’ka mbetur shpirt pa qarë
Edhe ti do të qash si fëmija që me vaj dëshiron t’i përmbush dëshirat
Deri sa të kuptosh se bota s’është Zot që mund të t’i japë gjithë të mirat.
Mos u dëshpëro nëse njerëzit të bëjnë të ndjehesh vetëm në këtë jetë
Mos harro se barku njerëzor bluan e tret gjëra më të forta se sa vetë
por kur mbetet fare bosh, veten nuk e bluan as s’e tret’.
Do të të plagosin mu në zemër ata që zemrën ua ke falë
Por ti do forcohesh se s’ka dhimbje që rrugën tek Pafundësia ta ndal
Nëse ata që ua tregove emrin, në emër të thërrasin
Edhe ata që ua tregove plagën, në plagë do të të godasin
Çdo plagë do të dëshmojë forcën tënde me të cilën ti do ngrihesh
Jeto si thesar që edhe kur zbulohesh, çmohesh njësoj, si kur fshihesh!
Nëse te uji të çon etja e te ushqimi uria
Mos harro se te vuajtjet të çojnë dëshira dhe dashuria
Por ti do të durosh se vuajtjet s’jetojnë për jetë të jetëve
Ata që duan mjaltin, durojnë pickimin e bletëve.
Atje ku të paditurit janë të lumtur, mençuria jote nuk do të vlejë
Pasuria e një shpirtit njerëzor matet me atë se sa mund të ndjejë
Nëse mendja s’e arrin lartësinë e ndjenjave
Kot do flasësh, kot do thërrasësh në drejtim të zemrave.
Para se të largohem nga bota, po t’i jap fjalët që i mësova në botë
Që fjalët të mos harrohen, po t’i perziej me lotë
Në shkretëtirat e jetës ku nuk del ujë, kurrë mos gërmo
Kur të përbuzin dhe dëbojnë, fal por kurrë mos harro
Përgjigja jote ndaj të pamendëve le të jetë veç heshtja
I mençuri në mesin e të pamendëve është i bukur dhe i trishtë si vjeshta
Nga ngjyrat e mëshirës hyjnore në fytyrë do të të pikturohet buzëqeshja
Do të dish të jetosh nëse mëson si të vdesësh
Të gjitha janë brenda teje, nga jashtë s’ke çfarë të presësh.
Tani më duhet të ik, mund të më përshëndesësh!
by. Fatmir Muja
-->