kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

kos-ovaa.blogspot.com

Go to Blogger

Tuesday, January 28, 2014

Ivanoviqit një muaj paraburgim, transferohet në Prishtinë

Kosova i harron në Shqipëri eksponatet e familjes Jashari

Rreth 25 mijë mësimdhënës do t’iu kthehen studimeve

Policia u kërkon studentëve zhbllokimin e Rektoratit

Prishtinë, 28 janar -  (E plotësuar)Nga vendi i ngjarjes, para Rektoratit të UP-së, raportohët se kanë filluar të arrijnë përforcime policore, që është shenjë se policia mund të ndërhyjë për zhbllokimin e tij.

 Prishtinë, 28 janar -  (E plotësuar) Dhjetëra studentë vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar Rektoratin e UP “Hasan Prishtina”, të vendosur aty që para orës tetë. Ata po kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.
Isa Hasani nga lëvizja “Studim, Kritikë, Veprim”, i ka thënë KTV-së se ata janë të vendosur me kërkesat e tyre që rektori Gashi të dorëhiqet, të nisë një hetim për stafin akademik të UP-së pas skandalit të fundit, si dhe politika të mos ndërhyjë në punën e universitetit nëpërmjet këshillit drejtues të UP-së.
Dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në hyrje të Rektoratit dhe kanë kërkuar nga studentët që të zhbllokojnë rrugën. Policia ka thënë se studentët nuk e kanë paralajmëruar protestën. Rektori Gashi nuk ka mundur të shkojë në vendin e tij të punës.Prishtinë, 28 janar - (E plotësuar) Policia, që ndodhet para objektit të Rektoratit të UP, të bllokuar që në mëngjes nga studentët, ka kërkuar prej tyre të lirojnë hyrjen e personelit nëpër zyra. Por, protestuesit thonë se do të presin orën 16, pa e sqaruar pse deri atëherë. Policia thotë se protesta nuk është e paralajmëruar, që këtyre u jep të drejtën e shpërndarjes së saj forcërisht. 
  08:31-Bllokohet Rektorati, studentët kërkojnë dorëheqjen e rektorit

Prishtinë, 28 janar – Punonjësit e Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina” s’kanë mundur sot të hyjnë zyrat e tyre. Rektoratin e kanë bllokuar studentët, të cilët me pankarta kërkojnë dorëheqjen e rektorit, këto ditë të përfolur jo vetëm nëpër medie për mungesë ose dyshime aftësish shkencore. Pankartat, por edhe brohoritjet e disa dhjetëra studentëve, të organizuar nga Organizata Studentore për Barazi SKV – “Studim, Kritikë, Veprim”, pastaj Klubi i Studentëve dhe Studentët e Ulqinit në UP kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi. “Ibrahim hup!”, shkruan në njërën nga pankartat, kurse në të tjerat “UPrish”, Rektor 0 (zero) punim shkencor”, “Jo këshill drejtues, autonomi”.

Ata vazhdojnë të mbajnë të bllokuar hyrjen në Rektorat.
Policia është aty, por nuk ka ndërhyrë.

Monday, January 27, 2014

Akuza për tenderin 10 milionësh të BE-së

Konzoricumi italiano-serb "Culligan Italiana S.p.A. & Lad Group Doo" nuk po arrin as me një vit vonesë ta përfundojë njërin nga projektet më të mëdha të Bashkimit Evropian(BE) në Kosovë për zgjerimin e fabrikës për trajtimin e ujërave në Shipol të Mitrovicës.
Për shkak të këtyre vonesave ka plasur edhe sherri mes konzorciumit fitues të tenderit në vlerë prej rreth 10 milionë euro dhe nënkontraktorit, përkatësisht kompanisë kroate “Zagorje Tehno Beton”(ZTB). Kjo e fundit po akuzohet se nuk i ka kryer punimet në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe është vonuar në ekzekutimin e punimeve.
Në anën tjetër, kompania kroate është ankuar se konzoricuimi italiano-serb i ka mbetur borxh prej hiç më pak se 633 mijë euro, pa e përfshirë këtu edhe mospagesën e TVSH-së. Gazeta “Zëri” muaj më parë kishte raportuar se kompania kroate ZTB ka fituar edhe një tjetër tender në vlerë prej 7 milionë euro nga BE për ndërtimin e shkollave dhe hallave sportive në komuna të ndryshme të Kosovës, përderisa ka ankesa për vonesë 20 mujore në përfundimin e punimeve dhe cilësi të ulët të punimeve.
Një vit vonesë në përfundim të punimeve
Konzorciumi italiano-serb në vitin 2011 kishte nisur punimet për zgjerimin e fabrikës për trajtimin e ujërave në Shipol të Mitrovicës, pasi ishte shpallur fituese e tenderit e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë në vlere prej 9,738,000 euro. Projekti që kishte për qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë për më shumë se 250 mijë banorë të regjionit të Mitrovicës, ku përfshihen edhe komuniteti serb, romë, boshnjak dhe turk, është dashur të përfundojë në janar të vitit 2013. Mirëpo, as me një vit vonesë, ky projekt nuk është finalizuar ende.
Millosh Markoviq, drejtor ekzekutiv i kompanisë nga Beogradi “Lad Group”, e cila bashkë me kompaninë italiane ka fituar këtë tender vite më parë, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se gjatë realizimit të projektit kanë dalë punë shtesë dhe vendosja e pajisjeve të reja,në marrëveshje me punëdhënësin(Komisionin Evropian).
Sipas tij, tashmë projekti është në fazën përfundimtare, ku të gjithë komponentët e procesit janë dorëzuar dhe madje edhe manuali udhëzues për operimin e uzinës dhe trajnimin e stafit vendor është zhvilluar dhe miratuar, ndërsa punimet përfundimtare për peizazhin, riparimin e rrugëve, etj, janë duke vazhduar paralelisht me testet për thatësinë dhe lagështinë e pajisjeve elektromekanike.
“Duke pasur parasysh se të gjitha procedurat dhe punët janë kryer nën mbikëqyrje dhe në përputhje me kontratën, nuk ka asnjë shqetësim në lidhje me qëllimin final të projektit dhe datën e fundit të realizimit, e planifikuar për në pranverë të vitit 2014”, ka sqaruar Markoviq.
Ai ka shtuar se projekti në fjalë është shumë kompleks dhe komunikimi me mbikëqyrësit, inxhinierët dhe punëdhënësit ka qenë gjithmonë në mirëbesim, për hir të realizimit të suksesshëm të projektit. “Kontraktori operon sipas standardeve më të larta në mënyrë që të plotësojë kërkesat strikte të Komisionit të BE-së”, shprehet ai.
Akuza mes kontraktorit dhe nënkontraktorit
Megjithatë, Markoviq konfirmon telashet me kompaninë kroate Zagorje Tehnobeton, e cila ka qenë e angazhuar si nënkontraktore në këtë projekt.
“Bashkëpunimi ynë me “Zagorje Tehnobeton”, si një nënkontraktor, për miratimin e punimeve civile, përfundoi në mes të vitit 2013, pasi që ky nënkontraktues nuk i ka plotësuar standardet e kërkuara të përcaktuara me kontratë dhe është vonuar në ekzekutimin e punimeve”, sqaron Markoviq.
Ai ka bërë të ditur se problemi kryesor për ndërprerje të kontratës ka qenë se rezervuarët e betonit, të cilat punime i ka realizuar nënkontraktori, nuk ishin rezistentë ndaj ujit për shkak të instalimit të pakujdesshëm të betonit.
“Nënkontraktori ka dështuar për të ekzekutuar një riparim cilësor të punëve në rrjedhjet e ujit.
Pas përfundimit të nënkontratës, ne kemi arritur me sukses për të kompensuar vonesat e ndërmjetme dhe riparimin e rrjedhjeve të shkaktuara nga “Tehnobeton”, me angazhimin shtesë të personelit të kontraktuesit. Deri në këtë moment,testimi përfundimtar i padepërtueshmërisë së ujit është në zhvillim e sipër si pjesë e testimeve”, ka nënvizuar ai.
Gazeta “Zëri” në lidhje me këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe zyrtarëve të kompanisë kroate “Zagorje TehnoBeton”, mirëpo ata nuk janë përgjigjur. Mirëpo, muajin e kaluar gazeta “Zëri” kur kishte raportuar për vonesat e kompanisë kroate në projektin për ndërtimin e shkollave dhe hallave sportive, zyrtarët e e Zagrorje Tehno Beton pavarësisht se nuk ishin përgjigjur për më shumë se dhjetë ditë në pyetjet e gazetës, kishin dërguar një reagim duke thënë se në Kosovë përmes investimeve dhe projekteve vetjake kanë investuar 8 milionë euro.
Në këtë reagim konfirmohej se kanë kryer punë ndërtimore në vlerë prej rreth 1.9 milionë euro në projektin e fabrikës së ujit në Shipol të Mitrovicës, përderisa, siç thuhej në reagim, punëkryerësi kryesor(konzorciumi italiano-serb) i ka mbetur borxh rreth 633 mijë euro, si dhe nuk i ka paguar shumën e plotë të TVSH-së, e cila në vlerë e përmendur të punëve të kryera është 302.456 euro. “Shpenzimet e përgjithshme bruto të këtij projekti për Zagorje Tehno Beton janë 3.1 milionë euro, kurse deri më tani punëkryerësi kryesor na ka paguar 1.450.000 euro”, bëhej e ditur mes tjerash në këtë reagim të ZTB.
Mirëpo, Markoviq thotë se drejtues të kompanisë ZTB nuk është pajtuar me vendimin për ndërprerje të kontratës, me ç’rast këtë çështje e adresuan në Gjykatë, e cila është deklaruar jo kompetente dhe anuloi procedurën ligjore.
“Deri më sot, ne nuk jemi informuar zyrtarisht nëse nënkontraktori ka iniciuar procedurën kontestimore para institucionit të autorizuar, ose dorëzuar një padi, duke pasur parasysh natyrën dhe madhësinë e punëve të papërfunduara dhe punët me defekte që duhet të riparohen, si dhe dëmet e vonesës dhe fakti që pjesa më e madhe e vlerës së kontraktuar, i është paguar nënkontraktorit, ne nuk presim një ankesë të tillë në të ardhmen”.
Fabrika e gatshme në gjysmën e dytë të 2014
Në anën tjetër, në përgjigjet e dërguara nga Zyra për informim e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, thuhet se në këtë kontratë janë
ballafaquar me disa vështirësi të paparashikuara gjatë implementimit si: Riparimi i rrjedhjeve në kanalin e ujit të “Iber Lepencit”, i cili gjithashtu shërben si ujë hyrës për fabrikën e ujit. Përveç kësaj, sipas Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, më kërkesë të përfituesit, që është Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica, janë bërë ndryshimet për të mundësuar më tepër një metodë më efikase të përpunimit të ujit që do të inkorporoheshin në një fazë më të vonshme.
Pavarësisht këtyre vonesave në projekt, financuesit e këtij projekti thonë se janë të kënaqshëm me punën e nënkotraktorit, ndërsa nuk komentojnë pse është angazhuar kompania kroate, e cila ka dështuar t’i kryejë me kohë punimet edhe në projektet tjera të financuara nga fondet evropiane.
“ Konsorciumi "Culligan Italiana S.p.A. & Lad Group Doo" është i vetmi partner kontraktual për KE, i cili mbetet tërësisht përgjegjës për projektin. Nuk i takon Zyrës së BE-së të komentoj për palët e treta, me të cilat ata kanë vendosur të punojnë”, ka deklauar zyrtarët e KE-së në Prishtinë.
Drejtuesit e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë kanë shtuar se fabrika e ujit është aktualisht funksionale dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, kapaciteti shtesë i fabrikës pritet të jetë i gatshëm në gjysmën e dytë të vitit 2014.
Drejtori i Ujësjellësit: S’ka arsye për vonesa
Faruk Hajrizi, drejtor i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal Mitrovica, ka konfirmuar për gazetën se kanë bërë kërkesë për punë shtesë në projekt, përkatësisht ndërtimin e Njësisë së Ozonit (O3) për luftimin e baktereve me ozon.
Sipas tij, ndërtimi i kësaj njësie nuk ka zgjatur më shumë se 15 ditë dhe ky sigurisht, siç ka thënë ai, nuk ka qenë arsye për t’u vonuar një vit lëshimi i fabrikës së re të ujit në Shipol.
“As puna tjetër, apo vështirësitë që kanë dalë gjatë implementimit të projektit, siç është riparimi i rrjedhjeve në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, që shërben si ujë hyrës për fabrikën e ujit nuk ka marrë shumë kohë për t’u vonuar një vit, pasi që është riparuar vetëm një pjesë e kanalit”, ka pohuar Hajrizi, duke potencuar se tani kur janë siguruar edhe pajisjet e nevojshme, afati i fundit për t’u lëshuar Fabrika për përpunimin e ujit në Shipol është 12 prilli i këtij viti.
Drejtori i Ujësjellësit të Mitrovicës sqaron se fabrika e Ujit në Shipol një vit do të mbikëqyret nga Komisioni Evropian,ndërsa pas një viti fabrika do t’i dorëzohet Kompanisë Ujësjellësi Rajonal Mitrovica.
“Fabrikën, e cila ka kapacitetin prej 700 litra në sekondë do ta pranojmë vetëm nëse është konform standardeve evropiane”, shprehet ai.
Tenderët milionësh të kompanisë kroate në Kosovë
Përndryshe, gazeta “Zëri” në dhjetor 2013 ka publikuar një tekst në dy vazhdime, ku jepeshin fakte se si fondi prej 7 milionë euro i Komisionit Evropian po keqpërdoret nga kompania kroate “Zagroje Tehnobeton”(ZTB).
Kjo e fundit në vitin 2010 kishte fituar tenderin për ndërtimin e shkollave dhe hallave sportive në komuna të ndryshme të Kosovës, pas zotimeve të ofruara për realizimin e punimeve sipas dinamikës së paraparë dhe cilësisë sipas standardeve evropiane.
Mirëpo, tre vjet pas përfitimit të njërit nga projektet më të mëdha evropiane në vend, as zotimi i parë e as i dyti nuk janë përmbushur nga kontraktori kroat, duke e nxjerrë kështu në pah keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e fondeve të taksapaguesve evropianë.
Nxënësit në këto rajone vazhdojnë të mësojnë nëpër “shkolla gërmadha”, të cilat nuk i plotësojnë as kushtet minimale për zhvillimin e procesit arsimor, derisa shkollat e reja vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, ndonëse për to shiriti ishte dashur të pritej para një viti e gjysmë.
Punimet e kryera në objektet e reja shkollore janë të një cilësie të ultë, ku në ditët me shi ato shndërrohen në “pishina”, pasi që uji depërton brenda.
Ish-drejtori i “Zagorje Tehnobeton”, Miroslav Buniq, ishte arrestuar muaj më parë nga autoritetet policore kroate në aferën HAC (autostradave kroate) nën dyshimin se ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratave fiktive.
Hetuesit pretendonin se kompanitë nënkontraktuese i kanë paguar rreth 4 milionë euro në llogari të një kompanie çeke, në mënyrë që HAC t’i angazhojë në kryerjen e punimeve dhe t’i privilegjojë në pagesën e borxheve.
Gazeta kroate “Jutarnji List” në edicionin e 13 nëntorit të 2013 shkruante se pas qëndrimit përreth një muaj në paraburgim, Buniq dhe pesë të dyshuar të tjerë në këtë aferë u liruan nga paraburgimi me vendim të Gjykatës së Qarkut në Zagreb.Ai më 14 nëntor 2013 ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i kompanisë “Zagorje Tehnobeton”.

Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Hondurasit (Foto)

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit presidencial të Presidentit të Republikës së Hondurasit, zotëri Juan Orlando Fernandez Alvarado.
Në ceremoninë e inaugurimit Presidencial, në kryeqytetin Tegucigalpa, morën pjesë presidentë dhe udhëheqës të shteteve të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe Jugore.
Presidentja Jahjaga gjatë qëndrimit në Honduras, gjatë ditës së djeshme, u takua me presidentin e zgjedhur Juan Orlando Fernandez Alvarado, kurse gjatë ditës së sotme do të takohet edhe me Presidentin e Panamasë dhe ministrin e jashtëm të El Salvador.

Kuvend, të enjten ratifikohen dy marrëveshje ndërkombëtare

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të mbajtur të hënën, ka vendosur që këtë të enjte të mbahet seanca e rregullt e Kuvendit, ku, pas shtrimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët në këtë seancë do të ratifikojnë edhe dy marrëveshje ndërkombëtare.

“Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua dhe financim ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut KOSST, për përmirësimin e rrjetit të transmisionit”, bën me dije Kryesia e Kuvendit përmes një komunikate për media.

Në të njëjtën seancë, Kryesia njofton se deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë shtatë projektligje të tjera: Projektligjin për shërbimin gjeologjik të Kosovës, Projektligjin për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, Projektligjin për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, Projektligjin për armë, si dhe Projektligjin për Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

EULEX kërkon paraburgimin e Ivanoviqit

Mitrovicë, 27 janar(E plotësuar)Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, ka bërë me dije se të hënën gjatë ditës, Oliver Ivanoviq është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, me marrëveshje paraprake në mes të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) dhe përfaqësuesit ligjor i Oliver Ivanoviqit.
“Prokurori pastaj ka zhvilluar një intervistë me Oliver Ivanoviqin, si i dyshuar në një hetim për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të rëndë të kryer pas konfliktit. Intervista ka përfunduar dhe prokurori ka ekzekutuar urdhrin për arrestim, dhe është duke kërkuar nga gjykata që të marrin në konsideratë kërkesën për paraburgim”, bën me dije EULEX përmes një njoftimi për media, raporton Koha.net.
Aktualisht, siç njofton EULEX, kërkesa për paraburgim i është paraqitur gjykatës “dhe kjo është e gjitha që mund të themi për momentin”.
SDP: Ivanoviq  s’është arrestuar, i është përgjigjur ftesës së EULEX-it

Mitrovicë, 27 janar – (E plotësuar) Nga selia e Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia’ (SDP) pohohet se lideri i saj, “Oliver Ivanoviq nuk është arrestuar, por  si një qytetar i përgjegjshëm i është përgjigjur ftesës së EULEX-it për të dhënë deklaratë”, thuhet në kumtesën  për medie, transmetojnë mediet e Beogradit.“Kjo ftesë absolutisht ka prapavijë politik e me qëllim të krijimit të baraspeshës me arrestimet nga radhët e shqiptarëve”, vazhdon komunikata, sipas të cilës kjo pa dyshim synon  edhe krijimin e frikës dhe  të destabilitetit në gjithë komunitetin serb në Mitrovicë.

Berisha kundër “Jugosllavisë së re” pasi dominohet nga serbët

sh-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur sot për herë të parë për një projekt që është përfolur shumë muajve të fundit, atë që quhet “Jugosllavia e Re”.

Në deklarimin e tij në faqen e tij të Facebook, Berisha ka kujtuar se si vitin e kaluar në disa takime rajonale është diskutuar për krijimin e një nisme të re që përfshin 6 vendet e Ballkanit Perëndimor; Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Kjo nismë, sipas Berishës, është iniciuar nga Mali i Zi dhe mbështetur fuqimisht nga komisioneri Stefan Fule, ndërkaq nisma ka institucionet e veta si Asamblenë Parlamentare dhe ekzekutivin (sekretariatin) e vet etj., etj., dhe synon lehtësimin e integrimit evropian të këtyre vendeve.

“Në Beograd nisma është pritur me ngazëllim dhe rëndom në qarqe politike, media, shoqëri civile flitet me nostalgji nga neo-jugosllavet për krijimin e Jugosllavisë së re. Nuk më duket se është rasti për një Jugosllavi të re por në të vërtet të gjitha rrugët e nismës të çojnë në Beograd. Ne, para zgjedhjeve, dhe Kosova, e kemi kundërshtuar këtë nismë e cila de fakto ka për kryeqendër të saj Beogradin dhe përjashton Kroacinë dhe Slloveninë”, ka thënë Berisha, transmeton Koha.net. Ai mendon se kjo nismë do të zgjonte demonët e nacionalizmave. “Mirëpo ajo është pëlqyer nga vendet e tjera, të cilat për arsye të ndryshme duan të ndjehen më afër “Little big brother-it” të tyre. Pas zgjedhjeve, “kodi i heshtjes” ka mbuluar qëndrimin e qeverisë shqiptare si për çështje të tjera edhe për këtë çështje”.

“Problemi bëhet shqetësues sepse pas anulimit të papritur, mbasi ishte nisur, të vizitës së Ramës nga Beogradi, burime diplomatike njoftojnë se nisma do jetë në axhendën e diskutimeve Rama - Daçiç në shkurt, në Beograd. Gadishulli ynë mund të stabilizohet vetëm si rajon i shteteve të barabarta dhe jo nëpërmjet dominancës serbe, e cila është provuar tashmë si një nga eksperimentet më tragjike për vendet e tij. Vendet tona kanë nevojë të kenë si kryeqytet të dytë Brukselin dhe jo Beogradin. Nisma e Ballkanit Perëndimor 6 është thjesht nonstarter”, ka theksuar Berisha në postimin e tij në Facebook.

Thaçi: Shpresojmë të kemi takim konstruktiv

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shfaqur shpresën se takimi i tij i sotëm me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, do të jetë “konstruktiv”.Duke folur para gazetarëve sot në Bruksel, Thaçi ka theksuar se “shpresojmë se do të kemi një takim që do të rezultojë me të arritura konkrete, në veçanti në fushën e funksionalizimit të sistemit të drejtësisë”, raporton REL.
Më tutje ai ka theksuar se do të vazhdoj diskutimi për hapat e mëtejshëm të impelementimit të të gjitha marrëveshjeve, “që i kemi arritur deri më tani në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se “tash, çështjet janë më të lehta, pas funksionalizimit të katër Kuvendeve Komunale edhe në veri dhe zgjedhjes së tre kryetarëve atje, ndërsa më 23 shkurt do të zgjedhet edhe kryetari i ri në veri të Mitrovicës”.
Aktualisht në Bruksel, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, po takohet me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ndërsa pas tij në radhë është takimi Ashton – Thaçi, e pastaj fillon takimi tripalësh, Ashton – Thaçi – Daçiq.
Nisin takimet në Bruksel

Bruksel, 27 janar - Në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, aty kah ora 18-të, ka filluar takimi ndërmjet përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Pas bisedimeve me Daçiqin, Ashton do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, e pastaj pritet edhe takimi i përbashkët, ka njoftuar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Ashton, raporton REL.

Ndërkaq Ashton, para takimit ka deklaruar se palët do të vazhdojnë bisedimet për zbatim të marrëveshjes së prillit.

“Takimi mbahet pas konstituimit të suksesshëm të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe palët do të vazhdojnë bisedimet për zbatimin e marrëveshjes së arritur në prill të vitit të kaluar, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Ashton në prag të takimit të sotëm, transmeton DW.

E Kryeministri i Serbisë, Daçiq, thotë se në këtë moment nuk ka elemente të mjaftueshme për një marrëveshje të re dhe se në vazhdim do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.

“Duhet të përfundojmë bisedimet për aspektet juridike dhe statutin e bashkësisë së komunave serbe. Ka dhe çështje të tjera për të cilat ekziston marrëveshje parimi dhe të cilat presin zbatimin: si energjia, telekomi etj. Por ka dhe tema të tjera që duhet të hapen, si pasuria dhe pronat, pozita e Kishës Ortodokse Serbe dhe trashëgimia kulturore. Në rend dite do të jetë edhe çështja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe kushtet për pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje. Të gjitha këto tema duhet të hapen në takimet e radhës”, thotë Daçiq.Ky është takimi i 21-të i deritashëm i të dy kryeministrave, ndërsa i pari këtë vit, në të cilin pritet të diskutohet për aspekte të implementimit të marrëveshjes nga prilli i vitit të kaluar.