Thursday, January 2, 2014

2014 – vit i zgjedhjeve në Maqedoni

 Në Maqedoni gjatë këtij viti do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, ndërsa debatet politike janë ndezur edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet e rregullta presidenciale do të mbahen gjatë muajit mars të këtij viti, kur edhe skadon mandati pesëvjeçar i presidentit të deritanishëm Gjorgje Ivanov. Partitë politike po zhvillojnë debatet e brendshme politike për kandidaturat presidenciale. Deri tani asnjë nga partitë politike nuk ka bërë publike emrin e kandidatit presidencial, edhe pse kanë mbetur edhe pak muaj para zgjedhjeve.
Sipas INA-s, e cituar nga Time.al, partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE akoma nuk ka zbardhur emrin e kandidatit të mundshëm për president, ndërsa janë pak gjasat për rikandidimin e presidentit aktual Gjorgje Ivanov për një mandat të dytë. Kjo parti akoma nuk ka dhënë ndonjë kandidaturë serioze.
Edhe partia opozitare LSDM nuk ka finalizuar emrin e kandidatit, derisa në garën për të fituar nominimin brenda opozitës maqedonase kanë qenë disa kandidatura, që janë matur përmes një sondazhi brendapartiak. Në mesin e kandidatëve më të preferuar dhe votuar është Stevo Pendarovski, profesor universitar dhe ish-këshilltar i lartë i presidentit Boris Trajkovski dhe më pas Branko Cërvenkovski. Në garë është edhe Denko Maleski, ish-ministri i jashtëm dhe profesor universitar, i cili është i njohur edhe për origjinën e tij shqiptare.
Nga partitë shqiptare deri tani nuk ka asnjë kandidatë të shpallur. BDI përmes liderit të saj ka kërkuar që të zgjedhjet një kandidat koncensual mes partive shqiptare dhe maqedonase, duke qenë një figurë e njohur dhe e pranueshme për të dyja komunitetet më të mëdha. Ahmeti nuk ka bërë të ditur se kush mund të jetë një kandidat koncensual që do të garojë për të fituar votën e maqedonasve dhe shqiptarëve.
Në PDSH gjithashtu nuk bëjnë të ditur për emrin e kandidatit, derisa kjo parti jozyrtarisht ka disa kandidatura në radhët e kreut partiak dhe profesorëve universitar që po shqyrton si opsion për të garuar në zgjedhjet presidenciale. Me kandidatin e saj, kjo parti synon që të peshojë votën e saj në radhët e elektoratit shqiptar.
RDK një parti e tretë pritet që të mos nxjerrë ndonjë emër për kandidat presidencial, mirëpo kjo parti ka kërkuar që partitë shqiptare të nxjerrin një kandidat të përbashkët në garën presidenciale.
Në kuadër të debateve politike janë aktuale edhe ato për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski theksoi se nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme, por sipas tij, në rast se dikush i dëshiron ato, partia që drejton ai do t`i hyjë kësaj gare.
Por nga ana tjetër, LSDM ka nënvizuar gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme, por duke kërkuar kushtet për pastrimin dhe verifikimin e listave të votuesve, për shkak të dyshimeve për falsifikimin dhe manipulimin e zgjedhjeve. Partitë shqiptare deri tani janë të rezervuara për zgjedhje të parakohshme, mirëpo në anën tjetër ato po vazhdojnë fushatën brenda anëtarësisë së saj për përgaditjet për këto zgjedhje të mundshme

0 comments:

Post a Comment