Sunday, December 29, 2013

Barrierat në të cilat hasin femrat në Kosovë

Gratë në Kosovë përballen me barriera nga më të ndryshmet, duke filluar nga dhuna fizike, e deri te pozita jo e kënaqshme në vendimmarrje, si në nivelin qendror, po ashtu edhe atë lokal, thonë përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave. Barrierat në këtë fushë, sipas tyre, burojnë nga mentaliteti patriarkal.
Sfidë në ngecjen edhe gjatë këtij viti, përmendet moszbatimi i ligjeve për këtë çështje, të miratuara vite më parë në Kuvendin e Kosovës.
Viti 2013 ka sjellë disa përparime, por ka pasur shumë sfida në përparimin dhe ngritjen e pozitës së gruas, konsideron Arieta Rexhaj, nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore
Rexhaj thotë se që nga krijimi i institucioneve të Kosovës, janë miratuar shumë ligje që kanë të bëjnë me barazi gjinore, por që nuk zbatohen, e shqetësim, sipas saj, mbetet se nuk ka mekanizma që monitorojnë këto shkelje.
“Duke filluar nga aspekti shoqëror, social, kulturor e deri te pozitat vendimmarrëse, me të cilat jemi përballur gjatë gjithë kohës, me atë pak numër të grave që kemi në pozita vendimmarrëse. Kjo, ngase fuqizimi i gruas në politikë, ose në pozitat vendimmarrëse, është parakusht për fuqizimin e gruas në të gjitha sferat e jetës”, thotë Rexhaj.
Sidoqoftë, në Kosovë, ekziston Ligji për barazi gjinore, ligj ky i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse, por ato thonë se ky ligj nuk zbatohet ashtu siç parashihet.
Në pozita vendimmarrëse në Kosovë është presidentja, një zëvendëskryeministre, një ministre dhe tashmë së fundmi një kryetare komune.
Luljeta Vuniqi, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, përveç se nuk është e kënaqur me pozitën e grave në vendimmarrje në nivel qendror, ajo konsideron se zhgënjim i radhës kanë qenë zgjedhjet komunale ku një numër i vogël i grave janë kandiduar nga partitë politike.
“E qartë është se ne duhet të kemi vetëm një kryetar-e, mirëpo mund të kemi më shumë ministre, kryetare të komunave. Faktikisht, zhgënjim i radhës ka qenë në zgjedhjet e kaluara lokale, ku vetëm një numër i vogël i grave u kandiduan nga partitë politike. Dhe, si rezultat, kemi një kryetare të komunës”.
“Gjithsesi, është e rëndësishme që të kemi një kryetare e komunës dhe të thyhet ajo barriera që ka mundësi që gratë të jenë udhëheqëse në nivel komunal”, thekson Vuniqi.
Por, Arieta Rexhaj thotë se pozita e gruas është në nivel të duhur vetëm ku ekzistojnë kuotat e obligueshme, siç është kuota prej 30 për qind të grave në Kuvendin e Kosovës.
Kurse, në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, thotë ajo, nuk plotësohet 40 përqindëshi ashtu siç kërkohet me ligj.
“Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore do të vazhdojë edhe në vitin 2014, që të punojë konkretisht në rritjen dhe avancimin e barazisë gjinore, në zbatimin e ligjit për barazi gjinore që të kemi gra, jo vetëm të mbështetura në kuota, siç është kuota e 30 për qindëshit, por të kemi kuotën dhe kualitetin në të gjitha institucionet dhe instancat e Qeverisë së Kosovës”, shprehet Rexhaj.
Përveç moszbatimit të ligjeve, Luljeta Vuniqi përmend disa probleme që rëndojnë jetën e të qenët femër në Kosovë.
“Vazhdon dhuna ndaj gruas, vazhdon të jetë çështje dhe sfidë shumë e madhe. Heqja dorë nga trashëgimia e vetë grave, si rezultat i normës tradicionale, ku trashëgimtarë janë vetëm djemtë në familje".
"Gjithashtu, një sfidë shumë e madhe në nivel vendi, është niveli i lartë i papunësisë. Gratë janë më të papuna dhe të më të paarsimuara në Kosovë. Vazhdon ky trend negativ që shumëfish e rëndon jetën e grave dhe vajzave të reja në Kosovë”, shton Vuniqi.
Dramatike sa i përket dhunës në familje, sipas Arjeta Rexhaj, janë rastet e humbjes së jetës së grave nga dhuna që është ushtruar nga bashkëshortët e tyre

0 comments:

Post a Comment