Friday, January 3, 2014

Universitetet e reja publike, në mungesë të stafit akademik

Janë themeluar në vitin 2013, por ende nuk janë plotësuar. Tri universitetet e reja publike në Gjakovë, Gjilan dhe Mitrovicë, funksionojnë me ushtrues detyre dhe ende nuk e kanë të plotësuar numrin për staf akademik.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, shpreson që me këtë strukturë të tanishme nuk do të ndodhë ndonjë parregullsi.
Buja deklaron për KTV-në se në vitin 2014 do të bëhen zgjedhjet për stafin akademik, e po ashtu këto universitete do t’i kenë përfaqësuesit e vet.
Hapja e tri universiteteve të reja publike, në Gjakovë, Gjilan e Mitrovicë u quajt hap i ngutshëm edhe nga njohësit e arsimit.
Ata patën deklaruar se nuk janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të pasur më shumë universitete dhe funksionimi i tyre mund të mos jetë i kënaqshëm.
Për t’iu dhënë hapat e parë këtyre institucioneve, në ndihmë doli edhe Universiteti i Prishtinës, duke i shpërndarë profesorët edhe nëpër këto universitete, në mënyrë që studentët të mos mbesin pa ligjërata, por edhe kjo e fundit mbeti keq.
Përkundër kësaj, ministri i Arsimit, Ramë Buja, është deklaruar se pret që deri sa të zgjidhen personat e duhur për udhëheqjen e tyre, sistemi akademik të ketë vijueshmëri cilësore.

0 comments:

Post a Comment