Wednesday, May 22, 2013

PDK, VV dhe AAK: Jemi OK me financat

Përderisa Auditori i Përgjithshëm vlerëson se po mbetet mister financimi i partive politike në Kosovë, një gjë e tillë mohohet nga drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë e pamundur të kontaktohen. PDK, VV dhe AAK, thonë se respektojnë Ligjin mbi financat dhe duke qenë mjaft të hapur të tregojnë financimet.


Gjatë ditës së djeshme është mbajtur një tryezë e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, është thënë se po mbetet mister financimi i partive politike.
Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se partia e tij gjithmonë ka qenë e hapur, kur është bërë fjalë për financat e partisë.
“Partia Demokratike gjithmonë I ka bërë publike financat. Ligj është shumë i qartë e obligon çdo subjekt politik. Financimi i partive politike është shumë i qartë nuk ka kurrfarë paqartësie është buxheti i Republikës së Kosovës që u ndahet çdo subjekti politik në proporcion me numrin e ulëseve në parlament. Prandaj kjo është shumë e qartë për ju dhe për çdo qytetar nëse donë të vërtet saktësinë e financimit të partive politike”, ka deklaruar Grabovci, transmeton KP.
Ndërkohë për fushata, ai ka thënë se është shumë normale si çdo kund në botën demokratike donacionet janë të rregulluara dhe të precizuara shumë qartë me Ligjin mbi financimin e partive politike.
Madje ai thotë se të gjithë ata që konsiderojnë se nuk është respektuar ligjin, mund të kërkojnë përgjegjësi nga secili subjekt, por edhe të flitet në mënyrë të përgjithësuar.
Kosovapress ika tentuar të marr përgjigje lidhur me këtë çështje edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, por ka qenë e pamundur.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se janë shumë transparent kur bëhet fjalë për financimet e partive.
“Jemi i vetmi subjekt politik në Kosovë i kemi publike të gjitha raportet financiare në vebfaqen zyrtare të subjektit tonë. Po ashtu edhe një raport që e ka bërë BIRN lidhur me financimin e subjekteve politike kemi qenë vetëm ne që i kemi ofruar të gjitha regjistrat financiare dhe në të njëjtën kohë i kemi ofruar çdo gjë që është kërkuar nga ne. Poashtu mbi 80 për qind të shpenzimeve i kemi përmes sistemit bankar. Me shumë përgjegjësi mund të themi që jemi shembulli më i mirë dhe i pa krahasueshëm me të tjerët sa i përket transparencës financiare”, është shprehur Molliqaj.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se nuk mund të thuhet se ka mister tek financat e partive, kur të gjitha raportet dërgohen në KQZ.
“Nuk e di pse shkohet deri në vlerësime të tilla mister. Secila parti politike, unë mund të flas për aleancën e ka obligimin e vet në KQZ, ne i kemi dërguar raportet e rregullta në KQZ dhe ato raport janë publike nuk kemi fare të bëjmë me një formë të misterit. Sidoqoftë aleanca ka financa modeste, në shumë raste ka pasur probleme edhe të administrimit të degëve dhe strukturës së vet të financave”, ka theksuar Ramadani.
Ai më tej thotë se financat hynë në punë më së shumti gjatë fushatave dhe kjo mund të shihet tek disa parti sa kanë reklama televizive, sa kanë reklama nëpër billborde dhe nëpër gazeta.
Është formë ligjore shpenzimi dhe ajo është 50 cent për votues në total për secilën parti. Sipas Ramadani AAK-ja në disa fushata asnjëherë nuk e ka arritur atë, duke pas shpenzime shumë më të vogla.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme është mbajtur një tryezë e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën “Financimi i Partive Politike: Sfidat në transparencën dhe llogaridhënien”.
Në këtë tryezë Drejtori i Auditorit të Përgjithshëm, Lars Lage Olofson, ka theksuar se Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve e ka për detyrë të monitoroi dhe kontrolloi partitë politike në transparencën dhe llogaridhënien financiare të tyre.

0 comments:

Post a Comment