Thursday, May 23, 2013

Duhet të falim, por jo të harrojmë

Analistët në vend vlerësojnë për Telegrafin se krimet e luftës në Kosovë assesi nuk duhet të harrohen. Sipas tyre, satisfaksioni më i madh për familjet e viktimave të luftës, është vënia në vend e drejtësisë, si mundësi për pajtim në mes të dy popujve. 


Analisti Bexhet Shala ka deklaruar se shumë pak njerëz janë dënuar për krime të cilat kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Sipas tij, gjykimi apo dënimi ma shumë merret si masë parandaluese që ky krim mos të përsëritet në të ardhmen sesa si masë e cila mund të shërojë plagët e dikujt.
“Në Kosovë ma shumë po punohet në krijimin e një klime politike të pajtimit në mes popujve, sesa në krijimin e një klime të pajtimit të vullnetshëm dhe të sinqertë. Mirëpo, pashmangshëm do të vijë dita kur do të ndodhë pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve. Se a do të vijë shpejt apo do të vonohet pajtimi mes dy popujve të cilat janë fqinj dhe kanë qytetarë të tyre në shtetin fqinj, nuk mund të thuhet saktë”, tha ai për Telegrafin.
Shala ka theksuar se e kaluara nuk mund të harrohet dhe nuk mund të fshihet me asnjë masë, duke shtuar se nuk ka masë që mund ta detyroj dikën ta harrojë të kaluarën.
“Nuk kërkohet të harrohet e kaluara, mirëpo e kaluara nuk duhet të bëhet shkak që të mos ndërtohet e ardhmja. Njeriu nuk bën gjithmonë të merret me të kaluarën, por duhet të kërkojë që të sqarohet ajo. Dhe, mënyra më e mirë për sqarimin e të kaluarës është ballafaqimi me të”, shprehet ai për Telegrafin.
Drejtori ekzekutiv i KLMDNJ-së, ka theksuar se nëse dëshirohet që të arrihet pajtimi mes popullit shqiptar dhe atij serb, duhet të dihet se kush kanë qenë ata të cilët kanë kryer krime, e kush ka qenë viktimë.
Ai tha se nëse harrohet e kaluara atëherë nuk mund të ndërtohet as e ardhmja, duke theksuar se e kaluara nëse harrohet mund të përsëritet.
“Është gabim i madh nëse bëhet përpjekje që pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve të ndërtohet mbi bazën e detyrimit të harrimit të së kaluarës. Pajtimi duhet te ndodhë mbi bazën e së kaluarës dhe një vlerësimi real të saj dhe caktimit të përgjegjësisë të të gjitha palëve në luftë”, ka deklarua Shala.
Në anën tjetër, Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Huminatare (FDH), ka deklaruar se prej janarit 1998 e deri në vitin 2000 Fondi i ka evidentuar dhe dokumentar 13400 persona të vrarë dhe të zhdukur, duke shtuar se shumica prej tyre - 10500 persona - janë shqiptarë.
“Viktimat tjera i takojnë komunitet serb dhe komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë. Nëse i marrin të dhënat në bazë të statusit të viktimave, respektivisht të vrarëve apo të zhdukurve, del se pjesa dërmuese janë civilë”, tha ai për Telegrafin.
Blakaj ka vlerësuar se këto shifra tregojnë se plagët e luftës janë të mëdha, por edhe të freskëta. Fondi në Kosovë, sipas tij, i ka evidentuar vetëm 16 raste për krime lufte të cilat kanë marrë verdiktin prej gjykatave për veprat që i kanë bërë.
Ai vlerëson se në Kosovë, për fat të keq, 99 për qind e familjeve të viktimave të luftës, nuk e kanë realizuar asnjërën prej këtyre kushteve.
“Në shumë raste familjarët nuk e dinë si janë vrarë të afërmit e tyre, në çfarë rrethana dhe kush i ka vrarë ata”, ka deklaruar Blakaj.
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, para disa ditësh - në Akademinë e Shkencave në Tiranë – katërmbëdhjetë vite pasi ka përfunduar lufta, ka publikuar shifra të cilat flasin për pasojat e këtij konflikti.
Nga ky publikim del se në periudhën janar 1998 - 12 qershor 1999, janë vrarë 11.840 persona nga Kosova, prej tyre 1.392 fëmijë deri në 18 vjeçe; 296 fëmijë deri në pesë vjeçe; 1739 femra; 1882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare; 1450 banorë ende janë të pagjetur; ndërsa janë dhunuar 20.400 femra shqiptare. /B. Devolli -->

0 comments:

Post a Comment