Friday, May 24, 2013

PDK-së po i ikin “djemtë urbanë”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në vitin 2010 ishte “freskuar” me prurje nga të gjitha fushat, ndër ta edhe njerëz të mediave. Me ardhjen e tyre në PDK, ata u akomoduan në pozita të rëndësishme qeveritare. Berat Buzhala, Ilir Mirena dhe Petrit Selimi, u vlerësua se sollën një frymë të re dhe urbane në partinë e cila identifikoj kryesisht me krahun e luftës.


Mirena, i cili kishte ushtruar pozitën e zëvendësministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), para disa ditësh ka dhënë dorëheqje nga ky post. Pritet që shumë shpejt edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Berat Buzhala, t’i japë fund "dashurisë" me PDK-në që kishte filluar në vitin 2010, duke u bazuar në kritikat e vazhdueshme që po i bën në drejtim bashkapartiakëve të tij.
Në anën tjetër, këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Dukagjin Gorani, të premten ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij. Vendimin për t'u larguar nga kjo pozitë që e ka mbajtur që nga viti 2007, Gorani ia ka bërë të ditur shefit të Qeverisë, Hashim Thaçi.
Ndërsa, Petrit Selimi, i cili aktualisht e ushtron pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme (MPJ), ka deklaruar që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), “brenda saj ka diversitet dhe respektim të mendimit ndryshme”.
Sa i përket largimit të Ilir Mirenës dhe Dukagjin Goranit nga Qeveria e Kosovës, Selimi ka theksuar se secili njeri i ka caqet e veta në kuadër te punës dhe profesionit të cilin e zhvillon.
“Nuk e di arsyet pse ata kanë dhënë dorëheqje prej pozitave që i kanë mbajtur në Qeveri. Secili prej nesh, për disa aspekte se si zhvillohet jeta në Kosovë, ka vërejtje dhe kritika. Në biseda private nuk kam marrë ndonjë indikacion se Ilir Mirena do të japë dorëheqje. Thjesht nuk kemi biseduar për këtë çështje”, tha ai për Telegrafin.
Selimi shprehet se është i kënaqur me mënyrën se si po punohet në sektorin të cilin ai është i angazhuar, si zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), dhe nuk ka ndërmend të largohet nga kjo pozitë.

0 comments:

Post a Comment