Gjykata Federale ka vendosur se mohimi i lejes së përhershme të qëndrimit për 41 vjeçarin C., nga Kosova, që e kanë shqiptuar autoritetet e Solothurnit, është veprim i drejtë. Gjykata ka arritur në përfundimin se C. kishte lidhur martesë fiktive, kështu që leja e tij e qëndrimit ishte bërë me mashtrim. Nisur nga kjo gjendje, ai bashkë me gruan dhe fëmijët duhet të braktisë Zvicrën.
Siç raporton gjerësisht portali në gjuhën shqipe, Albinfo.ch, dy kërkesat e tij për azil, të bëra në vitin 1992 dhe 1997, ishin hedhur poshtë. Edhe kërkesa e tretë ishte gati të merrte përgjigje negative. Për këtë arsye, kosovari mori masa: në vitin 1999 ai u martua me një grua 17 vjet më të vjetër se ai, një shtetase zvicerane, e ardhur nga Tajlanda. Në bazë të kësaj martese ai e mori lejen e përhershme të qëndrimit (vizën C) në vitin 2005.
Në nëntor të të njëjtit vit ai u nda nga gruaja e parë, ndërsa në qershor të vitit 2006 e bëri edhe shkurorëzimin. Vetëm një muaj pas kësaj ai u martua në vendlindjen e tij me një kosovare dhe pas tre muajsh e bëri kërkesën për bashkimin familjar me gruan dhe dy fëmijët e saj, tre dhe katërvjeçar.
Fëmijët, sipas deklarimit në Zyrën për Migracion, ishin nga lidhjet jashtëmartesore të gruas dhe nga etër të ndryshëm, të panjohur. Kjo i bëri autoritetet zvicerane të dyshonin se C. kishte pasur lidhje me gruan e tashme edhe gjatë kohës sa ishte i martuar me gruan e parë dhe se ai, në fakt, duhej të ishte babai i dy fëmijëve.
Në vitin 2007 lindi edhe fëmija i tretë, me ç`rast gruaja dhe tre fëmijët morën një vizë për qëndrim tremujor në Zvicër. Viza u ishte lejuar, pasi që gruaja kishte pranuar t`i nënshtrohej analizës së ADN-së. Pas ardhjes në Zvicër, në korrik 2007, ajo sërish refuzonte të jepte provat e gjakut për analizë. Në të njëjtën kohë ajo shtroi një kërkesë për leje qëndrimi në Zvicër deri në përfundimin e procedurës.
Pas një periudhe të gjatë të procedurës, autoritetet e Solothurnit reaguan përfundimisht në shkurt të vitit 2012: Departamenti i Punëve të Brendshme ia anuloi bashkëshortit vizën C dhe refuzoi të pranonte kërkesën për bashkim familjar të gruas me fëmijët. Pasi që familja C. bëri një ankesë në Gjykatën Administrative në Solothurn dhe kjo e fundit ia hodhi poshtë, C. në tetor të po atij viti u ankua edhe në Gjykatën Federale.
Kjo gjykatë, në vendimin e saj, veç tjerash shkruan: “Ushtruesi i ankesës ka mashtruar autoritetet zvicerane të zyrës për migracion duke lidhur martesë fiktive, në mënyrë që të fitonte lejen e qëndrimit të përkohshëm (B) dhe mandej edhe atë C. Ai po ashtu ka refuzuar detyrimin themelor për kooperim me autoritetet.
Veç kësaj, ankuesi “për vite të tëra ka marrë ndihma sociale dhe pjesërisht vazhdon të marrë edhe tash. Për këtë arsye ai nuk mund të konsiderohet i integruar as ekonomikisht në Zvicër”.
Nisur nga fakti se C. deri në moshën 27 vjeçare ka jetuar kryesisht në Kosovë, ai e njeh gjuhën dhe kulturën e atjeshme fare mirë. Edhe më lehtë i pranueshëm është kthimi në Kosovë i bashkëshortes, e cila për herë të parë në Zvicër kishte ardhur në vitin 2007 dhe ardhjen këtu e kishte fituar përmes qëndrimit mashtrues”.
Si “problematike” gjyqtarët e Lozanës i konsiderojnë vetëm pasojat e mundshme për fëmijët, të cilët gjatë rreth gjashtë vjetëve të qëndrimit këtu mund të ishin integruar. Mirëpo, qëndrimi i tyre në Zvicër kishte ardhur si pasojë e “sjelljes mashtruese të nënës së tyre”. “Për këtë arsye, kthimi i tyre në Kosovë është po ashtu i pranueshëm”.
0 comments:
Post a Comment