Tuesday, May 21, 2013

Momenti i fundit që marrëveshja të fillojë të implementohet

Bruksel
 Është momenti i fundit që marrëveshja e nënshkruar në Bruksel të fillojë të implementohet, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi para takimit të radhës në Bruksel me homologun e tij serb nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.
Kryeministri Thaçi po ashtu është shprehur optimist që nga takimi i sotëm do të ketë hapa konkrete për zbatimin e marrëveshjes.
Për dallim nga herët e tjera ku së bashku me kryeministrin në takim kanë marrë pjesë edhe ministra të Qeverise së Kosovës, kësaj here kryeministri ka hyrë i vetëm në ndërtesën ku po mbahet takimi.
E zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kociancic deklaroi se nga takimi i sotëm priten hapa konkretë për atë që është nënshkruar ditë më parë.
Ajo tha se takimi i sotëm mund të zgjasë më gjatë, ndërsa qëllimi është arritja e një pajtueshmërie të qartë për zbatimin e marrëveshjes për normalizim. /RTK/
Bisedojnë Ashton dhe Thaçi
Në Bruksel po zhvillohet takimi ndërmjet përfaqësueses së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Një takim të ngjashëm, baronesha Ashton ka mbajtur edhe me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.
Takimet e tilla u paraprijnë bisedimeve trepalëshe, të cilat pritet të shqyrtojnë planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. /rel/
Plani i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit
Nëse ka pajtim mes dy kryeministrave, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë do të duhet të angazhohen fuqishëm gjatë muajve të verës për të arritur zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.
“Tribuna” ka arritur që ta sigurojë një kopje të planit për zbatim, që të martën do t’u prezantohet të dy kryeministrave nga lehtësuesja e dialogut Catherine Ashton në kuadër të rrethit të radhës të dialogut politik, e ku parashihen veprime të detajuara për të dyja palët.
Në gjashtë pika të përgjithshme, plani parasheh në detaje veprimet që duhet të ndodhin me bazën ligjore, përgatitjet për krijimin e asociacionit/bashkësisë së komunave serbe, policinë, drejtësinë, zgjedhjet lokale dhe në një pikë të veçantë parashihen veprimet që duhet bërë për zbatimin e mëtutjeshëm të marrëveshjeve të arritura më herët në dialog si dhe veprimet për çështje të ndryshme.
Qysh në fillim të planit përshkruhet se ai mund të përditësohet (ndryshohet/plotësohet v.j) nga Komiteti i Zbatimit të marrëveshjes që do të krijohet nga të dyja palët.
Plani qartëson Kosova dhe Serbia deri në fund të këtij muaji do të duhet që t’i paraqesin ndryshimet përkatëse ligjore, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes.
Deri në mes të qershorit ndryshimet duhet të jenë të miratuara. Në këtë mënyrë plani hedh poshtë deklaratat e përsëritura të kryeministrit Hashim Thaçi dhe përfaqësuesve të tjerë qeveritarë se nuk do të ketë ndryshim të ligjeve për ta zbatuar marrëveshjen.
Në kopjen e planit që ka siguruar gazeta, nuk janë specifikuar ligjet që do të duhet të ndryshohen, por burime të gazetës kanë shpjeguar se bëhet fjale për ligjin kushtetues që duhet ta miratojë Serbia, dhe për ligjet e Kosovës që do të mundësojnë “më shumë përfaqësim të veriorëve në institucionet qendrore të Kosovës”.
Në plan shkruhet se deri në mes të qershorit duhet të miratohet edhe “një ligj për amnisti”. “Tribuna” ka raportuar më herët se me këtë ligj do të amnistohen të gjithë serbët e veriut që kanë marrë pjesë në strukturat paralele dhe që nuk kanë bërë vepra të rënda penale.

0 comments:

Post a Comment