Saturday, May 25, 2013

Mia san mia – Ne jemi ata

Bayern Munichu është mbret i Evropës për edicionin 2012/2013. Bavarezët e kanë mposhtur Borussia Dortmundin me rezultat 2-1 në finalen e Ligës së Kampionëve që u zhvillua në Wembley Stadium.

 BVB ishte skuadra më e mirë në gjysmën e parë duke e mbajtur nën presion të vazhdueshëm kampionin e Gjermanisë në periudhën më të madhe të 45 minutave të para. Megjithatë, rrjetat nuk u prekën.
 Lewandowski, Blaszczykowski e Bender patën rastet më të mira për Dortmundin, mirëpo i pakalueshëm u tregua portieri Manuel Neuer.
Nga ana tjetër, portieri Weidenfeller u ndihmua nga shtylla për të mbrojtur goditjen me kokë të Mandzukic. Arjen Robben u gjet në disa raste shënimi, por dështoi të ishte i saktë.
Gjysma e dytë e supersfidës ishte e baraspeshuar, me të dyja skuadrat që tregoheshin të kujdesshme dhe pritnin rastin për të ndëshkuar.
Bavarezët ishin të parët që u gëzuan. Ribery bëri një pasim të bukur te Arjen Robben, i cili krosoi për mrekulli te Mario Mandzukic dhe kroati shënoi në portën e zbrazët (60’).
Mirëpo, ofensiva e verdhezinjve u tregua e suksesshme, sepse pas pak minutave Dante ndërhyri në mënyrë të gabuar në Reus. Ilkay Gundogan e barazoi rezultatin nga pika e bardhë (68’).
Pas rasteve të njëpasnjëshme nga të dyja palët, në skenë doli njeriu që shpeshherë ka rezultuar tragjik nëpër finale. Ishte kjo mbrëmja e Arjen Robben, i cili për mrekulli kaloi mbrojtjen e BVB për ta shënuar golin më të rëndësishëm në karrierën e tij (89’) – atë që i solli Bayernit trofeun e Ligës së Kampionëve.
Bayern Munichu është vetëm një trofe larg për ta shkruar historinë këtë edicion. Bavarezët e kanë fituar Bundesligan, Ligën e Kampionëve dhe janë vetëm një fitore larg (ndaj Stuttgart) që ta fitojnë edhe Kupën e Gjermanisë (DFB Pokal).
-->

0 comments:

Post a Comment