Thursday, May 16, 2013

Serbia në “panik”: Lobim në tri fronte, kundër njohjes së Kosovës

Udhëheqësit shtetërorë serbë kanë nisur një fushatë të gjerë në shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për t’i bindur për të mos e ndryshuar qëndrimin e tyre. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, ka dërguar letra, ndërsa në lobim po marrin pjesë edhe ministrat serbë.

 
Ky veprim bëhet në tri nivele: Nikolic u ka dërguar letra krerëve të shteteve, kryeministri dhe zyra për Kosovën çdo ditë flasin me ambasadorët e atyre vendeve, ndërsa ministrat të gjitha takimet bilaterale i shfrytëzojnë për të bindur shtetet e tilla që të “mos lëshojnë pe”.
Qëllimi i një ofensive të tillë të gjerë diplomatike është që “në adresat kryesore botërore të sqarojnë se marrëveshja me Prishtinën nuk nënkupton njohje të Kosovës, sepse këtë Serbia kurrë nuk do ta bëjë”, shkruan Novosti.
Këshilltari i presidentit serb, Marko Duric, thotë se Nikolic tashmë po zhvillon një aktivitet të madh diplomatik, meqë Prishtina po i bind shtetet se marrëveshja e Brukselit krijon kushte për njohjen e Kosovës.
Në të njëjtën kohë, ministrat që udhëtuan në botë në kërkim të investitorëve, kanë detyrë që të kundërshtojnë njohjet e Kosovës. Zëvendëskryeministri Rasim Ljajic, me këtë mision ka shkuar në Azerbajxhan, Irak, Kuvajt, Arabia Saudite, Katar...
“Kërkojë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën që të mos e bëjnë këtë. Shteteve që e kanë njohur Kosovën ua kam dërguar lutjen e kreut shtetëror të Serbisë që të mos ua sugjerojnë të njëjtën shteteve tjera”, ka thënë Ljajic.
Zëvendëskryeministrja për integrime evropiane, Suzana Grubjesic, është angazhuar të lobojë tek shtetet e BE-së.
“Caku është që Qipro, Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania të qëndrojnë në mos pranimin e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ish-ambasadori serb në Paris, profesori Predrag Simic, thotë se ky veprim diplomatik mund të jetë një nga hapat kyç në luftën e mëtejshme për Kosovën.
“Numri i shteteve anëtare të OKB-së që kanë njohur Kosovën ka tejkaluar 50 përqindëshin dhe, nëse afrohet tek dy të tretat e shteteve, Rusia dhe Kina do ta kenë të vështirë të mbrojnë interesat tona. Nisma e re do të jetë një vazhdim i operacionit të suksesshëm të Vuk Jeremicit, që ka amortizuar valën e njohjeve të Kosovës”, thotë ai.

0 comments:

Post a Comment