Tuesday, May 14, 2013

Për 13 vjet, 90 mijë “të huaj” u bënë prishtinali

Gara për Prishtinën, ka filluar t’i shtyjë në veprime partitë politike edhe pse ende mungon data se kur do të mbahen zgjedhjet e sivjetshme lokale. Më herët është folur për strategjinë e PDK-së që ka për Prishtinën, ku njëra ndër to është thënë se ka të bëjë me regjistrimin e qytetarëve të Skenderajt apo Drenasit, në kryeqytet.
Nga viti 2000 e deri më sot, janë rreth 90 mijë qytetarë që kanë lindur diku tjetër, e që janë bërë banorë të Prishtinës.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Abedin Mehmeti, ka thënë se një personi nuk i duhen më shumë se një javë për ta ndërruar vendbanimin dhe për të pasur të drejtë vote në qytetin e ri, transmeton KTV.
Mirëpo, një mundësi të tillë e hedh poshtë në mënyrë kategorike, Lirak Çelaj, udhëheqës i kabinetit për qeverisje të mirë për Prishtinën, i cili u zyrtarizua së fundi. Madje, Çelaj, zërat e tillë i quan propagandë politike të LDK-së. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kohë që ka emëruar Besnik Tahirin kandidat për kryetar të Prishtinës.
Derisa, LDK-ja përveç bindjeve që kanë se askush nuk të mund t’ua marrë pushtetin në kryeqytet, ende nuk kanë dhënë asnjë emër kush do të jetë kandidatë i tyre për Prishtinën.

0 comments:

Post a Comment