Friday, May 17, 2013

Për pensionet në Serbi 8.585 kërkesa nga Kosova

Në Fondin e Sigurimit Pensional- Invalidor (PIO) të Serbisë përfundimisht deri më 20 prill, kur ka skaduar afati për ushtrimin e fletëparaqitjeve për pagesën e pensioneve të mbetura të shtetasve të Kosovë, janë ushtruar 8.585 kërkesa nga të cilat deri më tash janë përpunuar rreth 4.190, mirëpo asnjëra nga këto kërkesa nuk është kompletuar që Fondi të nxjerrë aktvendime mbi vazhdimin e pagesës së pensioneve, ka deklaruar për gazetën ‘Politika’, Dragi Vidojeviq, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punës e të Politikës Sociale.


Vidojeviq ka thënë se nga 4.190 kërkesa të përpunuara, 2.018 kanë të bëjnë me pagesën e pensioneve të moshës, 1.196 të atyre invalidore dhe 976 pensione familjare dhe ka shtuar se numri më i madh i kërkesave ka arritur pikërisht nga territori i “Kosovës e Metohisë”– 4.095, nga Serbia 113, nga territori i ish-republikave jugosllave 25 dhe një nga Evropa, transmeton RTK .
”Në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të mos ketë vërejtje, Fondi PIO do të kërkojë nga të gjithë, për të cilët vërtetohet se nuk i kanë kompletuar dokumentet e vlerësohet se mund ta realizojnë të drejtën e pensionit, që të njoftohen për ta plotësuar dokumentacionin”, thotë Vidojeviq.
Sipas tij, Fondi PIO me shkrim mbi plotësimin e dokumentacionit, mund t’i njoftojë rreth 4.000 pensionistë të cilëve ka pushuar t’u paguhet pensioni më 1999, e që të konsiderojnë se kanë të drejtë të vazhdojnë t’i marrin pensionet, por jo edhe ato të mbeturat, sepse deri tek ata nuk arrin posta, dhe shtrohet pyetja si të njoftohen për këtë. “Të gjithë ata nga territori i Kosovës të cilët më vonë vërtetojnë se kanë të drejtë të vazhdojnë të marrin pensionin e ndërprerë më 1999, duke marrë parasysh se ka skaduar afati për paraqitjen e kërkesave, duhet që më vonë t’i dorëzojnë dokumentet Fondit pensional”, thekson ai.
Në mënyrë që të arrihet tek të gjithë ata që duhet t’i kompletojnë dokumentet, Serbia ka angazhuar edhe Zyrën e Qeverisë serbe për “Kosovën e Metohinë” që në bashkëpunim me UNMIK-un të vë lidhje me ushtruesit e kërkesave. Ai rikujton se para 14 vitesh është ndërprerë pagimi i pensioneve për rreth 50.000 pensionistë të cilët këtë të drejtë e kanë fituar mbi baza të ndryshme dhe se sipas vendimit të Gjykatës në Strasburg, Serbia është obligueshme t’i paguaj pensionet e mbetura. Ai thotë se llogaritet se nëse të gjithë i kompletojnë dokumentet dhe i marrin aktvendimet mbi vazhdimin e marrjes së pensioneve, Serbisë kjo do t’i kushtojë rreth 1.5 milion euro në muaj.
Gjykata në Strasburg, sipas ankesës së një qytetari të Kosovës, ka marrë në shkurt të vitit 2012 vendim që Serbia deri në tetor të atij viti të marrë vendimin për pagimin e pensioneve pensionistëve nga Kosova. Një vendim të tillë kishte marrë në vitin 2005 edhe Gjykata e Kushtetuese e Serbisë.

0 comments:

Post a Comment