Thursday, May 16, 2013

Dëshmia për përdorimin e helmeve kimike në Siri? (Video)

BBC ka siguruar xhirimin dhe deklaratat e dëshmitarëve që kanë të bëjnë me pohimet se ushtria siriane, gjatë bombardimit të qytetit Saraqeb, ka përdorur armët kimike. 

 
Siç raporton BBC, helikopterët më 29 prill kanë hedhur së paku dy pajisje me gaz helmues në Saraqeb, në veriperëndim të vendit, gjatë zjarrit artilerik nga pozicionet qeveritare.
Mjekët e spitalit lokal kanë thënë për BBC se kanë pranuar tetë persona me probleme me frymëmarrje. Disa prej tyre vollën, ndërsa të tjerët kishin bebëzat e ngushtuara.
Një nga gratë e helmuara, Maryam Khatib, më vonë vdiq. Djali i gruas së vdekur, Mohammed, u mundua ta ndihmojë nënën, por u lëndua gjatë sulmit.
“Ishte një erë e tmerrshme, na ngufaste. Nuk kemi mundur fare të marrim frymë. Sikur donit të jeni të vdekur. Nuk keni mund as të shihni. Nuk kam parë 3-4 ditë”, thotë ai për BBC.
Mjeku i cili e trajtoi nënën e tij tha se simptomat që ajo kishte, ngjanin me helmimin organofosfatik, dhe se mostrat janë dërguar për testim.
Video-pamjet e siguruara nga BBC paraqesin deklaratat e të mbijetuarve të sulmit, por ky rrjet britanik nuk ka mundur ende të konfirmojë vërtetësinë e tyre. Mostrat e mbledhura nga toka dhe të viktimave të supozuara janë dërguar për analiza në Britani, Francë, Turqi dhe Shtetet e Bashkuara.
Nëse deklaratat dhe incizimi dalin të sakta, kjo do të vërtetojë raportimet e mëparshme se muajin e kaluar janë përdorur armët kimike në Siri.
Qeveria siriane ka hedhur poshtë pretendimet se ka përdorur substanca kimike, ndërsa Washingtoni ka kërcënuar se një zhvillim i tillë paraqet tejkalim të "vijës së kuqe", që nënkupton fillimin e intervenimit të jashtëm në Siri. Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, megjithatë ka thënë se të dhënat e zbulimit amerikan për përdorimin e armëve kimike, nuk ofrojnë prova të mjaftueshme se ato vërtet janë përdorur.

 Për ta parë videon, klikoni këtu

0 comments:

Post a Comment