Thursday, May 16, 2013

Një qendër e vetme e përgjimeve, prek ndarjen e pushteteve

Një qendër e vetme e përgjimeve është kundër parimit të ndarjes së pushteteve ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor, vlerësojnë njohës të çështjeve të sigurisë. Ata theksojnë se në rast se do të kishte një qendër të vetme të përgjimeve inteligjente dhe penale, që do të mbikëqyrej nga AKI-ja, atëherë në të dhënat që i shërbejnë gjyqësorit do të mund të kishin qasje edhe presidenca dhe kryeministria, të cilat janë tutorë të AKI-së. Në këtë mënyrë, ata vlerësojnë se Projektligji për Përgjimet është kundër parimeve evropiane.


Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Kosovës për Siguri, Florian Qehaja, ka theksuar për Telegrafin se nuk ka dilemë se dallojnë përgjimet që bëhen nga ana e Policisë dhe ato nga shërbimet e inteligjencës. Sidomos, dallon qëllimi final i përgjimeve nga këto dy institucione.
“Policia bënë përgjime me qëllim të mbledhjes së provave që do t’i shërbejnë organeve të drejtësisë për veprat penale, përderisa inteligjenca mbledh të dhëna për parandalimin e çdo rrezikshmërie për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Në bazë të legjislacionit në Kosovë, provat që mblidhen nga ana e inteligjencës, nuk mund të përdoren në gjyqësor, përveç nëse gjykata konstaton që ato prova do të shërbejnë esencialisht në një proces gjyqësor”, ka shpjeguar Qehaja.
Ai ka kundërshton faktin që AKI ose edhe Policia të mund të kontrollojë qendrën operative teknike të përgjimeve. Sipas Qehajës, modeli më i përshtatshëm do të ishte ai i themelimit të kësaj qendre në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës ku, si organ konsultativ dhe koordinues, të gjitha institucionet do të kishin qasje të barabartë. “Megjithatë, edhe këtu, teknikisht përgjimet për policinë, inteligjencën, doganat dhe EULEX-in do të ishin të ndarë e ku asnjëra nuk do të mund të interferojë në përgjimet e tjetrës. Ky model ka rezultuar i suksesshëm në Kroaci, vend ky ku gjatë viteve ‘90 ka pasur probleme të theksuara në këtë segment”, ka vlerësuar Qehaja.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv i QKS-së thotë se nuk është ithtar i decentralizimit të plotë të përgjimeve, duke pasur parasysh që në Kosovë ka një mishmash akterësh me mandat për të bërë përgjime (Policia, AKI, Doganat dhe EULEX-i) dhe rrjedhimisht, në rast të dobësive dhe "rrjedhjeve", është vështirë të gjendet fajtori.
Në anën tjetër, Qehaja thekson se nuk dihet saktë se deri në ç'masë dallon e drejta në privatësi me hetimin e personave të caktuar, sidomos figurave publike.
“Personat publik parimisht zhveshën nga privatësia absolute, për shkak se marrin mandat për t’i shërbyer interesit publik. Megjithatë, në rast se fillon procedura për hetimin e personave të caktuar publik, atëherë është më se e rëndësishme që informacionet mos të rrjedhin”, ka thënë Qehaja.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka deklaruar se për Telegrafin se nuk është mirë që të ketë një qendër të vetme të përgjimeve, për shkak të parimit të ndarjes së pushteteve ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit. Gjithashtu, sipas tij, nuk mund të ketë një regjistër unik të numrave që përgjohen dhe gjithashtu nuk mund të ketë një sistem të vetëm të kyçjeve, siç është paraparë në projektligj.
“Nuk mundet që në informatat e institucioneve të pavarura gjyqësore të ketë qasje në të dhëna, pasi që AKI dihet që është nën përgjegjësinë e presidentit dhe kryeministrit. Por, në kuadër të çdo operatori janë njerëzit kompetentë të cilët marrin përgjegjësi për ta ruajtur konfidencialitetin. Ata janë përgjegjës, përndryshe e hanë burgun nëse zbulojnë të dhënat. Sot i kemi dy operatorë. Në të ardhmen mund t’i kemi më shumë”, ka shpjeguar Ibishi. /A. Fazliu

0 comments:

Post a Comment