Ëndrra e Barcelonës për ‘Remontada’ ka marrë fund sonte, njëjtë siç i ndodhi edhe Real Madridit mbrëmë ndaj Borussia Dortmundit. Gjiganti katalunas është turpëruar duke shfaqur një paraqitje katastrofale në Camp Nou, pasi u mposht nga Bayern Munichu me rezultat 0:3.
Gjiganti Bavarez është kualifikuar me meritë në finale, pasi e menaxhoi mjaft mirë kapitalin e krijuar në ndeshjen e parë, kur fitonte 4:0, duke e zotëruar Barcelonën edhe në ndeshjen e kthimit.
Ekipi i Tito Vilanovas, i hendikepuar pa Lionel Messin, i cili përfundoi në bankinë, tentoi të shënonte në pjesën e parë, por nuk ia doli dot, duke krijuar raste të rralla si ai i Pedros, që gjuajti nga largësia.
Në anën tjetër, bavarezët e shënuan golin e qetësisë me të filluar pjesa e dytë, në minutën e 48-të me anë të Arjen Robbenit.
Shokët e Xherdan Shaqirit e ngritën avantazhin në minutën e 72-të, kur pas një harkimit të Franck Ribery nga e majta, Gerard Pique shënoi autogol.
Bayerni nuk u ndal me kaq. Francezi Ribery ishte prapë protagonist duke e dhënë një harkim për mrekulli për Thomas Muller në minutën e 76-të, për ta shtuar avantazhin e mysafirëve.
Bayerni në finalen e Wembleyt do të luajë me Borussia Dortmundin, më 25 maj. Kjo është hera e parë në histori të Championsit që në finale përballen dy skuadra gjermane.
0 comments:
Post a Comment