Saturday, May 4, 2013

Qeveria do t’i ndryshojë ligjet për Asociacionin e Komunave Serbe


Zyra Ligjore e kryeministrit ka njoftuar se është bërë gati për t’u marrë me ligjet në fuqi që mund të bien ndesh me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas kësaj Zyre marrëveshja ka karakter ndërkombëtar që nënkupton epërsi ndaj ligjeve vendore dhe do zbatohet si e tillë, me përjashtim të rasteve kur për zbatimin e saj nevojitet nxjerrje e ligjeve.


Qeverisë i duhet të rishikojë një numër jo të vogël të ligjeve në fuqi, pas marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë e cila në praktikë prek rreth 40 ligje. Por, deri më tani ekzekutivi i vendit që pret që materien e kësaj marrëveshje ta dërgoj në Parlament për ratifikim, nuk e ka bërë bilancin ligjeve që prek kjo marrëveshje.
Ndërkohë që jo zyrtarisht thuhet se një analizë preliminare ka treguar se janë rreth 40 ligje në fuqi që bien ndesh me këtë marrëveshje.
Besim Kajtazi shef i zyrës ligjore të kryeministrit i ka thënë Radio Kosovës se ligjet e vendit do të harmonizohen me marrëveshjen.
“Në pajtim me nenin 19 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara janë normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. Duke u nisur nga ky fakt, do te analizohen të gjitha ligjet që mund të bien ndesh me këtë marrëveshje dhe do të harmonizohen me marrëveshjen”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi, si raporton standardi, ka thënë se pa përfunduar procesi i nënshkrimit të marrëveshjes dhe Planin e zbatimit të saj nuk mund të ketë një listë të saktë të ligjeve në të cilat do të ketë ndikim marrëveshja.
“Nëse kjo marrëveshje ratifikohet nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, atëherë pas ratifikimit, implementimi i marrëveshjes bëhet i obligueshëm”, ka thënë Kajtazi.
Krejt të shkyçur nga çështja e ligjeve që prek marrëveshja është aktualisht Komisioni për Legjislacion i Parlamentit që sipas kryetarit të tij Arben Gashi, nuk e di se sa ligje duhet të harmonizohen.
“Marrëveshjen po e presim për ratifikim. Nuk ka ndonjë analizë se sa ligje duhet të ndryshohen. Po presim qeverinë”, ka thënë Gashi. Bazuar në nenin 19 të Kushtetutës së Kosovës, marrëveshjet pas ratifikimit zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rasteve kur nuk janë të vetëzbatueshme dhe zbatimi i tyre kërkon nxjerrjen e një ligji.

0 comments:

Post a Comment