Vendimi i fundit i Qeverisë
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, e ka miratuar sot rregulloren për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultatet kulmore në garat ndërkombëtare, si dhe rregulloren për mbështetjen e përhershme financiare të sportistëve të cilët kanë fituar medalje në Lojërat Olimpike, në Kampionatet Botërore dhe Kampionatet Evropiane.
Me këtë, tashmë secili sportist që fiton medalje në këto gara do të marrë shpërblime nga shteti, varësisht prej medaljes, si dhe do ta ketë të garantuar mbështetjen e përhershme financiare, që nga mosha 45 vjeçare.
Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, në fjalën e tij para kabinetit qeveritar, ka thënë se këto rregullore po nxirren për herë të parë.
Ai e vlerësoi këtë si një nga hapat më të rëndësishëm që janë bërë në Kosovë për mbështetje të sportistëve, dhe për zhvillimin e sportit në përgjithësi. Me këtë, tha ai, sportistët do të kenë edhe më shumë vullnet për punë dhe suksese më të mëdha.
“Republika e Kosovës ka shumë sportistë të rinj që kanë treguar talent dhe rezultate në shumë gara ndërkombëtare në vitet e fundit. Përveç formave të tjera të mbështetjes për sportistët tanë, është tejet i nevojshëm edhe rregullimi i çështjes së shpërblimeve shtetërore për sportistët që tregojnë rezultate të larta në garat zyrtare ndërkombëtare, e po ashtu edhe mbështetja e përhershme financiare. I gjithë komuniteti sportiv e konsideron këtë si një prej hapave më domethënës në zhvillimin e sportit dhe avancimin e përkujdesjes institucionale për sportistët tanë”, ka thënë Krasniqi.
Me këto rregullore, përcaktohen kriteret për ndarjen e shpërblimeve, procedura e dhënies si dhe vlerat financiare të shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare.
Po ashtu edhe përcaktohen kriteret, lartësia e përfitimit, kohëzgjatja dhe procedurat e dhënies së mbështetjes së përhershme financiare për ish sportistët të cilët kanë fituar medalje në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, në kampionate botërore dhe evropiane.
Duhet theksuar se shpërblimet e përcaktuara në rregullore janë më të larta se në shumicën e vendeve të rajonit. Rregullorja për shpërblime do t’i njohë rezultatet që janë arritur në garat zyrtare nga data 1 janar 2013.
Ndërkaq, ajo për mbështetje vlen për çdo sportist të Kosovës, që ka fituar medalje në këto tri gara ndërkombëtare.
Mbështetja e përhershme për sportistët kulmorë do të jetë si vijon: 800 euro në muaj për fituesin e medaljes së artë olimpike, 600 për fituesin e medaljes së argjendtë olimpike, 500 për medaljen e bronztë olimpike.
600 euro do të jetë për fituesin e medaljes së artë në Kampionat Botëror, 500 të argjendtë, 400 të bronztë.
Ndërkaq, për medaljen e artë në Kampionat Evropian, pensioni do të
jetë 500 euro, për të argjendtë 400 dhe për të bronztën 300 euro.
Sportisti ka të drejt ta marrë këtë pension nga mosha 45 vjeçare, dhe
nuk mund të marrë për të njëjtën medalje shpërblim edhe nga shtet
tjetër.Me rregullore, trajneri i sportistit apo sportistëve që kanë fituar medalje, do të marrë si shpërblim 50% të shumës së shpërblimit që merr sportisti.
Sportistët e rinj që arrijnë rezultate në Lojëra Olimpike për të Rinj, kampionate botërore dhe kampionate evropiane në kategorinë deri në U23, shpërblehet në masën 25 për qind të vlerës së përcaktuar më lartë.
Përveç këtyre dy rregulloreve, një tjetër hap tjetër i rëndësishëm është bërë po sot, e që lidhet me përkrahjen për sportistët e rinj.
Ministri Krasniqi ka nënshkruar rregulloren për bursat për shpresat olimpike dhe paraolimpike.
Bursa për shpresat olimpike dhe paraolimpike do të jetë 150 euro në muaj dhe sipas rregullores, do të ndahen deri në 10 bursa në vit për sportistët e rinj nga mosha 14 deri në 21 vjeç.
Shpërblimet shtetërore për sportistët që fitojnë medalje në gara zyrtare ndërkombëtare janë si vijon:
Lojërat Olimpike
Rekordi Olimpik – 200 mijë euro
Medalja e artë olimpike – 100 mijë euro
Medalja e argjendtë – 60 mijë euro
Medalja e bronztë – 40 mijë euro
Kampionati Botëror
Rekordi botëror – 100 mijë euro
Medalja e artë – 40 mijë euro
Medalja e argjendtë- 20 mijë euro
Medalja e bronztë 14 mijë euro
Kampionati Evropian
Rekordi evropian – 40 mijë euro
Medalja e artë – 20 mijë euro
Medalja e argjendtë – 14 mijë euro
Medalja e bronztë – 8 mijë euro
0 comments:
Post a Comment