Intervista të veçanta me disa persona të besuar nga rrethi i Adolf Hitlerit, u shfaqën për herë të parë në televizionin gjerman. Grupi i sekretareve, ndihmësve dhe miqve ka përshkruar jetën në bunker nën zyrat e Rajhut në Berlin, në kohën kur në qytet po hynin trupat sovjetike. Ata shpalosën detaje intime të jetës së Hitlerit dhe dashnores së tij Ewa Braun. Intervistat janë bërë në Nuremberg, tre vjet pasi mbaroi lufta, ndërsa i udhëhoqi gjykatësi amerikan Michael Musmanno. Ky i fundit kishte ndihmuar ndjekjen e kriminelëve nazistë dhe kishte qasje të veçanta në dokumente meqë amerikanët besonin se lideri nazist kishte ikur në Argjentinë.
Historianët kanë menduar një kohë të gjatë se xhirimet kanë humbur, por vitin e kaluar u gjet një pjesë të tyre në Nurembergu. Të tjerat u morën nga kushërinjtë e Musmmanos. Në Gjermani intervistat paraqiten si pjesë e programit të quajtur "Dëshmitarët e rënies”.
Traudl Junge, e cila ishte sekretarja e preferuar e Hitlerit, ka thënë se shefi i saj vazhdimisht merrte letra dashurie nga adhurueset.
"Puna ime e parë për të ishte të sjelli letrat nga gratë që nuk kishin asgjë më të mençur të bënin, pos që t’i shkruanin. Ato ishin letra dashurie”, tha ajo.
"Megjithatë, e mbaj mend si prind që gjithmonë brengosej për mua. Unë kurrë nuk e kam parë atë si një burrështetas, as kam marrë pjesë në konferencat e tij.
Jemi takuar kur ai donte të diktonte letra....Ne ishim larg nga qendra e komandës së tij, të cilin kurrë nuk e kemi parë, e as nuk e kemi dëgjuar zemërimin e tij për të cilin flitej. Ne e dinim orarin e tij dhe kush i vinte në vizita. Kolegët e mi thanë se më herët fliste vazhdimisht për të kaluarën dhe të ardhmen, por pas Stalingradit nuk mund të kujtojë shumë nga këto monologje.
Të gjithë u përpoqën t’ia tërheqim vëmendjen, të flasim për filma apo thashetheme, gjithçka që të shpërqendrohej nga lufta. I donte thashethemet. Kjo ishte ana e tij ndryshe të cilën ne e kemi parë.
Kur shkova për të shkruar testamentin e tij në një bunker gjatë ditëve të fundit të luftës, mendova se do të përpiqet të shpjegojë veprimet e tij dhe pse Gjermania ishte në atë pozitë. S’e kishte një rrugëdalje nga tragjedia jonë e tmerrshme? Por, përsëriste parulla e vjetra të cilat i përdorte në fjalimet e tij”.
Arthur Kannenberg, shërbëtori i Hitlerit, zbuloi se kënga e quajtur "Trëndafili i kuq i përgjakshëm" ishte e preferuara e Hitlerit dhe Ewas dhe se atë disk e kanë dëgjuar vazhdimisht.
"Shefi gjithmonë donte të njëjtën gjë për ndejat e çajit të pasdites. Filxhanët dhe takëmi është dashur të jenë të vjetra dhe Ewa ishte gjithmonë në shtëpinë e tij verore në Obersalzberg, në rastet e tilla.
Hitleri dhe Ewa janë dashur shumë, por ndoshta jo në atë mënyrë që ai të dëshirojë pasardhësit me të. Para fundit të luftës, ai ma dha një medalje të artë dhe një kuti të argjendtë të cigareve me emrin e gdhendur të tij. Pastaj më tha: ‘Ruaje derisa nuk takohemi sërish”.
Ai foli edhe për “rezervat e fshehta të arit” që janë fshehur në afërsi të shtëpisë së tij në Berchtesgaden, por ato nuk u gjetën kurrë.
August Wollenhaupt, berberi i Hitlerit, e përshkroi shefin si “njeri gjenial” që brengosej për familjen e tij dhe se gjithmonë interesohej për "thashethemet nga rruga”.
Kolonel Holsteni, i cili ishte në bunker kur Hitleri dhe Ewa i dhanë fund jetës së tyre më 30 prill 1945, tha në video se ka parë njerëzit që kanë zvarritur trupat e tyre në kopsht, kanë derdhur benzinë dhe i kanë djegur.
"Isha i ngrirë. Pastaj kam ngritur dorën time ta përshëndes për herë të fundit Hitlerin”, tha ai.
Erich Kempka, shoferi i Hitlerit nga ditët më të hershme të lëvizjes naziste, kishte gjetur karburantin e nevojshëm për të djegur trupat në kopshtin e zyrës së Rajhut
"Mbaj mend me siguri se më 30 prill bëri më thirri anëtari i SS-ëve, Sturmbannfuehrer Guensch, që unë të sjellë kanistrat me benzinë në bunker.
Kur arrita atje, ai më tha se Fireri ka vdekur dhe se ka urdhëruar t’ia djegin kufomën, që rusët të mos e shfaqin në cirk.
E ndihmova të tërhiqte kufomat. Derisa Linge dhe një tjetër që nuk e mbaj mend mbante trupin e Adolf Hitlerit, unë e mbaja të Ewa Hitlerit. Vërejta pantallonat e gjata të zeza dhe këpucët e zeza të cilat Hitleri i vishte shpesh me xhaketën gri.
Kufomat janë marrë nga bunkeri në një vend rreth katër-pesë larg daljes së bunkerit dhe në atë vend u dogjën.
Guensche derdhi përmbajtjen e plotë të pesë kanistrave në dy trupa dhe ua futi flakën. Reichsleiter Martin Bormann, Ministri Dr. Goebbels, SS Sturmbannfuehre Guensche, SS Sturmbannfuehrer Linge, dhe ai tjetri qëndruam në hyrje të bunkerit, shikuam zjarri dhe e përshëndetëm me duart e ngritura lartë”.
Adjutanti i Hitlerit, Nicholas von Below, është intervistuar me regjisoren e preferuar, Leni Riefenstahl, dhe me gjeneralët: Walther Wenck dhe Karl Koller. Një zyrtar i bunkerit i quajtur Lorenz i thotë se Hitleri dhe Ewa u martuan më 29 prill 1945, 24 orë para vetëvrasjes dhe se ata kishin një gosti të vogël në bunker. Ata kishin pirë shampanjë, por jo edhe Hitleri i cili ishte i shqetësuar për përpilimin e testamentit.
Hermann Karnau, një SS dhe truproje, që iki nga bunkeri por tentoi të kthehet në çastet e fundit, tha: “U përpoqa të futem përmes daljes emergjente kur pashë rreth 20 metra larg prej trupat e Adolf Hitlerit dhe Ewa Braunit.
E njoha Hitlerin përmes uniformës dhe mustaqeve. E kisha parë gjallë në mëngjes të ulur në karrigen e tij të preferuar. Më vonë gjatë ditës, para vetëvrasjeve, mu kujtua se pash katër burra të vijnë me kanistra benzine për të cilat thanë se janë për ajrin e kondicionuar brenda bunkerit... Ky ishte karburanti që u përdorë për të djegur trupat.
Herën e fundit e pash Hitlerin gjallë rreth orës 16:00, të asaj dite. Kam menduar se Hitleri u helmua nga mjeku i tij personal, Dr. Ludwig Stumpfegger”.
Asistent i Hitlerit për forcat ajrore, Bernd Freytag von Loringhoven, tha se Hitleri kishte helmuar edhe qenin e tij të dashur, Blondi.
"Ai shikonte se si ia vënin cianidin në gojë dhe ia mbyllnin nofullën për të thyer ampulën. Hitleri nuk ka treguar asnjë emocion. Vetëm donte të dinte a pati sukses. Dhe, kishte. Më vonë, gruaja e ministrit të Propagandës, Magda Goebbels, përdori të njëjtat kapsula për të vrarë të gjithë fëmijët e saj, teksa ata ishin duke fjetur”.
0 comments:
Post a Comment