Friday, April 26, 2013

Zbulohen llap-top të vjedhur në Mitrovicë

Zyrtarët policor të Kosovës të sektorit të hetimeve kundër krimit në Mitrovicë, si rezultat i mbledhjes së informatave operative dhe zhvillimit të hetimeve intensive për persona të dyshuar të përfshirë në vjedhje të rënda, kanë zbuluar llap-top dhe një televizor të vjedhur.

Në kumtesën për media thuhet se hetuesit policor të stacionit jugu në Mitrovicë, me sukses realizuan veprimet e tyre në kuadër të planit “parandalimi i krimit”, duke siguruar të dhëna të mjaftueshme në identifikimin e tre të dyshuarve të mundshëm, të përfshirë në kryerjen e akteve të vjedhjeve të rënda në disa lokale, ndërsa ishin vjedhur, së paku gjashtë llap-top kompjuter dhe pajisje tjera teknologjike.
“Të dyshuarit e identifikuar, janë treguar bashkëpunues me hetuesit policor, ndërsa kanë pranuar aktet e kryerjes së vjedhjeve të rënda, në disa lokale. Pajisjet e vjedhura janë shitur nga të dyshuarit në vende të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
Në procesin e vazhdueshëm të hetimeve, hetuesit policor kanë arritur që të identifikojnë dhe sekuestrojnë: katër llap-top kompjuter të vjedhura në dyqanin e pajisjeve elektronike në sheshin “Isa Boletini”, dy javë më parë, si dhe një televizor plazma, të vjedhur në lokalet e TV Mitrovica. Pajisjet e identifikuara janë gjetur dhe sekuestruar në lokacione të ndryshme.
Provat materiale të gjetura dhe sekuestruara në këtë rast, janë evidentuar nga hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës dhe të njëjtat me autorizim të prokurorit, u janë dorëzuar pronarëve të dëmtuar.

0 comments:

Post a Comment