Saturday, April 27, 2013

Ndalimi i industrisë së seksit

Ambicia e Islandës

The Economist


Islanda ultraliberale dëshiron të ndalojë pornografinë e shpërndarë përmes internetit. Ky është vetëm hapi i fundit në një listë të gjatë masash që synojnë të eliminojnë përfundimisht industrinë e seksit.
Në vitin 2009, ky vend vendosi dënime me gjobë dhe burg për njerëzit që përdorin shërbimet e prostitutave, (prostitutat konsiderohen viktima).Në vitin 2010, ishulli ndaloi klubet e striptizës. Në shkurt, qeveria vendosi të hyjë në pisllëkun e internetit dhe publikoi idenë e ndalimit të pornografisë së dhunshme apo degraduese, një togfjalësh që për disa islandezë përfshin praktikisht shumicën e pornografisë.

Asnjë vend nuk ia ka dalë deri më sot të kontrollojë seksin komercial, pavarësisht se disa vende kanë ndjekur rrugën e legalizimit dhe disa vende të tjera, atë të kriminalizimit. Por nëpër të gjithë botën, veçanërisht në demokracitë e pasura, politikbërësit po ndjekin me vëmendje nëse Islanda do t’ia dalë në këto masa dhe mund të ndjekin shembullin e saj në rast se eksperimenti del me sukses.

Propozimi i Islandës është në hapat e parë dhe mund të humbasë vëmendjen pas zgjedhjeve që po zhvillohen sot (27 prill), zgjedhje ku qeveria pritet të humbasë. Por planet e Islandës e fusin këtë vend në një shoqëri të çuditshme. Në mënyrë të ngjashme, Arabia Saudite ndalon klubet e striptizës, prostitucionin dhe pornografinë. Por ky vend ndalon gjithashtu gratë që t’i japin makinës, i ndalon ato të udhëtojnë pa lejen e mashkullit dhe kufizon të drejtën e tyre të votës. Në raportin e vitit 2012 të Forumit Ekonomik Botëror “Hendeku Gjinor Global”, ku krahasohet progresi drejt barazisë gjinore në 135 vende, Arabia Saudite u rendit në vend të 131.

Islanda, gjithsesi është e vendosur pro grave. Gjysma e qeverisë dhe 25 nga 63 anëtarët e Parlamentit janë femra. Vendi drejtohet nga Kryeministrja e parë publikisht lesbike e botës. Islanda është gjithashtu pro seksit. Supermarketet e saj shesin prezervativë dhe minivibratorë ngjitur me kasat. Një film i ri për edukimin seksual informon adoleshentët se seksi duhet të jetë diçka që ata duhet ta kërkojnë sërish. Rreth 65 për qind e fëmijëve të Islandës kanë lindur jashtë martese, më shumë se në çdo vend tjetër të OECD-së.

Martesa e seksit të njëjtë ka qenë e ligjshme që nga viti 2010 dhe gejtë dhe lesbiket mund të adoptojnë fëmijë. Kompania e fluturimeve “Icelandair” ka një fushatë reklamash me sloganin “A doni një fundjavë të pistë në Islandë?”

Iniciativat e vendit kundër industrisë së seksit kanë marrë hov nga një lëvizje e fuqishme feministe. “Lufta kundër pornografisë në internet, veçanërisht ajo e llojit të dhunshëm, është pjesë e një seti më të gjerë politikash për të mbrojtur fëmijët dhe për të reduktuar dhunën seksuale”, thotë Halla Gunnarsdottir, një këshilltare politike për ministrin e Brendshëm, i cili propozoi ligjin. Por sa më shumë rritet ambicia e Islandës në luftën e vet kundër industrisë së seksit, aq më pak sukses arrin të realizojë.

Pjesa më efektive e kësaj lufte ka qenë ndalimi i lokaleve të striptizës. Vonë në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000, rreth 15 klube të tilla qenë në punë, më së shumti rreth kryeqytetit Reikjavik, ku dy të tretat e 322 mijë banorëve jetojnë. Striptiza qe një biznes shumëmilionë dollarësh, thotë Helgi Gunlaugsson, një kriminolog në Universitetin e Islandës. I shqetësuar mbi lidhjet me drogën dhe prostitucionin dhe i bindur se një aktivitet i tillë dhunon të drejtat e grave, Kolbrun Halldorsdottir, në atë kohë, anëtare e parlamentit, propozoi ndalimin.

Vetëm dy klube vijojnë punën sot. Dhe asnjë prej tyre nuk mund të cilësohet si një vend zhveshjeje. Në qendër të Reikjavikut, “Luleshtrydhet” është sot një klub shampanje që u ofron zotërinjve një botë fantazie me kërcimtare dhe qejf të nxehtë. Por një natë të enjteje në mars, gjithsesi, vendi qe i boshatisur. Një vajzë që dukej e mërzitur me reçipeta pink dhe me minifund e çizme argjendi qe ulur vetëm në një cep. Të tjerat bënin thashetheme apo luanin me celularët. Kërcimet private janë ende në ofertë, fillojnë nga 17 mijë krona të Islandës (144 dollarë) për 12 minuta dhe bashkë me verën dhe një orë spektakël çmimi shkon në 70 mijë krona.

Pavarësisht çmimeve, gratë theksojnë se vetëm kërcimi është në ofertë. Klubet operojnë nga ndërtesa me adresa të sakta dhe me tabela të shndritshme, gjë që ndihmon policinë t’i gjejë më lehtë dhe t’i kontrollojë më mirë.

Turpëroji

Prostitucioni ka rezultuar më i vështirë për policinë për t’u ndaluar. Disa prostituta kërkojnë klientë nëpër kryqëzime. Shumë bëjnë reklamë përmes faqeve të internetit të njohjeve të reja. Këto faqe interneti këmbëngulin se i heqin përdoruesit e dyshimtë, por një ish-prostitutë e Islandës thotë se sërish ky shërbim gjenden në internet. Eva (nuk është emri i saj i vërtetë) thotë se punëtoret e seksit i gjejnë klientët edhe përmes njohjeve personale. Në një vend të vogël si Islanda, kjo mund të sjellë probleme më vete: një herë ajo mori një kërkesë nga një burrë që për nga zëri ajo e njohu si xhaxhai i vet.

Deri më tani, gjykatat në Islandë kanë parë vetëm njëzet raste të akuzave për prostitucion. Shumica u mbyllën me dënim. Por emrat e disave prej atyre të gjetur fajtorë mbahen anonimë. Penalitetet janë të lehta, kështu që poshtërimi i publikimit mund të shërbejë si një pengesë shtesë, veçanërisht në Islandën e vogël. Sipas Evës, ligji mund të bëjë punë vetëm në rast se meshkujt kuptojnë se emrat e tyre do të bëhen publikë.

Edhe policia pranon se ligji mund të zbatohet më mirë. Por ata nuk kanë para dhe staf të mjaftueshëm, thotë Sigridur Hjaltested, një ndihmësprokurore në njësinë për krimet e seksit në policinë e Reikjavikut. Për këtë arsye ata përqendrohen në hetimin e rasteve të përdhunimit dhe të abuzimit seksual me fëmijët.

Gudron Jonsdottir, kreu i qendrës që ofron mbështetje për viktimat e dhunës seksuale, është skeptike. Ajo argumenton se policia vendos se ku t’i drejtojë burimet dhe mendon se mungesa e zbatimit të ligjit është vetëm çështje zgjedhjeje.

Përkufizoje

Rregullimi i pornografisë është më i vështiri nga të gjitha, Shpërndarja dhe shitja e tij ka qenë ilegal në Islandë që nga viti 1869. Thyerja e ligjit është teorikisht e dënueshme me gjobë deri në gjashtë muaj burg. Në realitet, tri minuta në këmbë larg stacionit kryesor të policisë së Reikjavikut, dy dyqane seksi shesin një pafundësi filmash dhe revistash, nga “Spanish Schoolgirls 2” te “Tranny-Condas”. Asnjë nga dyqanet nuk ka hasur asnjë problem. Njësoj si me prostitutat, mungesa e zbatimit është pjesë e mungesës së parave dhe se burimet janë të kufizuara. Shumica e kapacitetit përdoret për të hetuar pornografinë e fëmijëve.

Ndalimi i materialeve të paturpshme në internet, thonë mbështetësit, është një zgjatim natyror i legjislacionit aktual. Pak njerëz blejnë materiale agresive në dorë. Shqetësimi kryesor i qeverisë është pornografia e dhunshme, thotë Gunnarsdottir, dhe dëshiron që ligji ta reflektojë këtë shqetësim. Për këtë, gjithsesi, një përkufizim i qartë i pornografisë është i nevojshëm.

Ky përkufizim duhet të përfshijë përshkrimin e akteve seksuale të dhunshme apo degraduese, thotë Robert Spano, dekan i fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Islandës. Ai drejton gjithashtu komitetin për ligjin penal të Ministrisë së Brendshme të Islandës, institucioni që punon për ridefinimin e konceptit të pornografisë me synimin e mendimit të kodit penal. Ai citon Norvegjinë, e cila ndalon seksin që përfshin dhunë, si një model i mundshëm.

Cilido qoftë përkufizimi, një ndalim do të jetë ligjërisht i dyshimtë, teknikisht i pamundur dhe infektiv, argumenton Smari McCarthy, drejtor ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar të Medias Moderne, një grup lobues. Në një letër të hapur për Ogmundur Jonasson, ministri i Brendshëm, ai dhe kundërshtarë të tjerë krahasuan ndalimin e pornografisë në internet me represionin në Kinë, Iran dhe në Korenë e Veriut. Kushtetuta e Islandës e ndalon censurën, argumenton McCarthy. Spano kundërpërgjigjet duke thënë se Kushtetuta lejon nga ana tjetër qeverinë të “ruajë moralin publik”. Mbështetësit argumentojnë se aktualisht ka limite për lirinë e fjalës kur vjen puna te pornografia e fëmijëve apo gjuha e urrejtjes. E pse, thonë ato, nuk mundemi të ndalojmë pornografinë e dhunshme?

Një ndalim do të jetë i vështirë si nga pikëpamja filozofike ashtu edhe nga pikëpamja praktike. A mundet që dhuna t’i referohet vetëm asaj që ndodh gjatë filmimit apo vetëm asaj që audienca sheh më pas?, pyet Hildur Sverrisdottir, një anëtare e këshillit të qytetit të Reikjavikut dhe autor i një libri mbi fantazitë seksuale të grave. Çfarë është më keq, pyet ajo: pornoja jo e dhunshme që paraqet një grua të droguar apo të trafikuar apo pornografia sadiste agresive e performuar me vullnet të lirë? Qeveria do të duhet të vendosë nëse është më shumë e shqetësuar për të drejtat e aktoreve porno, apo ato të grave të tjera, të cilat kanë nevojë për mbrojtje nga burrat që përdorin pornografinë.

Krijimi i një liste të zezë për faqet e internetit porno, siç kanë vepruar Danimarka dhe Australia, rrezikon ndalimin e faqeve të internetit të pafajshme. Lista e Danimarkës, e cila u publikua më 2008 nga organizata “Wikileaks”, përfshinte faqe interneti jopornografike që qenë ndaluar gabimisht. Një listë kombëtare e bardhë ku të përfshihen vetëm faqet e lejuara, ka gjithashtu pak gjasa të funksionojë në realitet. Dhe ndalimi i blerjes së pornografisë në internet duke kufizuar përdorimin e kartave të kreditit në faqe të caktuara duket se nuk funksionon. Shumë pornografi është e disponueshme falas.

Zbatimi i një ndalimi mund të jetë i vështirë në vetvete, por pyetja është nëse ia vlen një masë e tillë. Anekdotat janë të bollshme mbi dëmin që mund të shkaktojë pornografia. Thorbjorg Sveinsdottir nga shtëpia e fëmijëve, qendra e Islandës për fëmijët e abuzuar seksualisht, thotë se fëmijët që kanë parë pornografi kanë simptoma të ngjashme me ato që janë sulmuar.

Sigthrudur Gudmundsdottir, menaxhere e strehës për gratë e abuzuara në Reikjavik vëren se gratë gjithnjë e më shumë akuzojnë si përgjegjëse për dhunën ndaj së cilës i janë nënshtruar, përdorimit të pornografisë nga bashkëshortët e tyre. Hjaltested, ndihmësprokurorja, thotë se policia po sheh gjithnjë e më shumë përdhunime që duket se janë frymëzuar nga pornografia: “Është një imitim pikë për pikë nga pornot agresive”.

Provat, gjithsesi mungojnë. Kërkimet e kryera nga Neil Malamuth, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, tregojnë se shikimi i pornografisë kontribuon për rritjen e rrezikut të sjelljes së dhunshme, por vetëm mes burrave që sakaq kanë predispozim drejt agresionit seksual dhe kur shohin porno me tepri. Me fjalë të tjera, pornografia nuk i kthen njerëzit e zakonshëm në përdhunues.

Studime në Amerikë, Danimarkë, Gjermani dhe Suedi në vitet 1970 dhe 1980 dhe më vonë, në Kinë, Finlandë dhe Japoni, tregojnë se ndërsa pornografia bëhet gjithnjë e më lehtësisht e gjetshme, numri i përdhunimeve qëndron stabël apo ulet.

Megjithatë është e vështirë të nxjerrësh konkluzione përfundimtare mbi efektin e pornografisë në vende të ndryshme, thotë Malamuth, për shkak se ka shumë variabla. Simon Louis Lajeunesse nga Universiteti i Montrealit studion rolin e pornografisë në jetët e meshkujve dhe se si ndikon pornografia në përqasjet e tyre ndaj seksit. Ai thotë se gjysma e studimeve që ai ka analizuar dalin në konkluzionin se këndvështrimet e meshkujve ndryshojnë pasi shohin pornografi, ndërsa gjysma tjetër thonë se nuk ndryshojnë. Ndërsa hartonte kërkimin e tij, ai u përpoq të gjente se sa i gjithëpërhapur qe pornografia dhe pyeti në universitet për vullnetarë meshkuj, të cilët duhej të kishin parë ndonjëherë. Dhe ai nuk gjeti asnjë.

Dëmi i pornografisë agresive

Askush nuk mund të provojë se pornografia e dhunshme sjell dhunë seksuale, pranon zonja Gunnarsdottir. “Por ne nuk mund të provojmë as të kundërtën”, shton ajo. Nëse policia dhe ata që punojnë me viktimat e dhunës seksuale janë të bindur për lidhjen, thotë ajo, “kjo është e mjaftueshme për të bindur qeverinë të veprojë”.

Kundërshtarët thonë se qeveria mund të bëjë më mirë po të fokusohet në përmirësimin e edukatës seksuale.

Islanda është një ishull i vogël dhe i nënshtruar ndaj ligjit. Është e vështirë të mendosh se në një demokraci liberale ndalimi i industrisë së seksit mund të jetë më i lehtë se këtu. Megjithatë, ndalimi me sukses mund të vijë me kosto të stërmëdha përkundrejt një përfitimi të pasigurt.

Asnjë vend nuk ia ka dalë deri më sot të kontrollojë seksin komercial, pavarësisht se disa vende kanë ndjekur rrugën e legalizimit dhe disa vende të tjera, atë të kriminalizimit

Lufta kundër pornografisë në internet, veçanërisht ajo e llojit të dhunshëm, është pjesë e një seti më të gjerë politikash për të mbrojtur fëmijët dhe për të reduktuar dhunën seksuale

Studime në Amerikë, Danimarkë, Gjermani dhe Suedi në vitet 1970 dhe 1980, dhe më vonë, në Kinë, Finlandë dhe Japoni, tregojnë se ndërsa pornografia bëhet gjithnjë e më lehtësisht e gjetshme, numri i përdhunimeve qëndron stabël apo ulet

0 comments:

Post a Comment