Woelk ishte për dy vite e gjysmë në grupin e 15 vajzave të reja që ka provuar ushqimin për Hitlerin, për të vërtetuar se nuk është i helmuar, para se t’i shërbehej liderit nazist gjerman në qendrën e komandimit me siguri të lartë, të njohur si “Gropa e Ujkut”. Qendra gjendej në Poloninë e tashme dhe aty lideri nazist ka kaluar shumë kohë gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore.
"Ishte vegjetarian. Asnjëherë nuk hëngri mish gjatë gjithë kohës që kam kaluar atje”, tha Woelk për të shtuar se Hitleri ishte "paranojak" se do ta helmonin britanikët, kështu që kishte 15 femra që do ta provonin ushqimin para se t’i servohej atij për ta ngrënë.
Në një kohë kur lufta iu shmang Hitlerit nga dora dhe shumë gjermanë përjetonin kriza të ushqimit, detyra e Margotës i kishte disa përparësi.
"Ushqimi ishte shumë i shijshëm, perimet më të mira, speca, çfarëdo që njeriu mund të imagjinonte. Dhe, gjithmonë me oriz ose pasta si shtojcë”, kujton ajo. "Por, kemi qenë vazhdimisht në frikë. I dinim thashethemet për helmim, kështu që nuk e shijonim atë ushqim. Çdo ditë kishim frikë se do të jetë vakti jonë i fundit
Historinë e saj ajo e tregon duke shfletuar albumin kur ishte e re, në të njëjtën banesë ku kishte lindur më 1917, në Berlin.
Pas dekadave të heshtjes për shkak të turpit dhe frikës së ndjekjes penale - edhe pse kurrë nuk ishte anëtare e Partisë Nacional-Socialiste - Woelk sekretin ia besoi një gazetari në Berlin, para disa muajve. Që atëherë nuk ndalet interesi për historinë e jetës së saj.
Ajo thotë se marrëdhëniet e saj me Hitlerin nisën kur iki nga sulmet ajrore në Berlin. Burri i saj u rekrutua në ushtrinë gjermane, e ajo me kushërinj u shpërngul 700 kilometra në lindje të Berlinit, në Rastenburg (atëherë një pjesë e Gjermanisë, e cila pas luftës u bë pjesë e Polonisë).
Aty u rekrutua në shërbimin civil dhe për dy vite e gjysmë iu nda puna e degustatores së ushqimit dhe kontabilistes për kuzhinë në “Gropën e Ujkut”, që ishte disa kilometra larg qytetit.
Hitleri ishte me sekrete, kështu që kurrë nuk e ka takuar personalisht, pos qenin e tij - deltarin gjerman Blondi - dhe SS-ët që e mbronin.
Frika e Hitlerit për sigurinë e tij nuk kanë qenë e pabazuar: më 20 korrik 1944, koloneli i Wehrmachtit, Claus von Stauffenberg, aktivizoi një bombë për ta vrarë. Hitleri mbijetoi, por gati pesëmijë njerëz u ekzekutuan pas atentatit të dështuar, përfshirë edhe kolonelin Von Stauffenberg.
"Rrinim ulur në stolat prej druri, kur dëgjuam një shpërthim tepër të fuqishëm. Kemi rënë dhe kam dëgjuar tek thonë: ‘Hitleri ka vdekur’. Por, nuk ishte kështu”, kujton Woelk atë moment.
Pasi dështoi atentati, tensioni në komandën gjermane u rrit. Woelk thotë se nazistët atëherë e urdhëruan ta lë shtëpinë e të afërmve të saj për t’u shpërngulur në një shtëpi afër kompleksit të “Gropës...”. Kur ushtria sovjetike ishte në ofensivë dhe Gjermania po humbte, një kushëri i tha ta lë këtë kompleks. Ajo u kthye me tren për në Berlin, për tu fshehur mos e zënë.
Ajo tha se gratë e tjera që provonin ushqimin me të qëndruan në Rastenburg, sepse familjet e tyre ishin atje dhe se kjo ishte shtëpia e tyre. Aty ato e pritën edhe ardhjen e sovjetikëve.
“Më vonë mësova se rusët vranë të 14 vajzat e tjera", përfundon historinë e saj Margot Woelk, gruaja që ka provuar të gjitha “mostrat” e ushqimit të Hitlerit, një atentat kundër tij, tërë Luftën e Dytë Botërore, ndarjen e Gjermanisë, ndërtimin e Murit të Berlinit dhe rënien e tij.
0 comments:
Post a Comment