Një politikan rus, ish-agjent i KGB-së i akuzuar për vrasjen e bujshme të Alexander Litvinenkos në Londër në 2006-n, Andrey Lugovoi u lidh në martesë me një studente gjysmën e moshës së tij gjatë javës.
Imazhet e martesës, të publikuara në një revistë ruse, tregonin se më shumë se martesa e një “rrogëtari” të shtetit, ajo e Lugovoit ngjante me atë të një multimiliarderi, njofton Top Channel.
Me të ftuar prestigjiozë, në një destinacion piktoresk në Rusi dhe përmes një ceremonie madhështore martesore, 46-vjeçari Lugovoi u betua për të qëndruar deri në vdekje, në të mirë dhe në të keqe përkrah 23-vjeçares Xenia.
E megjithatë, lidhja e tyre, deri sa vdekja t’i ndajë ose jo, me pak gjasa do të konsumohet jashtë Rusisë, përtej së cilës Lugovoi nuk mund të jetë një njeri i lirë, pasi mbi të rëndon një mandat arresti ndërkombëtar.
Vrasja e tij në 2006-n është interpretuar gjerësisht si një “ndëshkim shembullor” i FSB-së, për të dekurajuar agjentët e saj që të dezertojnë në të ardhmen.
Mandati ndërkombëtar i arrestit për Lugovoin nuk zbatohet në Rusi, ku ai është një politikan i respektuar. Vetë Lugovoi i ka kundërshtuar gjithmonë akuzat për vrasjen e Litvinenkos, duke këmbëngulur se atë e eliminuan vetë Shërbimet Sekrete Britanike.
0 comments:
Post a Comment