Sunday, April 21, 2013

Pauzë edhe një orë

E plotësuar: Pas pauzës, vazhdoi seanca e Kuvendit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës iu drejtua deputetëve por u pengua sërish nga audio incizimi i përgjimit të telefonatave të Thaçit dhe deputetit Adem Grabovci.

“Ju falënderoj për mbështetje, ju ftoj ta jepni pëlqimin për votimin që do të bëhet tash”, ka thënë Thaçi. Këtë votim e kërkoi edhe deputeti Grabovci.
Kryeparlamentarit iu afrua deputeti i VV-së, Liburn Aliu, të cilit Krasniqi iu drejtua me këto fjalë: “Nuk mundet Vetëvendosja ta imponojë demokracinë. Shko poshtë dhe mos më pengo... Vullnetin e deputetëve nuk mund ta ndryshoj... Shko poshtë”.
Në emër të LDK-së, foli ISmet Beqiri.
“Qëndrimin e kemi dhënë, nuk kemi kushte me punu e nuk kam çka me thonë”, tha Beqiri.
Ndërsa, në emër të AAK-së, foli Ardian Gjini.
“Mendimet i kemi thënë, duhet ma shpejtë me mshel këtë seancë”, tha Gjini.
Gjatë transmetimit direkt, shpesh ndërpritej transmetimi tonik. Krasniqi kërkoi edhe një pauzë tjetër, në kohëzgjatje prej një ore. /Telegrafi/

Hamiti: Marrëveshje me pushtet plus; VV pengon fjalimin e kryeministrit, seanca ndërpritet
E plotësuar: Dokumenti ju ofrohen serbëve një pushtet plus, e kjo krijon asimetri dhe implikim direkt në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, ka thënë deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti.
“Pse sot nuk duhet të ngutemi të bëjmë votime të nivelit kushtetues. Kjo do të jetë gabim fatal edhe për qeverinë, e edhe Hashim Thaçin si kryenegociator. Këto votime bëhen ngadalë. Ne po reflektojmë për situatën dhe duhet të jemi serioz. Kjo është përgjegjësi e madhe”, ka thënë ai.
Hamiti që pikat e marrëveshjes të kthehen në program të detajizuar, e atëherë të mblidhet Kuvendi e deputetët të reflektojnë e të votojmë.
“Por, pa e njoftë minoriteti serb Kosovën e Serbia Kosovën, nuk implementohen këto marrëveshje”, ka thënë ai.
Pas Hamitit, fjalën e ka marrë sërish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, por fjalimi i tij ndërpritet nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që dolën në foltore me pankartën ku shkruante "Kosova e Hashimit", derisa ne sfond dëgjohej audio e përgjimit të bisedave të Thaçit dhe deputetit të PDK-së, Adem Grabovci.
Pasj kësaj, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi një pauzë prej 10 minutave. /Telegrafi/

Konjufca: Kryeministri moti i ka “shitë drutë”
E plotësuar: Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk habitet që këtë marrëveshje e ka pranuar kryeministri Thaçi, i cili sipas tij  “moti i ka shitë drutë”.
“Nuk çuditna as me deputetët e shitur të pozitës, që e kanë pranuar marrëveshjen. Por më çudit LDK e AAK. Ata u dorëzuan para Hashimit”, ka thënë Konjufca.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se lëshimet e Qeverisë do t’i thonë kur është vendi i duhet, por kjo nuk do të thotë që duhet bërë aktivitete opozitare në stilin e Vetëvendosjes.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, duke aluduar në Konjufcën, ka thënë se ka deputetë të rinj që nuk dinë se si bëhen opozita.
“Ne nuk kemi nevojë që të mos na mësojë askush, bash hiq. Ne e dimë kur duhet bërë aktivitet opozitar, e kur është fjala për t’u pajtuar kur ka zhvillime në të mirë të vendit”, ka thënë Gjini. /Telegrafi/

Muhamet Mustafa: Pa dëmshpërblim, nuk ka normalizim
Deputeti i Grupit E 15, Muhamet Mustafa, ka deklaruar se pa kryerjen e dëmshpërblimit të dëmeve që janë shkaktuar në luftë, nuk do të ketë normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve me Serbinë.
“Qeveria aktuale e Serbisë duhet që të marrë përgjegjësinë për atë që i ka bërë nomenklatura e Milosevicit”, ka thënë Mustafa.
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se Kosova tash duhet që të angazhohet për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Duhet që të ketë të drejta për ata. Duhet bërë heqja e taksave në kufi, dokumente për qytetarët që kanë jetuar pesë vjet në Kosovë, e përfitime të tjera. Duhet të përfshihen këto në draftin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/

Kuçi: Nuk kemi nevojë ta ndryshojmë Kushtetutën; Hoxhaj: Serbia na pranoi juridikisht
E plotësuar: Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se dialogu ka pasur bazë të qartë juridike, ndërsa nuk ka nevojë që pas saj të mos ndryshohet asnjë nen i Kushtetutës së Kosovës.
“Ne kemi pasur dy mundësi, ta ruajmë një status quq, dhe mundësia e dytë ta ndryshojmë gjendjen. Por, nuk e kemi mundësinë ta ndryshosh gjendjen me forcë, për shkak të dobësisë sonë, ndërhyrjes së Serbisë dhe mos mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare. Dialogu nënkupton një kompromis, por kemi qenë të fokusuar që të ruhet ligjshmëria kushtetues”, ka thënë Kuçi.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se marrëveshja do të ndikojë për rritjen e stabilitetit në vend por edhe në rajon.
“Marrëveshja në tekstin e saj është pranim i ekzistencës juridike të Kosovës, si shtet fqinj i Kosovës dhe partner”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka thënë se pas kësaj marrëveshje shqiptarët e Luginës së Preshevës u harruan, ndërsa reciprociteti me Serbinë u harrua.
“Shtrirja e sovranitetit në veri mund të bëhet me një politikë që e forcon shtetin. Gjithashtu, duhet të bëhet ndalimi i negociatave me Serbinë”, ka thënë Aliu. /Telegrafi/

Selimi: Hashimi i bën hesapet pa hanxhiun; Hyseni: Ky është një sherr politik
E plotësuar: Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kryeministri Thaçi në vend që sot të raportojë se si i ka shpërbërë strukturat serbe, e ka nënshkruar një marrëveshje të fshehtë që FSK-ja nuk mund të arrijë në veri, përveç në rastet kur e kërkojë serbët.
“Kryeministër, FSK-në e bëtë ashtu siç tha Vucici - çizme që nuk mund të shkelë në veri. Në vend që të dërgoni policët më veri, ju kryeministër po i dërgoni në Kuvend të Kosovës. Kryeministër, kudo që jeni, dijeni, jeni marrë vesh me Serbinë, por jo me hanxhiun. Dëgjo Hashim, ky nuk do të jetë ballafaqimi yt me ne dhe me popullin e Kosovës. Ne dimë të falim, por kurrë nuk do t’ia falim Serbisë atë që e ka bërë në Kosovë”, ka thënë Selimi, njëri prej ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni ka thënë se e mirëpret atë që e tha kryeministri në seancë, por nuk ia ka hequr dilemat.
“Por, as që janë marrë parasysh vërejtjet që janë bërë në Kuvend. Është ditur se këtu do të vinim. Këtu është një sherr politik, e jo përmirësim i gjendjes për pakicën serbe”, ka thënë Hyseni. /Telegrafi/

Krasniqi kritikon marrëveshjen: U hapën dyert e kompromiseve të reja
E plotësuar: Koha do ta tregoj se a është kjo marrëveshje historike, apo se na ka njohur se Serbia siç thonë qeveritarët tanë, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Serbia nuk i ka autorizuar qeveritarët tanë të flasin në emër të saj”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, këto 15 pika nuk e përmbyllin kompromisin, por hapin shtigje për kompromise të reja në dëm të stabilitetit dhe sigurisë. Këto kërkesa, për Krasniqin, do të duhej të ishin reciproke me komunat shqiptare në serbi.
“Ajo që vlen për serbët në Kosovë, pse të mos vlente për shqiptarët në Serbi”, ka shtuar Krasniqi. “Është thënë se kjo marrëveshje do të përfundonte me traktat paqeje. Po të ishte kështu nuk do të kundërshtohej në Kosovë. Bisedimet janë bërë në mjegull dhe kanë krijuar mjegull. Më shumë jemi informuar nga gazetarët se kryeministri”.
Kryeparlamentari thotë se dokumenti që e kemi para është më tepër sy gjysmak që lë hapur çështje të ndryshme.
“Është kundër rezolutës së Kuvendit, e më së paku marrëveshje ndër-shtetërore”, ka shtuar Krasniqi, i cili ka vërejtje që në marrëveshje nuk ceket Republika e Kosovës.
“Pika 14 lë mundësi për politikat agresive të Serbisë. Me këtë marrëveshje jo që nuk janë normalizuar marrëdhëniet, por ato do të acarohen”, ka shtuar Krasniqi.

Pacolli: Zoti e bekoftë baroneshën Ashton!
E plotësuar: Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se pritet që pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kjo të ketë reflektim më të madh te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Ai e ka lavdëruar kryeministrin Thaçi dhe anëtarët e ekipit negociator të Kosovës, e gjithashtu edhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.
“Zoti e bekoftë Ashtonin për punën qe e bëri”, ka thënë Pacolli.
Ndërsa, koordinatori i bisedimeve dhe deputet i AAK-së, Blerim Shala, ka thënë se Kosova me këtë marrëveshje ka bërë një hap të rëndësishëm të një procesi që nisi në qershor të vitit 1999, kur Kosova u shkëput nga Serbia, por veriu mbeti jashtë, e që nuk do të duhej të ndodhte.
“Në shkurt të 2008, Kosova u bë e pavarur, por integrimi në veri nuk ndodhi. U la si konflikt i ngritë, apo si variant për shkëmbim të territoreve. Pas 15 korrikut, u pa se Serbia ishte në veri në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Shala. /Telegrafi/

Kurti: Thaçi e rrethoi Kuvendin me policë, sikur Milosevici
E plotësuar: Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se kryeministri Thaçi e bëri këtë marrëveshje të keqe, sepse është i korruptuar. Ai ka thënë se do të ketë shumë probleme për implementimin e saj, por këtë do të diktojë më i forti.
“Pjesëtarët e sigurisë serbe do të integrohen, çka shënon rehabilitim dhe amnistim për strukturat kriminale të sigurisë. Ne nuk jemi kundër serbëve të Kosovës, por kundër Serbisë. Është e qartë se Mitrovica do të bëhet si Banjalluka në Republikës Serbe. Është e dëmshme se Gjykatat në veri do të shqyrtojnë rastet e veçanta, që është një rast shumë i veçantë e unik. Serbia mund të angazhohet për ta penguar Kosovën gjithkund përveç në BE, ku edhe ashtu jemi larg”, ka thënë Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes ka kritikuar faktin që sipas tij ndërtesa e Kuvendit të Kosovës është përplot policë.
“Po më duket sikur në kohën kur e suprimua autonomia e Kosovës nga Milosevici”, ka thënë Kurti . /Telegrafi/

Thaçi: Marrëveshja nuk është ideale, por më e mira e mundshme
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në një seancë speciale pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai nga foltorja e Kuvendit ka thënë se marrëveshja e arritur nuk është ideale, por është më e mira e mundshme tash për tash. Kryeministri Thaçi ka thënë se marrëveshja i jep fund izolimit të Kosovës dhe hap rrugën e integrimeve.
Kreu i Ekzekutivit ka thënë se shpreson se deputetët do ta miratojnë marrëveshjen, ndërsa ka thënë se edhe kritikët e kanë ndihmuar që të jetë edhe më i përgjegjshëm gjatë këtij procesi.
Kryeministri ka thënë se marrëveshja shënon përmbylljen e konsolidimit dhe shtrirjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin e Kosovës. Ai ka shpjeguar se marrëveshja saktëson se Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE, e gjithashtu nuk mund t’i inkurajojë vendet e tjera që ta pengojnë Kosovën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në dhe OSBE-në.
“14 vjet pas çlirimit do t’i japim fund strukturave paralele, e këtë tashmë e ka pranuar Serbia. Do të ruajmë karakterin unitar në polici dhe gjyqësi. E dimë që marrëveshja ideale do të ishte me shkëmbin të njohjeve me Serbinë, por e përkryera nuk duhet të jetë armik i së mirës. Por, siç na ka ndodhur edhe në Rambuje dhe në Vjenë, edhe në Bruksel, e kemi pasur para sysh edhe sakrificën e njerëzve gjatë luftës”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Ai i ka ftuar qytetarët e veriu që të mos frikësohen, e të mos bien pre e atyre që e kanë shfrytëzuar mungesën e ligjit.
Kryeministri Thaçi ka shpjeguar se Asociacioni i Komunave Serbe, do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa do të ketë të njëjtën strukturë sikur Asociacioni i Komunave të Kosovës.
“Policia e Kosovës do të jetë unike, ndërsa do të sigurohet një vend ekuivalent për pjesëtarët e strukturave aktuale të sigurisë. Autoritetet gjyqësore do të jenë në kuadër të gjykatave të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, zgjedhjet lokale në tri komunat në veri do të mbahen në 2013, e qëllimi është që të organizohen në të njëjtën kohë me pjesën tjetër të Kosovës.

0 comments:

Post a Comment