Wednesday, April 24, 2013

Me letra në Kosovë janë 272 mijë të papunë

Numri i të papunëve në Kosovë, edhe më tej vazhdon të jetë më i lartë se të gjitha vendet e rajonit, por edhe më gjerë. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) numri i të papunëve të regjistruar nëpër zyrat për punë sociale është 272 mijë. Por, në realitet kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, pasi që shumë qytetarë nuk janë regjistruar fare. Zyrtarë të Ministrisë së Punës thonë se gjatë 2012-s, përmes qendrave regjionale të punësimit dhe zyrave komunale të punësimit, MPMS-ja ka regjistruar 24.879 punëkërkues të rinj. Ndërkaq, janë çregjistruar 90.559 punëkërkues. Po ashtu, sipas zyrtarëve të MPMS-së gjatë vitit që lamë pas janë evidentuar 9.434 vende të lira të punës, të gjetura përmes këshilltarëve të punësimit, ndërsa përmes procesit të ndërmjetësimit në punësim janë punësuar 7.692 punëkërkues, shkruan “Zëri”.
“MPMS-ja, sikundër viteve tjera, edhe gjatë vitit 2012, në bashkëpunim të ngushtë me UNDP-në, LUX-Devolopment-in, Zyrën e BE-së në Prishtinë, Bankën Botërore, Aleancën Kosovare të Biznesit, MBPZhR, komunat e partnerë tjerë, ka zhvilluar një sërë projektesh, ku në realizimin e këtyre projekteve janë angazhuar një numër i madh i punëkërkuesve.
Vetëm në projektin “Punët Publike Kosova 2012”, projekt ky i financuar nga BB dhe MPMS, që ka vlerën prej 3.3 milionë euro, në komunat e Kosovës janë realizuar 45 projekte në të cilat për një periudhë disamujore, nga zyrat komunale të punësimit janë përfshirë 2.663 punëkërkues”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zyra për media e kësaj Ministrie. Po ashtu, sipas tyre, gjatë vitit që lamë pas në projektin e BE-së “Kosova e bukur” janë përfshirë, nga zyrat komunale të punësimit 704 punëkërkues. Po ashtu, sipas tyre, edhe në “Bursa e punësimit 2012”, projekt ky që realizohet në bashkëpunim me AKB-në, janë përfshirë në procesin e trajnimeve dhe të punësimit 500 punëkërkues.

0 comments:

Post a Comment