Saturday, April 27, 2013

Në veri të Mitrovicës Plagosen me thikë dy të rinj

Dy të rinj, të moshës 15 vjeç, njëri me përkatësi serbe e tjetri me përkatësi gorane, janë goditur me thikë nga persona të panjohur për organet e rendit, në afërsi të shkollës teknike në veriun e Mitrovicës.Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për këtë rajon, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se viktimat e sulmit u kanë thënë hetuesve policorë se janë sulmuar prapa shpinës nga tre persona të panjohur.
“Policia e ka regjistruar rastin dhe ka iniciuar hetimet, por, tash për tash, kryerësit e këtij sulmi janë të panjohur për ne”, ka thënë Hoti.
Megjithatë, zyrtarët e policisë kanë shprehur dyshimin e tyre për mungesën e dëshmitarëve tjerë, për faktin se në vendin ku ka ndodhur ngjarja, në mesditë, qarkullimi i njerëzve është kryesisht i madh.
Të dy të plagosurit janë shtruar në spitalin e veriut të Mitrovicës dhe janë jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka dënuar arrestimin e dy serbëve në Komunën e Gjilanit, të dyshuar për spiunim. Zyra për Kosovën në Beograd i kërkon bashkësisë ndërkombëtare që të lirojë serbët në fjalë, duke thënë se siguria e këtij komuniteti është kërcënuar.

0 comments:

Post a Comment