Tuesday, April 16, 2013

VV “burgos” Beqajn e Rexhepin

Dorëheqja nuk mjafton
 
Për Hashim Thaçin, Besim Beqajn dhe Bajram Rexhepin dorëheqja nuk mjafton. Këta të gjithë e kanë vendin në burg dhe secili duhet të shkojë më përpara se tjetri aty ose të gjithë së bashku.
Kështu deklaroi të martën aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Marigonë Drevinja, gjatë aktivitetit të sotëm që pati kjo lëvizje para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe para Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ata dorëzuan rrobat e burgut për Besim Beqajn dhe për Bajram Rexhepin.
Sipas aktivistes Drevinja, Beqaj së bashku me, siç e quajti ajo, “ministrin e Punëve të Pista, Bajram Rexhepi”, e kanë vendin në burg e jo në Qeveri, por siç ka thënë ajo, “shefi i tyre Hashim Thaçi, po i mbanë këta brenda institucioneve të Kosovës deri në shkatërrimin përfundimtar të ekonomisë së Kosovës dhe deri në marrëveshjen për autonominë e veriut të vendit”.
“Beqaj prej se ka ardhur në krye të MZHE-së vetëm ka lidhur kontrata të dëmshme dhe ka shpunësuar qytetarë. Ndërsa Bajram Rexhepi, për shkak të vazhdës së skandaleve në ministrinë të cilën ai e drejton, është thirrur në interpelancë për tu shkarkuar, mirëpo koalicioni qeveritar dhe vendet e rezervuara i dolën në mbrojtje skandaleve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u rreshtuar kështu në anën e krimit të organizuar. Këta duhet të ndalen, burgu për këta është shpëtimi për Kosovën. Ne sot prandaj këtyre ua kemi sjellë këtu zëvendësimin e domosdoshëm të rrobave të tyre luksoze me rrobat e tyre të burgut dhe ju urojmë atyre që t’i veshin sa më parë”, ka deklaruar Drevinja.

0 comments:

Post a Comment