Udhëheqja serbe ka marrë një ofertë të re, shumë të favorshme për ta. Siç mëson Blic, oferta i ka 15 pika, shtatë më shumë se nga propozimi i mëparshëm. Serbisë tash i është ofruar gjykata në Mitrovicë, që serbët ta kenë komandantin lokal dhe rajonal, ndërsa nuk dihet ende nëse ushtria e Kosovës do të jetë e pranishme në veri të Kosovës. Me propozimin e ri është miratuar po ashtu kërkesa e Serbisë që asociacioni i komunave serbe të përfshijë katër komunat në veri, pa Mitrovicën e jugut. Në këtë mënyrë, asociacioni do të ketë shumicë absolute serbe.
Serbët do të kenë Gjykatë e Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës, me drejtoritë rajonale në secilën prej komunave, ndërsa do të kenë komandantët lokalë të policisë madje edhe në komunat në jug të Ibrit.
Përveç kësaj, udhëheqja serbe ka kërkuar arsimin, planifikimin urban, zhvillimin ekonomik dhe informacionin.
Nesër Dacic dhe Vucic do të bisedojnë me komandantin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. NATO-ja, sipas palës serbe, duhet të garantojë që ushtria e Kosovës nuk do të jetë e pranishme në veri të Kosovës, por ende nuk është specifikuar periudha për këtë.
Me këtë ofertë praktikisht është përmbushur numri më i madh i kërkesave të Serbisë. /Telegrafi/
Takimi i radhës në ora 22:00, vendimi i Beogradit deri në fund të javës
E plotësuar: Dialogu Prishtinë-Beograd u
ndërpre pas orës 20:00 dhe do të vazhdojë në ora 22:00, ndërsa kreu
shtetëror serb, siç thotë këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko
Duric, vendimin për propozimin e përfaqësues së Lartë të BE-së,
Catherine Ashton, do ta sjellë deri në fund të javës.Deri te ndërprerja e dialogut, siç kanë thënë burimet nga delegacioni i Beogradit, për agjencinë serbe Tanjug, ka ndodhur pas konfliktit verbal mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
“Përplasja ka shkuar deri në atë pikë sa ata kanë shfaqur urrejtje ndërmjet njëri-tjetrit. Gjatë diskutimit të tensionuar Thaçi i është drejtuar Vucic që ta harrojë sa më shpejtë Kosovën”, kanë thënë burime të Expressit.
Në anën tjetër, Duric ka thënë se Beogradi ka pranuar një ofertë më të mirë se gjatë raundit të 2 prillit.
"Kemi marrë një ofertë shumë të mirë, veçanërisht për policinë“, ka thënë ai për Tanjug.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës ka thënë për gazetarët në Bruksel se “tani kemi një pauzë, për t’u rikthyer në orën 22:00, që t’i jepet kohë qartësimit të disa ideve, rreth të cilave ka ende dallime”.
“Kemi ardhur me qëllimin e mirë për të arritur marrëveshje, që të konsolidohet dhe të forcohet shteti i Kosovës, të ndërtojmë fqinjësi dhe bashkëpunim rajonal. Pra, të arrijmë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/
Negociatat u pezulluan: Thaçi dhe Vucici sërish përleshën
E plotësuar: Sërish ndodhën probleme në bisedimet e Brukselit.“Ndodhi një konflikt mes Aleksandar Vucicit dhe Hashim Thaçit për dy pika”, ka thënë një burim i Blicit nga Brukseli.
Deri te konflikti verbal ka ardhur gjatë debateve për propozimet, përkatësisht për pikat 9 dhe 14.
Ndryshe, RTK ka raportuar se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë nga ndërtesa ku po zhvillohen negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, dhe ka deklaruar se beson se sonte do të arrihet marrëveshje në mes palëve, njofton RTK.
Ai ka theksuar se ka nevojë që të bëhet qartësimi i disa ideve që po qarkullojnë nga Baronesha Ashton.
Pauza e pushimit të ekipeve negociuese të Kosovës dhe Serbisë pritet të zgjat deri në ora 22:00, kur palët pritet t’i rikthehen tryezës së bisedimeve. /Telegrafi/
Në takim, së bashku: Ashton, Thaçi dhe Dacici
E plotësuar: Maja Kocijancic, zëdhënëse
e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme
dhe Siguri, Cahterine Ashton, ka thënë se dialogu po vazhdon.“Dialogu Serbi-Kosovë po vazhdon: Ashton kishte disa bisedime bilaterale dhe tash është duke takuar bashkërisht kryeministrat Dacic dhe Thaçi”, ka shkruar ajo në rrjetin social Twitter.
Serbia tha: Jo?!
E plotësuar: Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, në rrjetin social Twitter ka shkruar se Serbia i tha “JO” draft-marrëveshjes.“Dhe ja, vijnë lajme të këqija: Serbia duket se dëshiron sërish të refuzojë draft-propozimin...”, ka shkruar Çitaku në një tweet. Ndërsa në një tjetër thotë: “Kosova është e gatshme të pranojë propozimin e Ashtonit, Serbia thotë JO. Serbia dëshiron propozime të reja dhe Kosova nuk dëshiron të lejojë ndryshime tjera. Kaq!”. /Telegrafi/
Sërish në takime të ndara
E plotësuar: Në këto momente, baronesha
Catherine Ashton është në takim me palën serbe, pasi që paraprakisht
kishte përfunduar takimin me palën kosovare.Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i ka thënë KTV-së se Prishtina është e gatshme për marrëveshjen dhe po pret reagimin e palës serbe.
Më vonë, pritet edhe një takim i ri përfundimtar i përbashkët mes palëve.
Ndryshe, pas spekulimeve të mediave serbe se gjoja Kryeministri Thaçi ka lëshuar takimin, Bekim Çollaku, anëtar i delegacionit kosovar në Bruksel, ka sqaruar se bëhet fjalë për një pauzë të dakorduar nga palët.
“Jemi në pauzën e dakorduar dhe duke bërë konsultimet e brendshme”, ka thënë Çollaku për Express.
Ai ka shtuar se draft-marrëveshja e ofruar nga Baronesha Ashton është e favorshme për Kosovën.
“Draft-marrëveshja në tavolinë është reale dhe e mirë për t’u marrë seriozisht në konsideratë. Takimi do të vazhdojë çdo minutë dhe ne do te marrim vendimet e duhura në përputhje me Kushtetutën tonë dhe interesin tonë shtetëror”, ka thënë ai.
Në lidhje me lajmet nga Serbia, Çollaku ka thënë se “të gjitha lajmet e lansuara nga mediat e kontrolluara të Serbisë janë të orkestruara dhe pjesë e propagandës - asgjë më shumë”.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka shkruar më parë në rrjetin social Twitter “në parim është arritur marrëveshja”!
“Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila i jep fund armiqësisë shekullore, do të mbahet të premten”, ka thënë Selimi në Twitter. /Telegrafi/
Çitaku: Thaçi po konsultohet, nuk u largua!
E plotësuar: Autoritetet qeveritare në
Kosovë kanë mohuar raportimet në mediat serbe se kryeministri i Kosovës,
Hashim Thaçi ka braktisur bisedimet që po mbahen sot në Bruksel.Ministrja e Integrimeve Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku ka shkruar në Twiter se këto pretendime nuk janë të vërteta. “Ka ndodhur një pauzë për konsultime në të dyja palët”, ka shkruar Çitaku.
Mediat serbe kishin njoftuar se kryeministri Thaçi kishte braktisur bisedimet, i pakënaqur nga propozimet e baroneshën Catherine Ashton.
Thaçi i ndërpreu negociatat, i pakënaqur me propozimin e baroneshës Ashton?!
E plotësuar: Kryeministri i Kosovës,
Hashim Thaçi, ka ndërprerë sot, pas orës 16:00, bisedimet në Bruksel, i
pakënaqur me propozimin e lehtësueses së BE-së, Catherine Ashton,
shkruan Blic duke u bazuar, siç thuhet, në burimet diplomatike në
Bruksel.Sipas këtij mediumi, në këtë moment nuk duhet se çka do të ndodhë me bisedimet. Siç ka raportuar më herët Blic, pala serbe ka fituar një ofertë më të mirë kur është fjala për polici dhe çështjet e sigurisë.
Sipas B92, bashkëbiseduesve serbë për veriun e Kosovës i ofrohet komandanti lokal i policisë.
Ndërsa, Blic shkruan se bisedimeve nuk ju dihet fundi, ndonëse Brukseli e Prishtina kanë “lëshuar pak pe”. /Telegrafi/
Fillon takimi i përbashkët
E plotësuar: Pas takimeve bilaterale me
delegacionin e Kosovës dhe të Serbisë, përfaqësuesja e Lartë e
Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka nisur takimin e përbashkët
trepalësh.Ajo gjatë ditës është takuar nga dy herë veç e veç me delegacionin e Kosovës, të prirë nga kryeministri, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, të prirë nga kryeministri Ivica Dacic.
Çollaku: Marrëveshja e favorshme, dyshoj nëse do ta pranojë Serbia
E plotësuar: Bekim Çollaku, këshilltar i lartë i
kryeministrit të Kosovës, ka thënë se pritet që pala serbe më në fund
ta pranojë draft-propozimin e baroneshës, Catherine Ashton për
marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.“Draft-marrëveshja, ndër të tjera, siguron funksionim normal të institucioneve shtetërore në tërë territorin e vendit. Për më tepër, draft-marrëveshja siguron sistem unik të drejtësisë dhe të policisë në gjithë territorin në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Çollaku për “Express”, i cili është ndër njerëzit kryesor të dialogut Prishtinë-Beograd.
Por, ai dyshon në fleksibilitetin e Serbisë. “Përkundër kësaj, unë kam frikë se Serbia do të provojë të blejë kohë përsëri dhe nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen sot. Ne presim qe Baronesha Ashton të jetë rigoroze dhe të mos lërë hapësirë shtesë”.
Çollaku ka shtuar se Kosova mbetet e përgjegjshme deri në fund të këtij procesi për të mbrojtur dhe promovuar interesat e saj shtetërore.
Ai ka thënë se në takimin e sotshëm nuk është kërkuar kurrfarë kompromisi nga ana e Kosovës.
“Ne në takimin e sotshëm nuk kemi diskutuar fare për ndonjë kompromis të ri të mundshëm, sepse kjo nuk është kërkuar nga askush. E vërteta është se Serbia ka hequr dorë nga kërkesat e saj për të krijuar një Republika Srpska të dytë në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se pritet që shumë shpejt të fillojë takimi i përbashkët.
“Presim që Serbia të deklarohet se a do ta pranojë draft-marrëveshjen e ofruar. Ne vazhdojmë të mbesim optimistë të rezervuar për suksesin eventual të këtij raundi të negociatave”.
Baronesha i hapë letrat
E plotësuar: Baronesha, Catherine Ashton ka
hartuar një draft-marrëveshje të cilën do t’ua prezantojë palëve në
takimin e përbashkët që pritet të fillojë brenda pak minutash.Një diplomat i BE-së ka thënë se sinjalet e Serbisë, në bazë të takimit të zhvilluar me herët mes Dacic dhe Ashton, janë se do ta pranojnë marrëveshjen.
“Baronesha do t’ua prezantojë pas pak draft-marrëveshjen. Nëse palët pajtohen, atëherë Ashton u jep kohë një ditë për ta studiuar atë dhe konsultuar me faktorët e brendshëm, për t’u kthyer më pas të premten për ta nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë zyrtari i BE-së që foli për “Express”.
Nuk dihet nëse Baronesha Ashton ka bërë ndonjë ndryshim thelbësor nga propozimet e herës së kaluar.
I thonë “po” marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica
Dacic pas pak çastesh do të takohen me njëri-tjetrin, nën ndërmjetësimin
e Baroneshës Catherine Ashton.Burime të “Express” thonë se pala serbe i ka thënë Shefes së diplomacisë evropiane se do ta pranojnë marrëveshjen.
“Ata thanë se do t’i thonë ‘po’ marrëveshjes, por ta shohim se si do të rrjedh takimi trepalësh”, ka thënë një diplomat i BE-së në kushte anonimiteti
0 comments:
Post a Comment