Monday, April 15, 2013

Serbët “kujdestarojnë” në veri të Kosovës

Serbët e veriut tash e disa ditë kanë shtuar, siç thuhet, masat e një kujdesi të posaçëm në lokacionet me rrezik potencial, duke bërë kujdestari, sidomos në ato pika ku dikur patën vendosur barrikadat dhe bllokuar rrugët. Këtë e konfirmojnë edhe liderët e serbëve të veriut, të cilët kanë theksuar se masat e tilla i kanë ndërmarrë të ashtuquajturat Shtabe të Krizave të katër komunave serbe në veri të Kosovës, pas deklaratave të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës se me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë do ta vendosin pushtetin edhe në veriun e vendit.Lideri i serbëve të veriut Marko Jaksic i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kujdestari janë duke bërë qytetarët serbë të punësuar në institucionet serbe, por edhe studentët, nxënësit si dhe qytetarët e thjeshtë.
"Ajo që di unë është se pjesa më e madhe e atyre kujdestarive, para së gjithash është përforcuar për shkak të deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që në veri të instalohet ligji dhe rendi".
"Në anën tjetër, rreth hapësirave ku përfundojnë kufijtë e komunave, serbët kanë hetuar një numër të pjesëtarëve të njësitit ROSU, të cilët megjithatë nuk kanë ardhur në veri të Kosovës, por janë duke qarkulluar ngadalë rreth kufijve të komunave. Mendoj se këto janë arsyet pse serbët më shumë se më parë kanë shtuar masat e kujdesit”, tha Jaksic.
Por, njohësi i rrethanave dhe zhvillimeve politike në veri të Kosovës, Dragisa Kërstovic nga Leposaviqi, vlerëson se është e pakuptueshme arsyeja e vendimit të liderëve serb të veriut që të ngritin masat e kujdesit tek qytetarët.
Sipas tij, asgjë nuk ka ndodhur në veri më shumë se sa që ka qenë më parë dhe nuk sheh arsye për ngritje të shqetësimeve nga ana e liderëve serb të veriut.
Megjithatë, e gjithë kjo situatë, sipas tij, mund të komplikohet.
“Në çfarëdo rasti, situata mund të komplikohet, pavarësisht se nga cila anë apo nga masat preventive të cilësdo anë. Nuk e di nëse një gjë e tillë mund të jetë fare e mirë. më duket se një gjë e tillë nuk është në përputhje me atë që po e bën Beogradi zyrtarë, përveç në qoftë se ekziston ndonjë pajtim i heshtur, për të cilin opinioni nuk ka dijeni”, tha Kërstovic.
Ndryshe, liderët e serbëve të veriut kanë bërë të ditur se lidhur me drojën e tyre nuk i janë drejtuar pjesëtarëve të KFOR-it dhe as EULEX-it, për shkak se, siç kanë thënë ata, serbët e veriut e kanë humbur besimin në ta, duke pasur parasysh situatat nëpër të cilat kanë kaluar gjatë 14 vjetët e fundit.
Jakshiq theksoi se serbët e veriut kanë vendosur, sipas tij, ta mbrojnë veten dhe pasurinë e tyre.
“Mendoj se serbët, me trupat e tyre, pa armë, do t’i mbrojnë shtëpitë dhe familjet e tyre. Me siguri kjo kohë do të jetë edhe një testim edhe për KFOR-in. me siguri se ky do të jetë edhe një test për qeverinë në Beograd".
"Ajo për të cilën serbët e veriut kanë vërejtje është para së gjithash, një numër i madh dhe i ndryshëm i deklaratave agresive të kryeministrit të Kosovës se do të ballafaqohen me serbët dhunshëm, por përgjigje adekuate nga Beogradi nuk ka”, tha Jaksic.
Ndryshe, Kërstovic, vlerëson se e gjithë kjo situatë në veri, ka ngjallur frikën e njerëzve atje.
“Në çfarëdo rasti, po ndodhë diçka që po nxitë brengosje tek qytetarët dhe kjo e bën situatën e tensionuar që tek njerëzit krijon frikë nga ndonjë konflikt i mundshëm, i cili do të ishte krejtësisht i padëshirueshëm”, ka theksuar Kërstovic.
Sidoqoftë, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë theksuar se serbët e pranishëm në, si i quajnë ata, pikat e vrojtimit, nuk do ta pengojnë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve, përveç në rast se njësitet speciale të Policisë së Kosovës tentojnë të futen në atë pjesë të vendit.

0 comments:

Post a Comment