Monday, April 15, 2013

Bankat në rrezik

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tërheq vërejtjen se bankat komerciale në Kosovë janë të ekspozuara ndaj rreziqeve makrofinanciare për shkak të hapjes së ekonomisë, fushëveprimit të kufizuar për diversifikim, si dhe mjeteve modeste në dispozicion të autoriteteve për promovimin e stabilitetit makroekonomik.
Kështu thuhet në raportin e fundit të FMN-së për muajin prill 2013 me titull: “Vlerësimi i stabilitetit të sistemit financiar”, duke shtuar më tej se mbikëqyrësit duhet të monitorojnë rritjen e kredisë dhe të forcojnë dispozitat në bankat më të rrezikuara, duke përfshirë edhe ekspozimet ndaj kompanisë mëmë kur është e nevojshme.
Në anën tjetër, sipas FMN-së, ka indikacione se depozituesit e mëdhenj përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të totalit të depozitave në disa banka.
“BQK-ja duhet të miratojë një qasje të bazuar në rrezikun mbikëqyrës dhe të përfshijë mbikëqyrjen e operative dhe rreziqet e normave të interesit, të cilat lidhen me degët e bankave të huaja dhe marrëdhëniet e tyre me kompanitë mëmë”, thuhet mes tjerash në raport.
Sipas Fondit, Kosova është një ekonomi e hapur dhe e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, prandaj, duhet të hartohet një kornizë, e cila do të përfshijë aspektet institucionale dhe operacionale. Sektori financiar i Kosovës, i cili dominohet nga bankat, është zgjeruar me shpejtësi që nga viti 2000.
Asetet e sistemit financiar si përqindje e GDP-së janë dyfishuar që nga vitit 2003, përkatësisht nga 33 për qind në 74 për qind në fund të qershorit 2012.
Raporti i FMN-së flet edhe për ekonominë e Kosovës në përgjithësi, e cila është prekur nga kriza globale financiare e viteve 2008/09, nëpërmjet dobësimit të kërkesës së sektorit privat si pasojë e rënies së transfereve të punëtorëve kosovarë jashtë vendit. “Rritja e GDP-së ra nga 6.9 për qind sa ishte në vitin 2008, në 2.9 për qind në vitin 2009”, bëhet e ditur në raport, shkruan Zëri.
Eksporti kosovar, sipas FMN-së, vazhdon të mbetet në një nivel të ulët, përkatësisht rreth 7 për qind e GDP-së, i përqendruar kryesisht në metalet bazë, përderisa importet vendore përfaqësojnë rreth 52 për qind të GDP-së.
-->

0 comments:

Post a Comment