Wednesday, April 17, 2013

Thaçi i ndërpreu negociatat, i pakënaqur me propozimin e baroneshës Ashton?!

E plotësuar: Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndërprerë sot, pas orës 16:00, bisedimet në Bruksel, i pakënaqur me propozimin e lehtësueses së BE-së, Catherine Ashton, shkruan Blic duke u bazuar, siç thuhet, në burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas këtij mediumi, në këtë moment nuk duhet se çka do të ndodhë me bisedimet. Siç ka raportuar më herët Blic, pala serbe ka fituar një ofertë më të mirë kur është fjala për polici dhe çështjet e sigurisë.
Sipas B92, bashkëbiseduesve serbë për veriun e Kosovës i ofrohet komandanti lokal i policisë.
Ndërsa, Blic shkruan se bisedimeve nuk ju dihet fundi, ndonëse Brukseli e Prishtina kanë “lëshuar pak pe”. /Telegrafi/

Fillon takimi i përbashkët
E plotësuar: Pas takimeve bilaterale me delegacionin e Kosovës dhe të Serbisë, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka nisur takimin e përbashkët trepalësh.
Ajo gjatë ditës është takuar nga dy herë veç e veç me delegacionin e Kosovës, të prirë nga kryeministri, Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, të prirë nga kryeministri Ivica Dacic.

Çollaku: Marrëveshja e favorshme, dyshoj nëse do ta pranojë Serbia
E plotësuar: Bekim Çollaku, këshilltar i lartë i kryeministrit të Kosovës, ka thënë se pritet që pala serbe më në fund ta pranojë draft-propozimin e baroneshës, Catherine Ashton për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Draft-marrëveshja, ndër të tjera, siguron funksionim normal të institucioneve shtetërore në tërë territorin e vendit. Për më tepër, draft-marrëveshja siguron sistem unik të drejtësisë dhe të policisë në gjithë territorin në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Çollaku për “Express”, i cili është ndër njerëzit kryesor të dialogut Prishtinë-Beograd.
Por, ai dyshon në fleksibilitetin e Serbisë. “Përkundër kësaj, unë kam frikë se Serbia do të provojë të blejë kohë përsëri dhe nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen sot. Ne presim qe Baronesha Ashton të jetë rigoroze dhe të mos lërë hapësirë shtesë”.
Çollaku ka shtuar se Kosova mbetet e përgjegjshme deri në fund të këtij procesi për të mbrojtur dhe promovuar interesat e saj shtetërore.
Ai ka thënë se në takimin e sotshëm nuk është kërkuar kurrfarë kompromisi nga ana e Kosovës.
“Ne në takimin e sotshëm nuk kemi diskutuar fare për ndonjë kompromis të ri të mundshëm, sepse kjo nuk është kërkuar nga askush. E vërteta është se Serbia ka hequr dorë nga kërkesat e saj për të krijuar një Republika Srpska të dytë në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se pritet që shumë shpejt të fillojë takimi i përbashkët.
“Presim që Serbia të deklarohet se a do ta pranojë draft-marrëveshjen e ofruar. Ne vazhdojmë të mbesim optimistë të rezervuar për suksesin eventual të këtij raundi të negociatave”.

Baronesha i hapë letrat
E plotësuar: Baronesha, Catherine Ashton ka hartuar një draft-marrëveshje të cilën do t’ua prezantojë palëve në takimin e përbashkët që pritet të fillojë brenda pak minutash.
Një diplomat i BE-së ka thënë se sinjalet e Serbisë, në bazë të takimit të zhvilluar me herët mes Dacic dhe Ashton, janë se do ta pranojnë marrëveshjen.
“Baronesha do t’ua prezantojë pas pak draft-marrëveshjen. Nëse palët pajtohen, atëherë Ashton u jep kohë një ditë për ta studiuar atë dhe konsultuar me faktorët e brendshëm, për t’u kthyer më pas të premten për ta nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë zyrtari i BE-së që foli për “Express”.
Nuk dihet nëse Baronesha Ashton ka bërë ndonjë ndryshim thelbësor nga propozimet e herës së kaluar.

I thonë “po” marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic pas pak çastesh do të takohen me njëri-tjetrin, nën ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton.
Burime të “Express” thonë se pala serbe i ka thënë Shefes së diplomacisë evropiane se do ta pranojnë marrëveshjen.
“Ata thanë se do t’i thonë ‘po’ marrëveshjes, por ta shohim se si do të rrjedh takimi trepalësh”, ka thënë një diplomat i BE-së në kushte anonimiteti për Express.

0 comments:

Post a Comment