Privatizimi i 75 për qind të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës (PTK), që është përfshirë në një amendament të veçantë në projektbuxhetin e vitit 2014, pritet të diskutohet nesër në Kuvendin e Kosovës.
Por, si pasojë e qëndrimeve të kundërta të subjekteve politike në Parlament, ky proces është në një fazë shumë kritike, dhe mund të dështojë tërësisht. Kështu thotë për Radio Kosovën drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Sociale (STRAS), Ibrahim Rexhepi.“Procesi i privatizimit të PTK-së është përballë një rreziku që të dështojë apo edhe përballë një shprese që të rifillojë ndoshta me kondita krejt tjera dhe në një ambient tjetër për zhvillimin e procesit të shitjes”, tha ai.
Sipas Rexhepit, dështimi i privatizimit të PTK-së dëshmon paaftësinë e Qeverisë së Kosovës për të udhëhequr projekte të mëdha, dhe përcjell mesazh të keq edhe tek investitorët e huaj. “Qeveria nuk arrin të krijojë konsensus rreth këtyre punëve madhore dhe kjo shumë normale që frikëson investitorët dhe atyre iu përcjell një mesazh se kanë të bëjnë me një qeveri pa ndikim të madh dhe pa vizion, dhe jo aq kreative në udhëheqjen e politikave për të mirën e tyre dhe të Kosovës”, theksoi eksperti Ibrahim Rexhepi.
Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë një ditë më parë se deri në fund të këtij viti, çështja e PTK-së duhet të përfundojë, qoftë edhe pa sukses. Sipas tij ky proces tani varet nga Kuvendi i Kosovës, vullneti i të cilit duhet të respektohet.
“Unë shpresoj që do të dominojë arsyeja mbi bazën e argumenteve të mjaftueshme se përmbyllja e suksesshme e këtij transaksioni është në interes të Republikës së Kosovës dhe besoj që të enjten Kuvendi do ta trajtojë në këtë formë”, kishte thënë Ismajli.
Data e fundit për nënshkrimin e kontratës për privatizimin e PTK-së, sipas tij, është më 30 dhjetor dhe në rast se kjo nuk arrihet, sipas tij afati nuk mund të shtyhet më tutje.
Ndryshe kundër privatizimit përmes buxhetit të Kosovës tashmë janë shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja.
0 comments:
Post a Comment