Wednesday, May 29, 2013

Maqedonia të mos mbetet vasal i Beogradit

Anulimi i takimit të presidentëve të shteteve të Evropës Juglindore i planifikuar të mbahej në Ohër po konsiderohet si fitore nga ana e përfaqësuesve politikë në Kosovë. Ata theksojnë se kjo do të duhej të shpërbente si shembull që Maqedonia të shkëputet nga varësia e ndikimit politik prej Beogradit. 



“Pas presionit shpërfillës që i bëri Serbia Kosovës, bojkoti masiv i presidentëve të vendeve të rajonit e detyroi Maqedoninë që ta anulojë takimin”, ka shkruar në Twiter, zëvendësministri i Jashtëm i Kosovë, Petrit Selimi.
Sipas zv/ministrit Selimi, Serbisë nuk i kishte mbetur rrugë tjetër në këtë rast kur përballej me reagimin e drejtuesve të shteteve.
Analisti Belul Beqaj në një prononcim për Telegrafin ka vlerësuar se pas anashkalimit të Kosovës në Samitin e Ohrit është dashur të reagojnë shqiptarët atje, sidomos Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila është në pushtet.
Sipas tij, subjektet politike shqiptare atje duhej të reagonin duke e kushtëzuar Qeverinë me ndërrimin e vendimit në përputhje me politikën evropiane të fqinjësisë së mirë.
“Vendimi Qeverisë së Maqedonisë është anakronik. Maqedonia duhet të ndjek, për hir të vetes, kultivimin e fqinjësisë së mirë e jo t’ua bëjë qejfin fqinjëve ngatërrestarë që nuk e kanë dekontaminuar veten”, ka thënë Beqaj.
Ai ka theksuar se pavarësisht dështimit të Samitit të Ohrit, kjo nuk nënkupton që Kosova është bërë faktor i këtij regjioni.
“Shtetet e regjionit edhe Bashkimi Evropian po e kuptojnë shumë ngadalë politikën hipokrite të Serbisë. Prandaj, ky është një moment shumë i rëndësishëm për shtetet e Ballkanit dhe BE-në, për t’u ballafaquar me realitetin paradoksal të politikës serbe, e cila nënshkruan marrëveshje dhe bënë çmos të pengojë realizimin e tyre”, ka deklaruar Beqaj.
Në anën tjetër, deputeti nga radhët e AAK-së, Burim Ramadani ka shkruar se anulimi i Samitit është dëshmi e fuqishme se askush në Ballkan nuk mund të bëjë veprime që nuk përfshijnë Kosovën.
“Maqedonia duhet të përcaktohet qartë për bashkëpunim me shqiptarët në rajon. Shqiptarët janë definitivisht faktor i rëndësishëm në Ballkan. Kroacia është shembulli më i mirë i bashkëpunimit me shqiptarët”, ka shkruar Ramadani në Facebook.
Sipas tij shqiptarët duhet ta falënderojnë presidentin kroat i cili nuk ka pranuar të bëhet pjesë e këtij të veprimi të pamatur të Maqedonisë të nxitur nga Serbia.
Sot gjatë ditës, presidenti maqedonas George Ivanov kishte konfirmuar anulimin e Samitit, duke theksuar se vetoja dhe bojkotimi i presidentëve të Shqipërisë, Sllovenisë dhe Kroacisë tregon qartë se nuk ka bashkëpunim rajonal.
Presidentët e këtyre vendeve reaguan pasi që presidenti maqedonas nuk e ftoi presidenten e Kosovës për të marrë pjesë në këtë takim. -->

0 comments:

Post a Comment