Ambasada e Kosovës në Tiranë, prej tri ditësh ka mbetur pa zot shtëpie, pasi ambasadorit Sylejman Selimi tashmë i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, si i dyshimtë për krime lufte. Detyrën e tij mund ta ushtrojë përkohësisht ndonjë zyrtar tjetër, i cili emërohet nga Ministria e Jashtme.
Neni 16, i Ligjit për Shërbimin e jashtëm, thotë se në mungesë të shefit të misionit, ose në rast pamundësie të shefit të misionit për të ushtruar funksionet e tij, një i ngarkuar me punë i përkohshëm vepron përkohësisht si shef misioni.
Sipas këtij neni, i ngarkuari me punë emërohet nga ministri i Jashtëm, me dekret të presidentit, pas propozimit të Qeverisë.
KTV-ja gjatë ditës ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Jashtme, por nga ajo nuk ka pasur përgjigje.
Adem Beha, nga Instituti Kosovar i Paqes, ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira ndërmjet veti dhe kjo nuk do të ketë ndikim.
Mirëpo, sipas tij, ky është një imazhi i keq në botë për shërbimin e jashtëm të Kosovës.
KTV-ja ka mësuar se Ambasada e Kosovës në Shqipëri ka stafin më të madh se të gjitha misionet e tjera të jashtme të Kosovës në botë.
0 comments:
Post a Comment