Monday, May 27, 2013

Lokali i parë i maceve në botë

Në Paris është hapur bari i parë i maceve në botë, një lokal tepër origjinal ku disa ëmbëlsira dhe një kafe apo një çaj do të mund të shijohen nga klientët nën shoqërinë e rreth 10 apo më shumë maceve që do të jetojnë në atë ambient dhe që do të mund të adoptohen.


“Le cafe des chats” pritet të hapë dyert në lagjen Marais gjatë muajit gusht, ndërkohë prefektura e ka dhënë tashmë miratimin e saj dhe licencën për funksionimin e barit dhe deri tani mungojnë disa mijë euro për financimin e të gjithë projektit që ka një vlerë totale prej të paktën 40.000 euro.
Ideja ishte e Margaux Gandelon, një sipërmarrëse e re franceze, e apasionuar pas maceve, e cila ka mundur të arrijë grumbullimin e shumës së nevojshme për realizimin e ëndrrës së saj.
Siç transmeton BalkanWeb, objektivi i kësaj nisme është që të mundësohet “që të gjithë dashamirësit e maceve të cilët nuk kanë një të tillë të mund të përfitojnë nga shoqëria e tyre në bar”.
“Normat e higjienës do të jenë strikte dhe do të respektohen plotësisht. Nuk do të kemi më shumë se dhjetë mace dhe të gjithë felinët do të kenë librezën e tyre të shëndetit. Çdo punonjës i barit do të ketë nën kujdes dy ose tri mace dhe do të kujdeset për një 'check-up' mjekësor javor dhe higjienën e tyre të përditshme. Një veteriner do t’u bëjë vizita mjekësore çdo tre muaj dhe për më tepër, klientët që dëshirojnë edhe mund t’i adoptojnë”, ka deklaruar Gandelon.

0 comments:

Post a Comment