Beteja- Më 9 Maj përkujtohet dhe festohet dita e 9 Majit 1945, kur u çlirua Europa, përfundimisht. Lufta e Dytë Botërore mbaroi, u bë paqe. Në Gjermaninë e rrënuar nga luftimet dhe bombardimet hynë triumfalisht ushtritë aleate. U shpartallua dhe përfundoi kështu përfundimisht ushtria hitleriane naziste gjermane. Megjithatë duhet përmendur se shkatërrimi i pashmangshëm i asaj ushtrie ishte parathënë më parë në luftën e Stalingradit.
Pas mësymjesh e luftimesh nga më të përgjakshmet në historinë e luftërave njerëzore, ku mbetën të vrarë qindra mijëra ushtarë, në qytetin e mbetur gërmadhë të Stalingradit, të sfilitur dhe nga gjenerali i pamëshirshëm i dimrit të ashpër rus, më 31 Janar 1943 kapitullonin ata pak dhjetëra mijëra ushtarësh gjermanë që kishin mbetur ende gjallë, po me shpirt ndër dhëmbë, nga armata zulmëmadhe e dikurshme e gjeneralit Friedrich Paulus.
U përsërit kështu, pas njëqind e tridhjetë vjetësh ajo që pati ndodhur me ushtrinë e Napoleonit në rrethinat e Moskës të cilën e përshkruan aq bukur Viktor Hygoi te poema “Ndëshkimet” me atë vargun tragjik ku thotë: “Binte borë. Binte borë. Ngadhënjimi në disfatë ishte kthyer…”.
Dhe ushtria naziste gjermane, pas kapitullimit në Stalingrad, nuk pati më ngadhënjime, po veç disfata dhe tërheqje të njëpasnjëshme deri në Berlin, ku kapitulloi përfundimisht më 9 maj 1945.
Luftës antifashiste i janë kushtuar shumë krijimtari në fushën letrare, në artet figurative etj., nga artistë të vendeve të ndryshme, por jo pak dhe nga mjaft letrarë e artistë gjermanë.
Në vitin 1985, kur përgatisja vëllimin me përkthime nga poezia gjermane dhe austriake zgjodha e përktheva tri poezi me titull “Këngë djepi” të kohës së luftës antifashiste të kënduara nga nënat në Paris, në Berlin dhe në Moskë.
Për arsyet politike antisovjetike të asaj kohe, në vëllimin “Poezi gjermane dhe austriake”, që u botua më 1987, nuk u përfshi “Këngë djepi” në Moskë.
Në atë kohë, përktheva nga gjermanishtja dhe poezinë “Stalingradi”, që për të njëjtat arsye të mësipërme s’mund të përfshihej në atë vëllim.
Tani, kur historia asnjanëse i ka zhveshur emrat e përveçëm nga lavditë e pamerituara, në këtë shtatëdhjetëvjetor të fitores në Stalingrad, më vjen mirë t’i botoj këto poezi në shenjë nderimi për ata ushtarë rusë që ranë në betejat e Stalingradit dhe me gjakun e tyre ndërruan rrjedhën e historisë së shekullit të njëzetë. Me këtë rast po botoj dhe përkthimin e një shkrimi të E. Jevtushenkos që përshkruan sjelljen njerëzore të grave ruse që kishin mbajtur mbi shpatullat e veta barbaritë e asaj lufte shkatërrimtare.
EVGENI JEVTUSHENKO
ARMIQ DHE NJERËZ
Më 1944, nëna ime dhe unë u kthyem në Moskë, dhe ishte hera e parë në jetën time që shihja armiq. Ishin, nëse s’më kujtohet keq, njëzet e pësëmijë robër gjermanë që duhej të përshkonin rrugët e qytetit të rreshtuar në një kolonë të gjatë.
Trotuaret ishin plot me njerëz që mbaheshin mbrapa nga ushtarët dhe policët. Një turmë e pamasë. Të gjitha – gra, gra ruse me duar burri, të shformuara nga lodhja, me buzë që nuk e kishin njohur të kuqtë, me shpatulla të dobëta kockore. Secilës prej tyre, me siguri, gjermanët u kishin çuar larg ose babanë, ose burrin, ose vëllanë, ose djalin. Ndër të tjera, kishte urrejtje në sytë e atyre grave që po rrinin duke pritur kolonën e robërve dhe shihnin me akth andej nga kreu i rrugës.
Më në fund u dukën.
Përpara ishin gjeneralët. Marshonin me fytyra fodulle, me nofulla të shtrënguara. Cepat e buzëve të tyre ishin të thata: kishin ngjyrën e përçmimit. Në këtë mënyrë, ata, donin të ridëshmonin epërsinë e tyre ndaj popullit që i kishte mundur. Gjatë kalimit të tyre duart punëtore të grave u shtrënguan e u bënë grusht.
“U qelbkan era kolonjë këta maskarenj!” – klithi një zë dhe ushtarëve dhe policëve u duhej të përdornin të tërë fuqinë e tyre për të mbajtur mbrapa gratë që donin të çanin pengesat.
Papritmas ndodhi një gjë pothuaj e jashtëzakonshme.
Mbrapa gjeneralëve, ecnin ushtarët: Të dobët, të zhyer, të parruar, kokën të lidhur me lecka të gjakosura. Disa mbështeteshin mbi paterica, të tjerët – mbi shpatullat e shokëve të paplagosur. Kokën e mbanin poshtë. Askush nuk klithi më. Një heshtje vdekje mbuloi rrugën. Dëgjohej vetëm zhurma e shuajve të këpucëve dhe e patericave përmbi kalldrëm.
“Lërmëni të kaloj!” – tha atëherë një grua me çizme të mëdha ruse, duke vënë dorën mbi shpatullën e një polici. Ishte kaq i vendosur zëri i kërkesës së saj sa që polici e la të kalonte sikur të paskësh marrë një urdhër të prerë.
Duke u afruar te kolona e robërve, gruaja nxori nga xhybja e saj një copë bukë të zezë dhe ia dha njërit prej tyre. Gra të tjera ndoqën shembullin e saj dhe u hidhnin bukë, cingare dhe gjëra të tjera ushtarëve gjermanë.
Dhe ata, si me magji, pushuan së qeni armiq. Tashmë ishin njerëz, asgjë tjetër përveçse njerëz.
0 comments:
Post a Comment