Friday, May 10, 2013

Presidente, gabove!

Deklarata e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, se Kosova do të ndryshoj ligjet e saj për t’iu përshtatur marrëveshjes së arritur me 19 prill në Bruksel, ka bërë që të reagojnë partitë politike në vend. Këtë deklaratë ata e kanë quajtur pikëlluese dhe një deklarim emocional, i paarsyeshëm, i nxituar dhe i dëmshëm për vendin. Madje këtë e shohin edhe si përzierje të kompetencave të presidentes në punën e legjislativit.

 
Ditë më parë, presidentja e vendit, Jahjaga, në një intervistë për një medium serb, ka deklaruar se Kosova do të ndryshoj ligjet e saja, për t’iu përshtatur marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë çështje, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se presidentja duhet të veprojë në interes të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të shtetit të Kosovës.
“Marrëveshja i obligon të gjithë përfaqësuesit institucional qoftë presidentja, kryeministri. Normalisht se qëndrimet e kryeministrit, si kryesues i delegacionit, janë në përputhje të plotë me Rezolutën e Kuvendit, Kushtetutën e Kosovës dhe ligjeve të saj dhe nuk kemi të drejtë të veproj askush ndryshe. Por të gjithë edhe presidentja duhet të veprojë në interes të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Grabovci, transmeton Kosovapress.
Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se me këtë deklaratë presidentja ka bërë një koment të pamenduar dhe të pa studiuar mirë.
“Mendoj se presidentja ka dal jashtë fushë veprimtarisë së vet. Presidentja me kushtetutë ka të drejtë të marrë nismë legjislative por nga fusha e veprimtarisë së vet dhe në këtë rast ka qenë një koment emocional i paarsyeshëm, i nxituar, i pamenduar, i pastudiuar, diplomatikisht i paarsyeshëm, i dëmshëm dhe me pasoja”, ka theksuar Gashi.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk konjufca ka kritikuar deklaratën e presidentes Jahjaga, duke thënë se roli i presidentes është të mbroj Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe jo të kërkojë ndryshimin për të plotësuar kërkesat e Serbisë.
“Kjo është një deklaratë shumë pikëlluese sa i përket presidentes. Ne e dimë që me Kushtetutë roli i presidentes është që të mbroj Kushtetutën dhe ligjet e një vendi dhe që të mbroj sovranitetin e një vendi, kurse presidentja e jonë është ajo e para e cila deklaron se Kushtetuta duhet të ndryshohen, ligjet duhet të ndryshohen e kështu me radhë. Do të thotë në vend që zyrtarët tanë të thonë se Kushtetuta e Serbisë është ajo që duhet të ndryshojë, sepse Kushtetuta e Serbisë e ka Kosovën brenda këta po thonë që Kosova duhet të përshtatet Serbisë në çdo aspekt ku dëshiron ajo”, ka thënë Konjufca.
Deputetët këtë e shohin edhe si ndërhyrje në punën e legjislativit.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i pyetur se a është kjo përzierje e kompetencave, ka thënë se Kuvendi është ai që krijon infrastrukturën ligjore jo dikush tjetër.
“Fjalë politike e cila mund të merret pak me vërejtje, sepse legjislativi është ai që krijon infrastrukturën ligjore. Prandaj nuk i takon askujt tjetër të ndërhyjë në aktet që i nxjerr parlamenti i Kosovës”, ka theksuar Isufi.
Ndryshe, ditë më parë, presidentja Jahjaga, në një intervistë për ‘Novi-Magazine’ nga Serbia ka thënë se Kosova do të ndryshojë Kushtetutën dhe ligjet e saj për t’iu përshtatur marrëveshjes së arritur në Bruksel mes dy kryeministrave, atij të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Serbisë, Ivica Dacic.

0 comments:

Post a Comment