Para Gjykatës së Lartë Rajonale në Munih, nën masat e ashpra të sigurisë dhe interesit të madh të mediave, nesër fillon gjykimi i grupit neonazist NSU, të akuzuar se dekadën e kaluar kanë mbjellë vdekje në mesin e të huajve në Gjermani, duke vrarë tetë turq, një grek dhe një police gjermane. Mediat këtë gjykim e kanë cilësuar si “Procesi i Nurembergut për neonazistët."
Ky gjykim, që quhet edhe si i shekullit apo “Breiviku gjerman”, fillon nesër nën tensione dhe në hijen e mosmarrëveshjeve të mëdha me mediat turke, të cilave kjo gjykatë, në akreditimin fillestar, në mesin e 50 gazetarëve nuk ua ka siguruar asnjë vend, duke u arsyetuar me numrin e vogël të vendeve dhe faktin se akreditimet janë ndarë me short.
Mediat turke dhe politikanët e këtij vendi u revoltuan dhe kërkuan drejtësi përpara Gjykatës Federale Kushtetuese.
Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, kërkoi vende për mediat turke dhe deputetët e Parlamentit të Turqisë në sallën e gjyqit dhe për këtë ka folur edhe me shefin e diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle.
Treshja famëkeqe: Uwe Mundlos, Uwe Bohnhardt dhe Beate Zschape
Pas akuzave të mediave turke, të pakënaqura nga vendimi, Gjykata e Munihut ka marrë vendimin që nga 17 prilli gjykimi të fillojë të nesërmen dhe mediave turke t’ju ndahen katër vende.
Kur është fjala për procesin kundër Beate Zschape, si një nga themelueset e grupit NSU, ajo duhet të përgjigjet për 10 vrasje, 28 tentim-vrasje, anëtarësim në organizatë terroriste, zjarrvënie dhe grabitje të dhunshme.
Ajo dhe grupi i saj kanë shkaktuar konfuzion dhe dorëheqje të njerëzve kryesorë në radhët e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e cila është ngarkuar se në fund të vitit 2011 ka shkatërruar dokumentet për operacionin e quajtur Rennsteig, mu në ditën e njëjtë kur u deklarua se tek neonazistët janë gjetur armët me të cilat janë vrarë emigrantët. Qeveria gjermane, ndërkohë, i kërkoi falje familjeve të viktimave të NSU-së dhe ka paguar dëmshpërblim në vlerë prej një milion eurove.
Me vite lëviznin dhe vepronin të lirë
Sipas hetimeve, NSU është formuar nga së paku tre persona: Zschape - kopshtare me profesion, e vetmja e mbetur gjallë nga grupi - pastaj një djalë profesori dhe një ndihmës-punëtor i ndërtimtarisë.
Së paku tre nga ta, Beate Zschape (36), Uwe Mundlos (38) dhe Uwe Bohnhardt (34) që kanë jetuar në Zwickau, në një vilë të vjetër e të bukur (paratë i kanë siguruar nga vjedhjet), ishin anëtarë të “Nëntokës Nacional-Socialiste” (NSU) që në dhjetë vitet e fundit kanë sulmuar, plaçkitur dhe vrarë të huajt, dhe këto akte i kanë xhiruar.
Mundlos dhe Bohnhardt vitin e kaluar u gjetën të vdekur, ndërsa Zschape është arrestuar.
Për Mundlosin thuhet se ishte “mendimtar” i paskrupullt', djali i profesorit, i edukuar mirë, të cilët ish shokët e klasës e përshkruajnë miqësor e që nuk bie në sy.
Viktimat e NSU-së
Ai e shëtiste vëllain invalid me karroce në lagjen ku jetonin, dëgjonte muzikë dhe ndiqte gjykimet ku kontestohej Holokausti. Mundlos vizatonte, ndërsa në dhomën e tij ishte portreti i zëvendësit të Adolf Hitlerit, Rudolf Hess, të cilin ai e ka vizatuar.
Bohnhardt ishte ndihmës-punëtor ndërtimi, njeri i armëve dhe pothuajse gjithmonë me vete mbante një thikë 30 centimetra të gjatë, ndërsa thuhet se secili që e ka parë, ka ikur nga ai.
Këta tre persona kishin planifikuar luftë kundër shtetit, në fillim bërë “valixhe-bomba”, me simbolin e svastikës, të cilat ua dërgonin mediave lokale.
Policia në një garazh të cilën Beate e kishte marrë me qira, më 1998, gjeti një punëtori të bombave me mbi një kilogram TNT.
Në fillim të “maratonës vrastare”, më 2000 dhe 2001 janë vrarë dy turq në Nuremberg, qytet ky që për neonazistët ka rëndësi mitike, sepse aty Hitleri i mbante kongreset e partisë.
Deri më 2007 janë vrarë tetë turq, një grek dhe një police gjermane, ndërsa shtypi shkruan se “treshja” i ka xhiruar viktimat për një film propagandistik.
0 comments:
Post a Comment